E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Qeveria mban peng votën dhe vendin

Gjatë një komunikimi me median, deputeti dhe nënkryetari i Parlamentit, Namik Dokle, është shprehur se kriza vijon të jetë e pa zgjidhur dhe sipas tij, këtë e dëshmoi edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.

“Evropa kërkon konsensus, opozita ka bërë hapa të jashtëzakonshëm drejt konsensusit, duke vlerësuar mbi të gjitha interesat e vendit, por qeveria vazhdon të mbajë peng votën e lirë në kutitë e mbyllura!”, tha Dokle për gazetarët.

Sipas tij, qëndrimi i mbrapshtë ndaj votës së lirë si dhe deklaratat qesharake të mohimit të realiteteve dhe problemeve që përjetojnë shqiptarët, po e çojnë demokracinë në kthetrat e autoritarizmit si dhe ekonominë në falimentim. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha, që sipas tij, nuk dëgjojnë thirrjet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.

Edhe një herë tjetër, Dokle tha se opozita kërkon transparencën e zgjedhjeve duke u bazuar mbi Kushtetutën e vendit. Më tej, duke cituar rezolutën e Parlamentit Evropian, deputeti i PS-së, tha se kjo rezolutë kërkon një sistem drejtësie të pavarur, “ndërsa maxhoranca i heq edhe gurin e fundit duke i imponuar votim të hapur dhe presion politik ekstrem mbi organet më të larta të së drejtës”.

“Rezoluta evropiane bën thirrje që të përmbushen kriteret e Kopenhagenit pa të cilat nuk ka integrim, maxhoranca e trajton demokracinë si një tavolinë kompekai, në të cilën korrupsioni po gërryen shtetin dhe çdo familje shqiptare që paguan dëmet katastrofike të familjes qeveritare”, vijoi. Në fund të deklaratës, Dokle ka kërkuar nga qeveria që të heqë dorë nga mashtrimi dhe të pranojë transparencën dhe dialogun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›