E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: Në Evropë jo me vota të vjedhura

12/04/2010 PS proteston në Kodër Kamzë

“Të hapen kutitë, që të hapet rruga e zhvillimit të Shqipërisë”

Opozita vijon organizimin e protestave të saj, duke u ndalur gjatë paradites së djeshme në Kodër Kamzë. Në këtë manifestim banorët e kësaj zone kanë ngritur shqetësimet e tyre, ku natyrisht kanë kërkuar zgjedhje. Por nga ana tjetër, në fokusin e kësaj proteste ishte dhe kërkesa kryesore e PS-së, mbi të cilën ka përqendruar aksionin e saj politik kjo parti. Pjesë e këtij organizimi ishte dhe deputeti i PS-së, Namik Dokle, i cili u shpreh se “ne sot këtu vijmë për t’i thënë Berishës: ‘Hap kutitë ose largohu!’ dhe ‘Ndal!’ rrënimit ekonomik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sepse është e drejta jonë të protestojmë. Kur Qeveria vjedh, është e drejta jonë t’i themi që është Qeveri hajdute. Kur Qeveria shkel ligjin, është e drejta jonë që t’i themi ‘Turp!’. Kur Qeveria vjedh votat, është e drejta jonë që t’i themi: ‘Pse manipulon?’, dhe kështu nuk shkohet në Evropë”. Sipas tij, për këtë ishin mbledhur banorët dhe për të gjitha problemet dhe hallet që ata kanë, qoftë punësimi, qoftë dritat dhe uji, qoftë rritja e çmimeve në mënyrë skandaloze. Madje, në këtë kontekst, Dokle evidentoi dhe një tjetër moment që lidhej me parregullsitë me faturat e energjisë elektrike. “Të hapen kutitë, sepse duke hapur kutitë, hapet e drejta dhe hapet rruga e zhvillimit të Shqipërisë. Sali Berisha, duke mbajtur kutitë e mbyllura, do të mbajë mbyllur tunelin e Kukësit. Sali Berisha, duke mbajtur kutitë e mbyllura synon të mbajë të mbyllura dosjet e ministrave të tij të korruptuar. Prandaj ne protestojmë dhe do vazhdojmë të protestojmë”, deklaroi Dokle. Po kështu, deputeti socialist evidentoi të tjera probleme që lidhen me këtë zonë. “Unë njoh këtu në Laprakë një familje ku janë burrë dhe grua pensionistë dhe kanë vetëm një fëmijë, kanë instalime elektrike nga më modestet dhe për një muaj i shkon fatura 900 mijë lekë të vjetra. Po kështu ka me dhjetëra e me dhjetëra qytetarë dhe prandaj këta janë mbledhur këtu për t’i thënë Sali Berishës: ‘Hap kutitë, por hap edhe rubinetin e ujit’, sepse ka premtuar se për këtë lagje do të ketë 24 orë ujë dhe uji akoma nuk ka pikuar këtu”, vlerësoi deputeti i PS-së, Dokle.

Apeli

Partia Socialiste, përmes përfaqësuesve të saj, lëshon për çdo ditë apelin e saj të njëjtë për qytetarët shqiptarë. Përmes kësaj thirrjeje, kampi opozitar kërkon nga qytetarët e këtij vendi që më 30 prill, bashkë me gjithë Shqipërinë, të mblidhen në bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar. Njëkohësisht, në thirrjet e tyre përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare japin dhe arsyet se përse PS-ja ka vendosur ndërmarrjen e protestave në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë, protestat e opozitës përpiqen të sjellin në vëmendje nevojën urgjente për ndërhyrje në ekonominë e vendit.

Deklarata

Baraj: Protestojmë për të garantuar standardet

Deputeti i PS-së, Besnik Baraj, u ndal dje te deklaratat e Kryeministrit Berisha lidhur me ekonominë. “Java që sapo kaloi tregoi se gjendja entuziaste e ekonomisë shqiptare është një gënjeshtër, ajo ekziston vetëm në mendjen e Berishës dhe veglave të tij. Përgjigjen ia dhanë e do të vazhdojnë t’ia japin mijëra qytetarë në protestat e shumta që kanë mbuluar tërë Shqipërinë”, vlerësoi Baraj gjatë deklaratës së tij për shtyp. Sipas tij, Kryeministri i vendit, pasi i vodhi votat sikurse veproi edhe më 1996, përsëri po fut duart në xhepat e të gjithë shqiptarëve. “Dalja e njerëzve në rrugë lidhet me gjendjen e rëndë e të padurueshme ekonomike. Qytetarët pa dallim sot blejnë me të njëjtën vlerë shumë më pak ushqime se një vit më parë”, deklaroi ai. Por po në të njëjtën linjë, Baraj evidentoi të tjera problematika, të cilat kanë sjellë organizimin e këtyre protestave. “Shqiptarët kërkojnë transparencë se ku shkojnë paratë e tyre e jo gënjeshtra. Sa u shpenzuan ekstra për shembjen e tunelit të Kalimashit e kush mban përgjegjësinë për to? Kush fshihet prapa Gërdecit dhe pse i bëhet presion prokurorisë për zbardhjen e saj? Mungesa e transparencës dhe deformimit të realitetit nuk janë vetëm në kutitë e votimit, por në tërë veprimtarinë e Kryeministrit Berisha, ndaj dhe shqiptarët sot dhe në të ardhmen do mbushin sheshet, pasi kërkojnë të njëjtat standarde si dhe vendet e BE-së në rolin e Qeverisë për zhvillimin e vendit”, nënvizoi Baraj gjatë deklaratës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›