“Reforma zgjedhore sipas kërkesave të OSBE-së”
Kryeministri Sali Berisha bëri dje të ditur se sistemi zgjedhor do të amendohet dhe përmirësohet më tej sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. “Me zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Shqipëria ka lënë pas njëherë e përgjithmonë kohën e zgjedhjeve të manipuluara dhe legjitimitetit të cënuar të institucioneve të dala prej tyre. Ato janë një fitore e demokracisë, fitore e shqiptarëve”, - tha ai duke shtuar se “qeveria është e vendosur të vazhdojë angazhimet drejt arritjes së standardeve më të larta të zgjedhjeve dhe administrimit zgjedhor. Mazhoranca është e gatshme që të ndërmerren: modifikime të pranuara konsensualisht mbi sistemin aktual zgjedhor, të tilla që eliminojnë trajtimet e pabarabarta, diskriminuese dhe paragjykuese ndaj subjekteve politike”. Sipas tij, vazhdimi i modernizimit të teknologjisë zgjedhore dhe përdorimi masiv i mjeteve elektronike të informimit e komunikimit mbetet një drejtim prioritar i modernizimit të administrimit e monitorimit zgjedhor që do të mbështetet nga qeveria me fonde të mjaftueshme.