E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Kodi të amendohet brenda sesionit

12/04/2010 Zgjedhjet e lokale të vitit 2011 sjellin ndërhyrjet në ligjin elektoral

“Në shtator institucionet e administrimit të zgjedhjeve të kenë bazën ligjore”

Kodi Zgjedhor dhe përmirësimi i tij risjell thirrjet e përfaqësuesve politikë për dialog mes palëve. Sfida e ardhshme zgjedhore për zgjedhjet lokale dikton ndërhyrjen dhe amendimin e kodit elektoral. Por një proces i tillë duhet domosdoshmërish të realizohet përmes bashkëpunimit mes forcave kryesore politike. Për më tepër që një nismë e tillë duhet të ndërmerret dhe brenda disa afateve kohore, kjo për vetë periudhën e afërt në të cilën pritet të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor. Në këtë mënyrë, nisur nga një moment i tillë, deputeti socialist, sekretar për çështjet elektorale pranë Partisë Socialiste, Kastriot Islami, nënvizoi domosdoshmërinë e amendimit të Kodit Zgjedhor brenda korrikut. Për këtë arsye, ish-bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, e konsideroi si urgjente nevojën e ringritjes së këtij komisioni, para se Presidenti të dekretojë datën e zgjedhjeve në gusht. “Është urgjente krijimi i komisionit ad-hoc të Reformës Zgjedhore, për të kryer reformën zgjedhore të nevojshme, bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në mënyrë që brenda këtij sesioni të përfundojë reflektimi i të gjitha këtyre mendimeve, lidhur me ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që në shtator, të gjitha institucionet që merren me administrimin e zgjedhjeve të kenë bazën ligjore”, vuri në dukje Islami gjatë fjalës së tij, lidhur me një çështje të tillë. Ndërkohë që në gjykimin e tij, sfida e ardhshme elektorale është një betejë e fortë politike. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, duhet që baza ligjore të mos lërë shteg për polemika të mëtejshme. Po kështu, ndalur në propozimin e kreut të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit, Islami nënvizoi se “një proces i tillë do të amplifikojë edhe më shumë krizën politike”. Për këtë arsye, deputeti socialist kërkoi përmes fjalës së tij që ky institucion të mos vendosë pa konsensus unanim. “Do të theksoja që do të ishte mirë që fletët e votimit të mos digjeshin, të mos aplikohej Kodi Zgjedhor, veçse në qoftë se do të kishte një vendim konsensual nga të gjithë anëtarët e KQZ-së. Meqenëse afrohemi dhe me zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk është mirë që çështja e transparencës së 28 qershorit të bëhet pjesë e debatit për zgjedhjet e ardhshme vendore”, u shpreh Islami, duke qenë kështu ndër deputetët e parë që lëshon një thirrje të tillë, lidhur me mendimin e Kodit Zgjedhor.

Propozimi

“Ju garantoj se s’do të ketë më as kuti, as komisione, as fletë votimi. Ju ndryshoni statute, unë do të dixhitalizoj votimin”. Kështu u shpreh Kryeministri Berisha lidhur me propozimin për mënyrën e re të votimit. Votimi elektronik mund të ndodhë në dy forma. Në rastin e parë përmes votimit nga një kompjuter i lidhur me internet, dhe atje ku është e pamundur, me anë të makinave elektronike të shpërndara në qendrën e votimit.

Qëndrimi

“Nuk kam asnjë kundërshtim në parim, por ne jetojmë në një vend, i cili është kaq larg rrugëve të zhvillimit, është kaq larg rrugëve të modernizimit, saqë të hapësh një bisedë për këtë çështje, në kushtet që Shqipëria ka sot dhe në kushtet që Shqipëria mund të garantojë, është njësoj si të flasësh për seksin e engjëjve, ndërkohë që nga të katër anët ka vetëm shkatërrim, rrënim dhe kërcënim”, u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama, lidhur më propozimin e Kryeministrit.

Votimi

“Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit”, saktësohet në nenin 106 të Kodit Zgjedhor aktual, lidhur me mënyrën e votimit që është aplikuar në zgjedhjet e kaluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›