E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzgjedhja, kritere të reja për konkursin

17/09/2009  Doktoratura /Kohëzgjatja e studimeve përshtatet me Bolonjën, mund të zgjasë edhe mbi 3 vjet

Pranohen edhe kandidatët që kanë një diplomë apo certifikatë të ciklit të tretë të studimeve

Ndjekja e programeve të doktoraturës pranë institucioneve të arsimit të lartë publik tashmë do të bazohet në kritere të reja, jo vetëm në procedurën e pranimit, por edhe në strukturën e procesit akademik. Ndryshimet e miratuara konsistojnë në përshtatjen e këtyre studimeve sipas Bolonjës, ku për çdo vit studimi universitetet do të detajojnë planet mësimore dhe kohëzgjatja normale e këtyre studimeve do të jetë trevjeçare. Për raste të veçanta, kohëzgjatja normale e programit të doktoratës, në formën me kohë të plotë, do të nevojitet të jetë më shumë se tre vjet, vetë fakultetet duhet të specifikojnë elementet e përgjithshme të programit të studimit, duke detajuar shpërndarjen në vite dhe semestra të disiplinave, të seminareve dhe çdo aktiviteti tjetër formues, shoqëruar me numrin e krediteve dhe orëve përkatëse, si dhe kërkesat për frekuentimin dhe verifikim të dijeve.

Kriteret e pranimit

Udhëzimi përcakton se pranimi i kandidatëve në programet e studimit të doktoratës do të bazohet në numrin e kuotave të miratuara nga qeveria. Për t’u pranuar në një program studimi të doktoratës, kandidati duhet të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë, DND, një diplomë të integruar të nivelit të dytë, DIND, dhe çdo diplomë tjetër të vlerësuar të njëvlershme me to në fushën e programit të doktoratës apo në një fushë të përafërt të përcaktuar më parë në rregulloren e programit përkatës të doktoratës. Gjithashtu kanë të drejtë të pranohen në programe të doktoratës edhe ata kandidatë që kanë një diplomë apo certifikatë të kualifikimeve të ciklit të tretë të studimeve. Departamentet përgjegjëse të universiteteve përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve, pasi marrin paraprakisht mendimin e këshillit të profesorëve dhe i bëjnë ato publike paraprakisht, ku dhe organizojnë edhe procesin e pranimit e regjistrimit të kandidatëve në çdo program përkatës studimi doktorate. Me caktimin e kuotave nga Këshilli i Ministrave për një program studimi doktorate, institucioni i arsimit të lartë përgjegjës shpall menjëherë hapjen e procedurës së pranimit të kërkesave për një periudhë 2-javore, pasi merr paraprakisht mendimin e njësisë kryesore përgjegjëse për organizimin e këtij programi studimi.

Përzgjedhja

Përzgjedhja e kandidatëve bëhet nga këshilli i profesorëve që janë pranë çdo universiteti për çdo program pranimi. Aplikimi bëhet nëpërmjet një konkurrimi me dosje, ku kandidatët nga personeli akademik të punësuar me kohë të plotë në institucionet e arsimit të lartë kanë përparësi. Këshilli i profesorëve të njësisë kryesore përgjegjëse për programin e doktoratës ngre komisione ad hoc me anëtarë të tij sipas fushës përkatëse të çdo programi doktorate për përzgjedhjen e kandidatëve fitues në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht më parë. Kryetari i çdo komisioni të tillë është dekani. Një javë pas mbylljes së aplikimeve komisionet ad hoc paraqesin listat e kandidatëve fitues në këshillin e profesorëve të njësisë kryesore. Listat e kandidatëve fitues miratohen nga këshilli i profesorëve dhe shpallen nga dekani jo më vonë se 2 javë nga mbyllja e aplikimeve. Dekani i njësisë kryesore përcakton afatet e ankimimit të kandidatëve të shpallur jofitues. Këshilli i profesorëve shqyrton çdo ankimim dhe shprehet me vendim. Vendimi i tij është përfundimtar. Kandidatët fitues regjistrohen në sekretarinë e njësisë kryesore përgjegjëse për programin përkatës të doktoratës për një periudhë njëjavore të përcaktuar nga dekani i njësisë kryesore. Kandidatët fitues duhet të paguajnë një tarifë prej 5000 lekë për regjistrim në programin e studimit të doktoratës ku janë shpallur fitues.

