E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Berisha u përgjigj me skenarët e vitit ‘97

Në përfundim të afatit dhjetëditor për hapjen e kutive, dje pas mesdite selia rozë deklaroi se kërkesës për transparencë iu përgjigj me skenarë të 97-s dhe kërcënime. Deputeti i kësaj partie, Namik Dokle, tha se kërkesat demokratike, të drejta e të arsyeshme të opozitës, morën si përgjigje një gjuhë agresive dhe të çoroditur nga Kryeministri, qeveritarët dhe orkestra e çakorduar parlamentare. "Opozita kërkoi zgjidhje të krizës së demokracisë e të shtetit të së drejtës me dialog dhe mirëkuptim ndërsa Kryeministri kërcënon me skemat e skenarët e krizës së vitit 1997 për shtypjen siç thoshte ai "me zjarr dhe hekur" të protestave popullore. Për ngrirjen e buzëqeshjes së opozitës, për shkuljen e dhëmbëve me gjithë nofulla e të tjera kërcënime e absurditete të nxjerra nga arkivi i ndryshkur stalinist", u shpreh Dokle. Ne i themi Kryeministrit, vijoi Dokle, dhe mazhorancës së tij që për sa kohë ka mundësi reflektimi dhe arsyetimi, të mbyllë poligonin enverist të luftës kundër opozitës. "Gjuha e çoroditur dhe agresive as nuk e tremb dhe as nuk e shkurajon opozitën", nënvizoi Dokle. Deputeti socialist vuri në dukje se opozita kërkoi transparencën e plotë të procesit zgjedhor e ata u përgjigjën me kërcënime e shpifje. "Opozita kërkoi hapjen e kutive ku numërimi i votave është bërë keq dhe shumë keq - ata u përgjigjën me arrogancë e shurdhëri. Opozita kërkoi evidentimin dhe dënimin ligjor të shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor - ata tregojnë përralla për afatin e mandateve, që nuk na i dhanë ata, por më shumë se gjysma e zgjedhësve shqiptarë", këmbënguli Dokle. Megjithatë, ai vuri në dukje se përgjigjet e Berishës e rrisin edhe më shumë përgjegjësinë për fatet e vendit; e forcojnë vendosmërinë për të vazhduar qëndresën dhe protestat bashkë dhe në krye të gjithë atyre shqiptarëve, këtu dhe në emigracion, të majtë apo të djathtë; për të cilët liria e votës është baza e çdo lirie; e drejta e votës është çelësi i integrimit real në shoqërinë e hapur dhe demokratike!.

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›