E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktor perfekt

05-05-2013 / Nga Edison Ypi

Hëna e ngrënë si drapër është më e bukur se Hëna e plotë e rrumbullakët, por këtë nuk di askush ta shpjegojë. Po ashtu edhe fytyra plot me rrudha e një 90 vjeçari mund të jetë gjithaq e bukur sa edhe fytyra e lëmuar e një femre, e mund të lexosh të gjithë librat e botës për ndonjë përgjigje por do lodhesh kot. Mund t’i biesh kryq e tërthor Internetit për të kënaqur kureshtjen pse poezia pa rimë shpesh është më e bukur se ajo me rimë, por përgjigjen s’e gjen dot as në blogun e noc rrokut. Kaloje po deshe edhe të gjithë jetën duke medituar pse një natë me shi e bubullima është po aq e bukur sa një natë pranvere me yj, por do jetë e kotë. Si është e mundur që hojet e bletëve, kristalet e dëborës, gjethet e pemëve, guacka e kërmillit, janë aq simetrike sa i përket formës gjeometrike, për këtë do gjesh me miliona supozime prej të cilëve asnjëri nuk do jetë i vërtetë. Për tjetrën pyetje, se pse perimetri  rrethit është 3.14.... herë të paplota më i gjatë se diametri dhe jo, për shembull, 3 herë apo 4 herë të plota, gjithkënd që do pyesësh do të bëjë budalla. Mund të gjesh një numër përgjigjesh lidhur me pyetjen mundonjëse se pse pak fjalë Dashurie të pëshpëritura rrëzë veshit ekzaltojnë më tepër se një simfoni e tërë, por nuk do jenë përgjigje, do jenë fantazira poetësh. Sa për atë se pse Konfuci ka thënë; "Kudo që do të shkosh, më mirë mos u nis, se aty je", ose "Po të duash gjithçka, mos bëj asgjë", por nuk ka thënë kurrë; "Po pate uri, mos haj asgjë", për këtë, eh, mund ta gënjesh veten me ndonjë arsyetim banal aspak bindës tepër larg së vërtetës. Po qe se do kuturisësh të dish pse nuk ka ekran televizori apo kinemaja katror ose rrethor por vetëm drejtkëndor të shtrirë, për këtë, në vend të përgjigjes do marrësh të qeshura.
Nuk ka pyetje pa përgjigje. Pyetjet e mësipërme janë pyetje përgjigjet e të cilave ende nuk njihen.
Por kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë përpjekje për të dhënë ndonjë përgjigje, qoftë edhe të pjesshme.
Sa i përket pyetjeve të mësipërme, e para gjë aproksimative përmbledhëse që mund të jepet është se këto "çudira" janë pjesë e harmonisë së përgjithshme. Pra jane natyrale.
Ku qëndron çudia e natyrës, e laryshisë së Saj të pafundme?
Përgjigja e kësaj pyetjeje s’do mend që është tepër larg e lart një shkrimi gazete.
Megjithatë, dihet, është provuar, se harmonia e përgjithshme e Universit, nis me një kod elementar, fare të thjeshtë, që është një numër.
Po! Pikërisht me një numër, një numër irracional që quhet "Fi", ose "Φ". Ky numër është 1.618...
Përfytyro një segment, dhe diku brenda atij segmenti një pikë ndarëse që atë segment e ndan më dysh. Nëqoftëse ajo pikë e ndan atë segment në mënyrë të tillë që pjesëtimi i gjatësisë së krejt segmentit me pjesën më të gjatë është "Fi", pra 1.618..., atëhere ndarja që ajo pikë i bën atij segmenti quhet Ndarje e Artë. Për erudicion, numrin "Fi" e zbuloi Leonardo Fibonacci nga Pisa në shekullin e XII-XIII pas Krishtit.
Ka pafundësi shembujsh të Ndarjes së Artë ose Prerjes së Artë.
Hojet e bletës, guacka e kërmillit, konfiguracioni i fletës së pemës, floku i dëborës, fruti i pishës, forma dhe madhësia e brirëve të kafshëve, gjithçka, absolutisht gjithçka që është natyrore bart Prerje të Arta të pafundme.
Të gjitha harmonitë mahnitëse, proporcionet e përsosura, simetritë frymëndalëse, janë bashkësi Prerjesh të Arta.
