Dokle: “Qeveria të pranojë dialogun për transparencën në të mirë të integrimit”
Eneida Jaçaj
Kërkesa e opozitës për të bërë transparente zgjedhjet e manipuluara të 28 qershorit ka mbushur dje plot një vit, ndërsa maxhoranca ka vijuar me diversionet e saj për të mos realizuar hetimin e zgjedhjeve. Partia Socialiste i ka bërë sërish thirrje maxhorancës që në të mirë të vendit të pranojë dialogun për transparencën e zgjedhjeve. Deklarata vjen nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, i cili i bëri apel qeverisë të heqë dorë nga kokëfortësia dhe imponimi ndaj një populli të lirë e të gatshëm dhe të sakrifikojë për lirinë. Dokle i kujtoi maxhorancës Rezolutën e Parlamentit Europian, e cila i bën thirrje qeverisë të zgjidhë krizën dhe të përmbushë kriteret e Kopenhagës për procesin e integrimit.
Deklarata
“I bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit të saj të heqë dorë nga mashtrimi dhe të pranojë transparencën, të heqë dorë nga diktati dhe të pranojë dialogun, të heqë dorë nga shpërdorimi i pushtetit dhe të respektojë shtetin e së drejtës. Kjo do të ishte axhenda e përbashkët europiane për të gjitha forcat politike, për të gjithë shqiptarët”, - apeloi Dokle.
Deputeti socialist tha se maxhoranca vazhdon të mos pranojë hetimin, kryeministri dhe qeveria e tij vazhdojnë të shkelin parimin kushtetues të transparencës. “Qëndrimi i mbrapshtë ndaj votës së lirë, shurdhëria destabilizuese e qeverisë për të mos i hapur rrugë zgjidhjes së krizës, deklaratat qesharake të mohimit të realiteteve dhe problemeve që përjetojnë shqiptarët, po e çojnë demokracinë në kthetrat e autoritarizmit, ekonominë në falimentim, institucionet e së drejtës nën litarin e qeverisë dhe Parlamentin në ngërç permanent”, - u shpreh Dokle.
Rezoluta
Deputeti Dokle, në argumentin e tij pro transparencës së zgjedhjeve dhe zgjidhjes sa më të shpejtë të ngërçit politik, i është referuar edhe Rezolutës së Parlamentit Europian. Dokle theksoi se Europa kërkon konsensus, ndërsa opozita ka bërë hapa të jashtëzakonshëm drejt konsensusit duke vlerësuar, mbi të gjitha, interesat e vendit.
“Rezoluta europiane nënvizon se zgjedhjet e zhvilluara para një viti dështuan në qëllimin për të rritur besimin në procesin elektoral, ndërsa maxhoranca nuk pranon të bëjë asnjë hap për garantimin e besimit në zgjedhjet e ardhshme, duke mos pranuar transparencën e zgjedhjeve të kaluara”, - u shpreh Dokle, duke theksuar se “Rezoluta europiane bën thirrje që të përmbushen kriteret e Kopenhagës, pa të cilat nuk ka integrim; maxhoranca e trajton demokracinë si një tavolinë kompekai, në të cilën korrupsioni po gërryen shtetin dhe çdo familje shqiptare që paguan dëmet katastrofike të familjes qeveritare”.
Braçe: “Qeveria është pjesë e tregjeve monopoliste të vendit”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka akuzuar qeverinë si kabinetin e monopoleve. Braçe tha se qeveria ka ndërhyrë në të gjithë sektorët kyç të vendit. “KESH-i është monopol i qeverisë, OST-ja, monopol i qeverisë. Çmimi i energjisë elektrike caktohet nga këta, rritet prej tyre për të përfituar maksimalisht”, - tha Braçe.
Sipas tij, një tjetër sektor i kapur është ai i kërkimit, prodhimit, përpunimit, depozitimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit. Për deputetin socialist qeveria ka dhënë gjithçka në dorë të disa privatëve pranë saj, të cilët kontrollojnë çmimet në të gjithë tregun. Jo më pak përfitues, sipas Braçes, janë edhe kompanitë e telefonisë fikse dhe asaj celulare. “Qeveria ua jep kontratat qeveritare 4-5 kompanive, kliente politike të saj. Qeveria, me vendim, ka përjashtuar nga tregu dhjetëra kompani që sipas saj nuk kanë realizuar një kontratë të mëparshme në 70% të vlerës së saj. E gjitha kur ka mbi një vit që nuk i paguan”, - tha Braçe. Deputeti socialist bën me dije se tetë tregje të tjera, si ai i importit të grurit, prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë, i duhanit, çimentos; transportit ajror, menaxhimit të aeroporteve, shërbimit, kolaudimit të automjeteve, menaxhimit të porteve detare, pullave fiskale, makinave që kontrakton qeveria, janë monopol/oligopol/ pa konkurrencë i disa privatëve, përgjithësisht të zgjedhur nga qeveria politikisht. “Janë gati 4 miliardë euro që i xhirojnë e përfitojnë monopolet. Pra rreth 60 kompani dhe që i paguajnë mbi 3 milionë shqiptarë. Kjo është kapja e shtetit. Monopolet po zhvatin çdo shqiptar, po pasurojnë çdo qeveritar. Ky është pushteti i tyre, nuk është pushteti i shqiptarëve”, - tha Braçe.
Meta pret ambasadoren Krepieva: “Maqedonia të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim kortezie ambasadoren e Republikës së Maqedonisë, Blagorodna Mingova-Krepieva, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Tiranë. Marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon si dhe procesi integrues në BE ishin temat kryesore të diskutuara gjatë këtij takimi. Ministri Meta, duke evidentuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësinë e mirë mes dy vendeve, vlerësoi rolin dhe kontributin e veçantë të ambasadores Mingova-Krepieva në këtë drejtim. Meta, pasi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, nënvizoi se ecuria e reformave dhe fryma e zhvillimeve të brendshme në Maqedoni duhet të jetë e tillë që të mos bëhet pengesë në proceset integruese, duke evidentuar me këtë rast rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Nga ana e saj, ambasadorja Mingova-Krepieva vlerësoi stadin aktual të bashkëpunimit ndërinstitucional mes të dyja vendeve dhe, në veçanti, dialogun politik dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Meta e siguroi për realizimin së afërmi të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni.
29 Qershor 2010