E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon Lavrov, bisedime për zhvillimet në rajon

Zhvillimet në rajonin e Ballkanit ishin tema kryesore e një takimi që ministri i Jashtëm, Ilir Meta, zhvilloi me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme bëri me dije se gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet në rajon dhe u diskutua mbi të ardhmen e tij. Gjithashtu Meta dhe Lavrov diskutuan mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në nivel dypalësh dhe mbi realizimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në fusha me interes reciprok. Dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për shkëmbimin e mendimeve edhe në organizatat ndërkombëtare, ku të dyja vendet janë anëtare.

Takimi vjen në një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori në shqyrtim kërkesën e Beogradit për të shpallur të pavlefshëm aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një kohë kur Rusia mbështet Serbinë për këtë çështje. Në njoftimin për shtyp nuk thuhej gjë konkrete në lidhje me deklaratat për Kosovën. Njëkohësisht, gjatë pjesëmarrjes në Ministerialin e OSBE-së që u zhvillua në Athinë, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z.Ilir Meta, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, z.Karl Bildt, vendi i të cilit mban Presidencën aktuale të Bashkimit Europian. Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe në liberalizimin e vizave, si dhe mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe politikën e saj rajonale. Meta shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë në kohë dhe me efikasitet të plotë të gjitha reformat që kërkon procesi i integrimit në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, z.Karl Bildt, shprehu mbështetjen e plotë të Suedisë për të dyja këto procese, duke theksuar se Suedia mbështet heqjen e vizave për shqiptarët dhe integrimin e plotë të saj në BE. Gjithashtu, Bildt vlerësoi përqasjen konstruktive të politikës së jashtme shqiptare në rajon dhe u shpreh se Shqipëria është një faktor stabiliteti në Ballkan. Njëherësh Meta zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z.Joao Soares, dhe me drejtorin e ODIHR-it, z.Janez Lenarcic. Gjatë takimit, z.Soares dhe z.Lenarcic shprehën dhe një herë qëndrimin e institucioneve që përfaqësojnë mbi zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato si një progres të dukshëm dhe në përputhje me shumicën e standardeve të OSBE/ODIHR. Nga ana e përfaqësuesve të OSBE-së u mirëpritën hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të risjellë opozitën brenda institucionit të Parlamentit, si dhe u vlerësua gatishmëria e saj për t‘i ofruar opozitës shumicën dhe kryesimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, si dhe një rol drejtues në procesin e reformës zgjedhore.

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›