Roçen: Shkëmbimi i ambasadorëve? Më vonë
Podgoricë
Ministri i Jashtëm malazez
Shkëmbimi i ambasadorëve midis Podgoricës dhe institucioneve të Prishtinës është proces i cili kërkon një kohë, konsideron shefi i diplomacisë së Malit të Zi, Milan Roçen. “Fillimisht duhet marrë vendimi për hapjen e ambasadës, në bazë rezidente, apo jorezidente, pastaj vjen procesi i përzgjedhjes së kandidatëve dhe procedura e kërkimit të pajtueshmërisë që zgjat disa muaj”, ka deklaruar Roçen për TV “IN”. Ai ka shpjeguar se edhe pas marrjes së pajtueshmërisë mund të kalojnë së paku 6 muaj, apo ndoshta një vit, deri në momentin kur ambasadori të dërgohet në një shtet të caktuar. Ministri i Jashtëm po ashtu ka theksuar se deri atëherë do të zgjidhet statusi ligjor dhe pozita e komunitetit malazez në Kosovë, gjë për të cilën posaçërisht është duke insistuar kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Roçen ka vlerësuar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është raport legjitim dhe se aty “s’ka kurrfarë keqkuptimesh apo kompromisesh, siç dëshironin disa”.
#