Doktor Honoris Causa; Universiteti Politeknik nderon prof. Leonard Barollin
Universiteti Politeknik i Tiranës i ka dhënë dje titullin “Doktor Honoris Causa” prof. dr. Leonard Barollit, pedagog në Universitetin e Fukuokas në Japoni. “Është nder i madh për mua që të paraqes para jush mbështetjen time për dhënien e titullit “Doktor Honoris Causa” për prof. Leonard Barollin, një personalitet i shquar në fushën e Teknologjisë së Informacionit, në mjediset botërore akademike, - deklaroi gjatë prezantimit rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. dr. Jorgaq Kacani. - Prof. Barolli është një njeri me vizion dhe me përkushtim për të ndihmuar vendin e tij të origjinës. Ai është përpjekur gjatë gjithë këtyre viteve për të sjellë eksperiencën personale, por edhe më gjerë në Shqipëri”.
Sipas tij, prof. Barolli, si student i diplomuar pranë Universitetit Politeknik (ish-Universiteti Shtetëror i Tiranës), ka treguar vendosmëri të madhe për të krijuar lidhjet midis UPT-së dhe universiteteve në Japoni, ku ai punon prej afro 20 vitesh.
“Në vitin 2000, prof. Barolli filloi kontaktet e para të bashkëpunimit të ekipeve me profesorë të shquar nga disa universitete me zë në Japoni, me Universitetin Politeknik të Tiranës, - tha prof. Kacani. - Prof. Barolli ka ndikuar direkt në krijimin e një ure komunikimi me universitetet e Japonisë, për të krijuar grupet e para të bashkëpunimit në kërkimin shkencor me laboratorët e këtyre universiteteve”.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte në rang akademik, kombëtar edhe ndërkombëtar, ku nga pala shqiptare merrnin pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik, prof. dr. Gudar Beqiraj, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës prof. dr. Fatos Harizaj dhe të tjerë.