E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batuta, Berisha justifikon Berluskonin

Autori i Lajmit: Redaksia

Batuta e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, e cila është kritikuar në shumë media italiane, por dhe nga gazetarë shqiptarë, ka sjellë dhe reagimin e kryeministrit Sali Berisha. Por ndërsa opinioni në përgjithësi nuk e ka mirëpritur këtë batutë, kreu i qeverisë shqiptare ka shpjeguar momentin e përdorimit të saj duke justifikuar në këtë mënyrë homologun italian. “Kur po flisja për moratoriumin e skafeve, Berluskoni bëri një kompliment. Ne kishim në stafin tonë 3 gazetare të pashme. E vërteta është se Silvio bëri një kompliment drejt tyre, pasi në tërësi audienca ishte mashkullore dhe mund të them se këto vajza plot sharm nuk është se nuk binin në sy, ato spikasnin në audiencë. Por unë i ftova madje gazetaret, këto tre zonja të bënim një foto bashkarisht me Kryeministrin. Ky është gjithë historiku i shakasë së tij”,- tha Berisha. Reagimi i Kryeministrit vjen pas publikimit në mediat ndërkombëtare të takimit mes tij dhe Berluskonit javën e shkuar. Mediat u fokusuan tek batuta e Berluskonit drejtuar kryeministrit Berisha që po fliste për moratoriumin e skafeve që Shqipëria ka vendosur për të ndalur emigracionin e paligjshëm. “Emigracioni klandestin? Lejohen vetëm po sollën vajza të bukura”,- pohon Berluskoni. Po dje, kryeministri Berisha ka bërë të ditur se gjatë takimeve në Itali me prefektë dhe ministra kulmori ka qenë ai me kryeministrin Silvio Berluskoni. “Vizita ime në Italinë mike do të kulmonte në takimin me kryeministrin Silvio Berluskoni, takim i cili e bëri vizitën historike, ndonëse theksoj se e fundit që më shkon ndërmend është të bëj histori. Ne firmosën një dokument, dokumenti i partneritetit strategjik me Republikën Italiane”, - tha Berisha. Ai shtoi se dokumenti i partneritetit strategjik institucionalizon marrëdhëniet e shkëlqyera të derisotme. Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e vendit kandidat dhe integrimin. Më tej ai tha se ka rënë dakord me Berluskonin që të bashkëpunojnë në fushën e energjisë, si në ndërtimin e TEC-ve dhe HEC-ve dhe ndërtimin e kabllove nënujore.

Dy mijë shqiptarë në Fabebook: Berluskoni, kërko falje për gratë shqiptare

Më shumë se 2 mijë shqiptarë, intelektualë shqiptarë që jetojnë në Itali kanë hapur një grup në Facebook dhe kanë nënshkruar kërkesën drejtuar
Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni të cili i kërkojnë të deklarojë se kërkon ndjesë për frazën e përdorur pak ditë më parë për “vajzat e bukura shqiptare”. SKY.it shkruan se grupi në facebook lindi menjëherë pas reaksionit që shkaktoi deklarata e kryeministrit italian Berluskoni në konferencë shtypi me homologun e tij shqiptar Sali Berisha. Ndërsa Kryeministri shqiptar po thoshte se Qeveria e ka ndaluar përdorimin e skafeve për klandestinët që kalonin ilegalisht në Itali, Berluskoni bëri shakanë e radhës duke thënë se “mund të bëhet përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura”. “Pavarësisht se Kryeministri italian është i njohur për shakatë e tij- shkruhet në letrën publike - ne besojmë se ajo që ai tha se është një deklaratë sulmi dhe fyerje kundër grave shqiptare që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në Itali dhe Shqipëri. Nuk besojmë se mund të bëhet shaka me sëmundjet më të rënda sociale të tranzicionit demokratik shqiptar: trafikimin e qenieve njerëzore”,- thuhet në deklaratën e nënshkruar nga anëtarët e grupit në Facebook.
Nënshkruesit bëjnë thirrje për “një korrigjim dhe një falje zyrtare për të gjitha gratë shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Itali”.

Ky lajm është publikuar: 16/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›