Mahoney: Shqipëria, progres në luftën kundër trafikimit
Eleminimi i trafikimit njerëzor është një nga prioritetet në muajt dhe vitet e ardhshme për Shqipërinë. Arritja e këtij objektivi do të sjellë integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, udhëtimin pa viza dhe përmirësimin e investimeve të huaja dhe shtimin e tyre. Në këtë konkluzion ka dalë në përfundim të një projekti 6-vjeçar me vlerë 7.5 milionë dollarë kundër trafikimit Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, programi (USAID) dhe Nisma Shqiptare: “Koordinimi i Veprimeve Kundër Trafikimit Njerëzor (KVKTNJ)”. Nga ky projekt kanë përfituar 740 viktima të trafikut, 2.800 gra e fëmijë kanë përfituar duke parandaluar një fenomen të tillë, ndërkohë që kanë dhënë ndihmën e tyre një staf i madh njerëzish në të gjithë vendin. Në një konferencë të organizuar dje, drejtoresha e misionit USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney, theksoi progresin që është bërë gjatë këtyre viteve dhe inkurajoi partnerët për të intensifikuar përpjekjet e tyre në muajt e vitet e ardhshme në eleminimin e trafikimit njerëzor në Shqipëri. “Unë jam takuar dhe kam folur me viktimat, gra, vajza dhe djem, të cilët kanë vuajtur egërsinë dhe dhunën e trafikimit të qenieve njerëzore”, - u shpreh drejtoresha e misionit USAID. “Integrimi në Bashkimin Evropian, udhëtimi pa viza, përmirësimi i investimeve të huaja, të gjitha këto prioritete janë të arritshme për Shqipërinë”, - tha Mahoney. “Por ato nuk mund të arrihen pa përpjekjet e vazhdueshme dhe intensive të qeverisë e shoqërisë civile, për të luftuar këto krime të rënda”, - u shpreh znj. Mahoney. Sipas saj, programi është duke u mbyllur, por kriminelët trafikantë nuk do të heqin dorë vullnetarisht nga sjelljet e tyre kriminale ndaj personave të pambrojtur. Qindra përfaqësues nga qeveria dhe shoqëria civile morën pjesë në aktivitetin e gjatë njëditor për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ata vinin nga dymbëdhjetë qarqe të vendit dhe përfaqësonin shumë sektorë, përfshi këtu strukturat për zbatimin e ligjit, shërbimet sociale, arsimin, shëndetësinë, prokurorinë, Komitetet Rajonale të Prefekturave në Luftën Kundër Trafikimit Njerëzor dhe shoqëria civile. Përveç vlerësimit me certifikatë për pjesëmarrje, çdo pjesëmarrës mori dhe një “Paketë Burimore të Praktikave Kundër Trafikimit Njerëzor”. Një video prej 25 minutash transmetoi sukseset kryesore të arritura nga programi KVKTNJ me partnerët e saj të qeverisë e shoqërisë civile.
Përpjekjet dhe rezultatet
* mbi 740 viktima të trafikimit kanë përfituar shërbime ndihme dhe ri-integrimi;
* më shumë se 2.800 gra dhe fëmijë kanë përfituar shërbime parandalimi;
* mbi 59.800 njerëz morën pjesë në aktivitete ndërgjegjësimi;
* më shumë se 400 përfaqësues të qeverisë dhe 500 përfaqësues të shoqërisë civile bashkëpunuan në aktivitetet e koordinimit të KVKTNJ-së;
* mbi 2.100 aktorë të qeverisë dhe 210 të shoqërisë civile janë trajnuar mbi anti-trafikimin dhe aftësitë menaxhuese.