Dokle: PS gati për negociata, PD nuk ka vullnet
Namik Dokle deklaroi dje se çdo ditë e më shumë po shtohet numri i faktorëve shqiptarë e ndërkombëtarë që pohojnë se Shqipëria ndodhet në një krizë politike dhe se nevojitet në mënyrë urgjente zgjidhja e kësaj krize përmes dialogut. “Ditën e djeshme, përfaqësues të Këshillit të Europës jo vetëm e ritheksuan këtë fakt, që gjendet shkruar e bardhë mbi të zezë në rezolutën e miratuar në Asamblenë Parlamentare, por paralajmëruan se kjo krizë rrezikon të marrë përmasa edhe më të rrezikshme, me pasoja të rënda për vendin, nëse partitë politike neglizhojnë të angazhohen në bisedime”, u shpreh deputeti socialist, Dokle. Sipas tij, hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të qeverisë, Kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre përshëndetëse për Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga qeveria, kurse ata gëlltiten për ta mohuar. Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirinte pa rrugëdalje”, theksoi Dokle. PS thotë se teksa asambleja do të dërgojë komision monitorimi për zgjidhjen e krizës, ata ngrenë barriera për të fshehur të vërtetën. “Asambleja kërkoi dialog në tryezën politike të Presidentit, kurse ata përpiqen ta shumëzojnë me zero e ta bëjnë inekzistent me presione të ndryshme. Me këtë papërgjegjshmëri totale, mazhoranca nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon krizën”, u shpreh Dokle. Opozita e bashkuar, vijoi ai, nuk do të lejojë që pasojat e krizës të rëndojnë mbi shqiptarët. “Përmes kryetarit të PS-së, jemi shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e Presidentit, por deri më tash ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike”, tha Dokle.
#