Mima: “Bashkia e Tiranës të bëjë transparent buxhetin e saj”
Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima, i ka bërë thirrje Edi Ramës, në cilësinë e kreut të Bashkisë së Tiranës, të bëjë transparencë mbi buxhetin e Bashkisë. “Rama, për të disatin vit rresht vazhdon traditën e mosmiratimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak dhe të operimit me buxhet provizor në kushtet të mungesës totale të transparencës për publikun, i cili, sipas ligjit, do të duhej të informonte me detaje për paratë që paguan në formën e tatimeve, taksave dhe tarifave lokale si dhe për mënyrën e shpenzimit të këtyre parave nga Bashkia e Tiranës”, - u shpreh Mima.
Ai e ka akuzuar Ramën se vjel tatime, taksa dhe tarifa, të cilat tejkalojnë 10 përqindëshin e nivelit tregues të taksës për biznesin e vogël. Mima deklaroi se Partia Demokratike do të kthehet në avokatin e mbrojtjes së të drejtave të tatim-paguesve për të garantuar që paratë e vjela padrejtësisht të kthehen në arkat e tyre. “Të gjithë ata që ende nuk e kanë kryer pagesën, të injorojnë njoftim-tatimet ilegale të bashkisë dhe të paguajnë vetëm detyrimin që thotë ligji. U bëjmë thirrje të gjithë trupave të ngarkuara nga ligji, të ndërmarrin sa më parë veprime verifikuese, kontrolluese dhe bllokuese të kësaj rruge antiligjore dhe të garantojnë transparencën në sytë e publikut në përgjithësi dhe komunitetit të biznesit të vogël në veçanti”, - u shpreh deputeti Mima.
29 Qershor 2010