E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: Duam dialog me Berishën, por ende nuk kemi asnjë përgjigje

Tiranë, 31 Janar NOA Partia Socialiste thotë
se është në pritje të nisjes së dialogut me mazhorancën por ende nuk ka një
përgjigje prej saj. Pohimin e bëri para pak minutash në një dalje
për mediat, Namik Dokle, deputet i PS.

Dokle tha se përmes Kryetarit të PS, jemi
shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e
Presidentit, por deri tani ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike.

Këtu Dokle kujtoi edhe rezolutën e miratuar
nga Asambleja Parlamentare të Këshillit të Evropës që siç tha, kërkoi dialog në
tryezën politike të presidentit.

Asambleja konfirmoi krizën politike të
shkaktuar nga qeveria dhe hetimin e zgjedhjeve, kurse do të dërgojë komision
monitorimi për zgjidhjen e krizës, - citoi Dokle dhe theksoi se çdo ditë e më
shumë po shtohet numri i faktorëve shqiptarë e ndërkombëtarë, që pohojnë se
Shqipëria ndodhet në një krizë politike dhe se nevojitet në mënyrë urgjente
zgjidhja e kësaj krize përmes dialogut.

Duke akuzuar mazhorancën se nuk e do dialogun,
Dokle tha se hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të qeverisë,
kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre
përshëndetëse për Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me këtë papërgjegjshmëri totale, mazhoranca
nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon krizën.

Por të mos harrojnë se opozita e bashkuar nuk
do të lejojë që pasojat e krizës të rëndojnë mbi shqiptarët, - paralajmëroi Dokle.

Me rrugë ligjore, apo me protesta
demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe
emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe
transparencë të plotë të procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive, për ti
dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve që
është kthyer në një kancer për demokracinë, - ishte premtimi i PS i përsëritur
sot nga Dokle.

e.n/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›