Dosja e konkurrimit

Kandidatët aplikojnë për t’u regjistruar në një program studimi doktorate me dosje individuale, e cila duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

a) Kërkesa e kandidatit drejtuar këshillit të profesorëve të njësisë kryesore përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e doktoratës.

b) CV-ja personale dhe bibliografi të punimeve shkencore, të cilat duhet të jenë të dokumentuara, nëse kandidati ka të tilla.

c) Kopje të noterizuar të diplomës së nivelit të dytë (DND) apo të diplomës së integruar të nivelit të dytë, apo të një diplome tjetër studimi ekuivalente me to, shoqëruar me listën e notave apo suplementin e diplomës. Diploma e huaj shoqërohet me vërtetimin e njohjes nga Ministria e Arsimit.

d) Kopje të noterizuar të diplomave apo certifikatave të kualifikimeve të ciklit të tretë apo të një diplome ose certifikate ekuivalente me to, shoqëruar me listën e notave apo suplementin e diplomës, nëse kandidati disponon një të tillë.

e) Vërtetim për vazhdimin e programeve të studimit të specializimit, së bashku me listën e notave të fituara deri në atë moment, nëse kandidati është duke ndjekur një program të tillë.

f) Fotokopje të noterizuar të kartës së identitetit/pasaportës.

g) Dy fotografi.

h) Dy rekomandime nga persona me titull akademik.

i) Një deklaratë që pranon të shlyejë të gjitha detyrimet financiare lidhur me koston e këtyre studimeve, sipas përcaktimeve të bëra nga vetë institucioni.

j) Dëshmi të gjuhës/gjuhëve të huaja (fotokopje të noterizuar).

k) Vërtetim nga qendra e punës, nëse është i punësuar.

l) Mandat për tarifën e aplikimit për konkurrim prej 2000 lekë.

Kriteret për studentët që kanë mbaruar ciklin e tretë

Studentët e regjistruar që kanë përfunduar ose vijojnë programe studimi të ciklit të tretë nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kreditet e studimeve të organizuara teorike, pjesë e programit të studimit të doktoraturës, vetëm nëse programi i studimit që ata kanë përfunduar apo vijojnë ka formim teorik të njëjtë ose të afërt me atë të programit të doktoratës. Sipas legjislacionit në fuqi, këshilli i profesorëve ngre komisionet e drejtuara nga koordinatori i programit të doktoratës për njohjen dhe transferimin e krediteve të fituara nga studentët e regjistruar, të cilët kanë përfunduar ose vijojnë një program studimi të ciklit të tretë, në varësi të përputhshmërisë së tyre me programin e studimit të doktoratës ku ai është regjistruar. Për çdo student të tillë përcaktohen veprimtaritë formuese, modulet lëndore dhe kreditet përkatëse, të cilat ai është i detyruar t’i fitojë nga plani i studimeve të organizuara të programit të studimit përkatës të doktoratës. Ndërkohë dosja individuale me dokumentet e aplikantëve që pas verifikimeve do të shpallen jofitues, do t’u kthehet kundrejt kërkesës në dorë ose me postë.

Tarifa e shkollimit për programet e doktoraturës

Përveç tarifës së aplikimit mbi kuotat e miratuara për programet e doktoraturës kandidatët që do të përzgjidhen fitues do të paguajnë tarifën e studimeve, e cila përcaktohet në varësi të llojit të programit. Kjo pagesë është e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ku brenda vlerës së përcaktuar paraqet vlerën për pjesën e studimeve të organizuara, e cila ndahet për çdo modul lëndor në varësi të krediteve që i takojnë atij, si dhe vlerën për pjesën e studimeve për periudhën që përmbledh kërkimin shkencor dhe përgatitjen e disertacionit deri në marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”. Ndërkohë që tarifa e shkollimit paguhet nga studenti në këste të përcaktuara nga njësia kryesore e institucionit të arsimit të lartë përgjegjës për organizimin e doktoratës. Kësti i parë paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit dhe është sa vlera e tarifës për pjesën e studimeve të organizuara. Studentët që kanë transferuar kredite nga programe të tjera të ciklit të tretë paguajnë vlerën përkatëse sipas moduleve lëndore dhe krediteve që ata duhet të fitojnë në programin përkatës të doktoratës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›