DIKTATURA SI ARRATI SHQIPTARE NGA LIRIA?
Pasi u velën për 45 vjet me diktaturën komuniste, shqiptarët dolën në rrugë duke thërritur demokraci. Pasi u velën 20 vjet me "demokracinë", shqiptarët kanë nisur ta kërkojnë përsëri shpëtimin te diktatura. Ky është mesazhi që del po të analizosh shkrimin "Surrogato-Diktatura Jonë" të Artan Lames, e publikuar në "Shqip" si reflektim ndaj artikullit tim "Berisha, ky Adolf Hitler i Demokracisë". Pra, shqiptarët e duruan demokracinë për thuajse gjysmë shekulli, ndërsa me "demokracinë" janë të mërzitur sa pa u mbushur 20 vjet. E vendos jo rastësisht në thonjëza fjalën demokraci, sepse, në fakt, shqiptarët janë të lodhur dhe të mërzitur me surrogaton e demokracisë që kanë instaluar liderët politikë e klanet e tyre, janë të lodhur me kaosin e maskuar me ligj, me padrejtësinë e maskuar me drejtësi, me antishtetin e maskuar si shtet. Dhe kaosi nuk mund të mos bëhet premisë e diktaturës, nuk mund të mos çojë në një situatë ku masat të shndërruara në turmë, të mos vihen në kërkim të liderit shpëtimtar, të Mesias që do të rivendosë pak rregull, që do të kthejë "ligjin" dhe do t‘i bëjë trenat të nisen apo mbërrijnë në orar. Shqipëria përjeton sot një kaos total, ku ka humbur kufiri mes asaj që është e ligjshme dhe asaj që është e paligjshme, mes së drejtës dhe së padrejtë, mes asaj që është fituar me djersë dhe pronës së fituar me grabitje apo korrupsion. Mund të japësh pa fund shembuj të këtij kaosi që i nxit jo pak shqiptarë sot të kërkojnë shpëtim te diktatura dhe që bashkë me mikun tim Lame të thonë: "...do ishim dakord të kish më pak liri shtypi, por gjykatësi të ish më i ndershëm, të kish më pak liri fjale, por shteti të binte era shtet, të kishim më shumë frikë nga polici, por polici të mos ishte një injorant i palarë... do t‘i toleronim po qe se kjo nuk do të ish një surrogato, por një diktaturë". E kuptoj dëshpërimin realist dhe të bazuar, por nuk mund të jem dakord me rrugëzgjidhjen që ai ofron, me diktaturën. Ose më saktë, me surrogato-diktaturën.
***
Krahasimi i Sali Berishës me Adolf Hitlerin në artikullin tim të para pak ditëve nuk qe aspak pohimi se në Shqipëri është vendosur diktatura e Berishës. Do të kish qenë një nonsens, sepse një artikull i tillë do të ishte i pamundur nën një diktaturë ku kritika ndaj liderit përbën krim shtetëror. Qëllimi ishte të tregohej se Berisha (më shumë se çdo lider tjetër rival ose jo rival me të) është një politikan me prerje prej Fyhreri që nuk ka asgjë të përbashkët me sistemin e demokracisë liberale që nga ana e saj, kërkon liderë për të cilët liria nuk është thjesht një mendim, një fjalë, por një bindje. Dhe sipas Erich Fromm, "bindja është një mendim i rrënjosur në karakterin e njeriut". Berisha ka dëshmuar me prova se nuk është një karakter liridashës dhe që prandaj nuk mund të bashkëjetojë në paqe me sistemin e saj, demokracinë liberale. Prandaj, artikulli kërkonte të tregonte se ai do konfliktojë deri sa ta mposhtë ose të mposhtet nga demokracia. Dhe përgjatë këtij konflikti, Berisha shfaq tipare dhe taktika shumë të ngjashme me ato të Hitlerit si etjen për pushtet absolut, taktikën hitleriane të shantazhimit politik dhe terrorizmit psikologjik të kundërshtarit, shpalljen e opozitës "armike të kombit" apo "mafie". Ai luan me "antikomunizmin" ekzakt si Hitleri dhe me "antikorrupsionin" sikundër Hitleri me, të themi, antisemitizmin. Tipar i përbashkët i tyre është edhe dinakëria e gabimit të turmave me deklarata që përmbajtjen e kanë të turbullt, por mesazhin nxitës dhe emocional të qartë. Ka edhe shumë të tjera që provojnë konfliktin organik të Berishës si politikan dhe lider, me demokracinë liberale, institucionet dhe parimin e saj të tolerancës apo balancimit e kufizimit të pushteteve. Por është një konfliktualitet që ka vazhduar shumë gjatë, duke prodhuar gjithnjë e më shumë kaos dhe privacione lirish e të drejtash që rrjedhin prej tij. Prandaj dhe durimi i popullit ka sosur dhe ai kërkon shpëtim jo te "demokracia" e diskredituar si kaos dhe mungesë drejtësie, por te diktatura me iluzionin se edhe pse nën diktaturë liritë janë të gjymta, polici është polic, ligji-ligj apo gjykatësi-gjykatës. Harrohet se nën diktaturë polici është polic i partisë dhe gjykatësi po ashtu. Harrohet se në diktaturë ligji dhe e drejta (për rrjedhojë edhe liria) nuk janë bashkë pra, që ligji nuk është tamam ligj, por më shumë, një biçim rregulli. Në kuptimin demokratik ligji është i pandashëm nga mbrojtja e çdo lirie dhe të drejte.
***
Dhe është pikërisht mungesa e ligjit dhe e së drejtës në shumë rrafshe, që i ka bërë jo pak shqiptarë sot të kujtojnë me nostalgji rregullin që mbretëronte në diktaturë, kohën "kur ishim më mirë atëherë kur ishim më keq". Dhe të shpresojnë për një shpëtim te diktatura. Dhe mjerisht jo vetëm shqiptarët, por edhe "ndërkombëtarët" që shfaqen po ashtu të rraskapitur nga konfliktualiteti i pafund i politikës shqiptare. Prandaj, që nga viti i mbrapshtë 1997 e kanë vënë më shumë theksin te "stabiliteti" politik dhe jo te liria. Duket se po krijohet një konsensus i heshtur dhe madhështor, që po përlan s‘dihet sesa për qind të shqiptarëve, të politikanëve të tyre, por edhe segmente të diplomacisë perëndimore, se Shqipëria nuk është e pjekur për shtet ligjor dhe se ajo mund të stabilizohet vetëm me anë të aplikimit të formulës së "dorës së fortë". Pas 20 vjet jemi padyshim në një udhëkryq historik. Kam shprehur me kohë frikën se amendimet e Kushtetutës më 21 prill 2008, se mburrja që ju bë atyre, edhe nga "ndërkombëtarët", si konsensusi më i madh i politikës shqiptare, janë shprehje e psikologjisë së lodhjes dhe një mekanizëm për arratisje nga "liria" (në fakt kaosi) dhe duke gjetur strehë e shpëtim te një formulë autoritariste. Por, a do të qe kjo një diktaturë si ajo e Enverit? Me shumë gjasa jo, por nuk do të qe as edhe demokraci. Do të qe një surrogato-diktaturë, me më pak liri fjale, madje edhe me më pak liri organizmi dhe proteste. Do të ishte një regjim autoritarist tipik për vende të Amerikës Latine, aziatike apo afrikane. Do qe, ndoshta, një lloj putinizmi. Do kish më shumë qetësi, më shumë rregull, por jo më shumë drejtësi. Drejtësia nuk shtohet kur pakësohet liria. Sepse liria dhe drejtësia janë simotra të pandara, binjake siameze të njëra-tjetrës, ndaj një filozof e quante drejtësinë një emër i dytë për lirinë. Me një sistem të tillë Shqipëria mund të ishte më "stabile", por aspak si Europa. Në një sistem të tillë, më të qetë, edhe liderë si Berisha (ose kushdo që do t‘i zinte vendin) do të ishin më të pashqetësuar në misionin e tyre për t‘u pasuruar të qetë. Sepse, autoritarizmi nuk ofron zgjidhje për luftën kundër korrupsionit. Madje, ai e vështirëson atë me pushtetin absolut që krijon. Pra, do të ketë më shumë rregull, por jo liri, jo demokraci. Është krejtësisht zhgënjyese dhe vështirë e pranueshme që pas 20 vjet tranzicion drejt Europës, shqiptarët të katandisen në një gjendje që të kërkojnë shpëtim tek autoritarizmi si surrogato-diktaturë pikërisht te porta e Europës. Dhe nuk duhet të lejojnë që të humbet shansi i lirisë, sepse, ndoshta, nuk do të kenë kurrë në të ardhmen një shans të tillë historik për ndërtimin e një demokracie liberale dhe shteti ligjor, si ky që iu paraqit në fillim të viteve ‘90. Ky është shansi që abuzuan politikanë si Berisha në vitet kur demokracia ishte në zgjerim, ndërkohë që sot, kemi hyrë në një periudhë tjetër, kur demokracia perëndimore, edhe për shkak të krizës ekonomike, përjeton një zbaticë. Në këto 20 vjet, që e shpallin tranzicion drejt Europës, ata krijuan kriptoanarkinë e maskuar me shtet dhe prej kësaj premise duan të krijojnë kriptodiktaturën të maskuar me demokraci. Por si mund të integrohet në Europë një Shqipëri ku nuk instalohet shteti ligjor dhe demokracia, por një regjim autoritarist? Si mund të integrohet në Europë një Shqipëri, stabiliteti i së cilës nuk buron nga liria dhe drejtësia, por nga cungimi i tyre? Europa, që është themeluar si sistem politik mbi vlerat e lirisë, do ta refuzonte një Shqipëri të tillë sikundër një organizëm që flak transplant të huaj. Nuk duhet pasur asnjë iluzion. Integrimi i Shqipërisë në Europë është mundur vetëm nëse Shqipëria arrin të zbatojë filozofinë e lirisë politikisht si demokraci. Nëse nuk e bëjmë këtë, nuk është çudi që ndonjë ditë Europa të na thotë duke na përplasur derën në fytyrë: Ju e patët shansin e lirisë, por nuk e shfrytëzuat atë! Prandaj, edhe në këto ditë të vështira zhgënjimesh, shqiptarët nuk duhet të arratisen nga liria duke i kthyer shpinën. Duhet të këmbëngulim, të protestojnë dhe bojkotojnë në emër të asaj demokracie dhe lirie që brohoritën 20 vjet më parë, ndërsa protestonin kundër diktaturës.