Po ashtu, gjithçka artificiale e bukur dhe utilitare është bashkësi Prerjesh të Arta.
Në fakt, simetritë artistike dhe utilitare dalë nga dora njerëzore, më tepër se janë, tentojnë të jenë, të tilla. Kryeveprat e Artit dhe Shkencës, muzikës, letërsisë, pikturës, skulpturës, arkitekturës, janë të pavjetërueshme për syrin, veshin, dhe shqisat, pra të pavdekshme,  sepse kanë respektuar ligjësitë e natyrës. Dukuri superbe të Religjionit kanë gjithashtu brenda Prerje të Arta; Në atë pikë ku vija e hequr nga Poli i veriut në Polin e jugut e ndan distancën mes poleve me Prerje të Artë, aty ndodhet Meka.
Trupi i njeriut, gjymtyrët, koka, dhe gjithçka tjetër janë plot e përplot me Prerje të Arta.
Ky rregull kaq i thjeshtë qëndron në themel të harmonisë universale, jo vetëm gjeometrike, pra të formës, por të gjithçkaje.
Për të qënë më konkretë, të marrim disa pyetje të tjera, më afër, me më tepër interes se ato të kreut.
Pse ka aq shumë shqiptarë që e kanë aq qef të folurën e Doktorit ?!
Pse nuk lodhet Doktori dit’-për-dit nëpër takime, biseda, intervista, katunde, Taun Holle?!
Pse fol e fol, bërtit e bërtit, zhgarravit e zhgarravit, tërhiq e tërhiq, me vite e vite të tëra, me gjyshër e me gjyshe, me nipër e me mbesa, me mi e me mace si me rrepën e Abetares, e nuk e shkulin dot Doktorin?
Gjatë viteve, ndërkohë që këlyshët e kurvit janë lodhur të shkulin Doktorin si rrepën, unë, për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, kam bërë arsyetime të shumëllojshme, reflektime të thella dhe sidomos përllogaritje të shumta matematikore kompjuterike.
Për ta shprehur shkurt konkluzionin tim, sipas përllogaritjeve dhe vrojtimeve të mia, më ka dalë se Doktori del një fenomen natyror.
E provon këtë shqyrtimi i imët i një numri të pafundmë parametrash, disa prej të cilëve janë; Numri i germave të çdo fjale të shkruar ose shqiptuar nga Doktori gjatë disa viteve.
Krahasimi i numrit të germave, nga fjala në fjalë, nga paragrafi në paragraf, nga titulli në titull, duke konsideruar natyrën a fjalimit apo shkrimit, stinën, orën, motin, dhe hollësi të tjera.
Shqyrtimi rigoroz i numrit të rrokjeve, pauzave, kohëzgjatjes së çdo pauze.
Numri i fjalëve brenda një fjalie. Edhe ky i krahasuar.
Numri i shenjave të pikësimit, pikave, presjeve, pikëpyetjeve, pikëçuditëseve. Sigurisht edhe këto të krahasuara.
Numri i zanoreve dhe bashkëtingëlloreve për njësi të tekstit. Parametër tepër i rëndësishëm ky që lidhet me të qenët e secilit tekst "solar" apo "i zymtë".
Nga këto dhe plot të tjera, kam provuar numerikisht dhe logjikisht se e folura dhe e shkruara e Doktorit, pra komunikimi i Tij, është i tëri i zhytur brenda një marrëdhënieje të shumëfishtë simetrike proporcionale, çimentoja e së cilës janë një numër i pafundëm Prerjesh të Arta. Me fjalë të tjera, e folura dhe e shkruara e Doktorit është, në fakt, një kryevepër grafologjie dhe fonike, shkurt muzikë.
Pas kësaj kuptohet lehtësisht pse shumica e shqiptarëve me veshë të rregullt Doktorin e kanë qef ta dëgjojnë dhe lexojnë, ndërsa pakica me veshë dhe sy jo-funksionues, këlyshët e kurvit, e folura e Doktorit i shqetëson, i tërbon, i frikson, i hallakat, i djeg, i shkrin, i lëngëzon, i derdh, i ngordh, i vdes, i varros.
Kam shqyrtuar gjithashtu, dhe një ditë do ta publikoj, sekretet e asaj që më tepër se çdo gjë tjetër mahnit këlyshët e kurvit, energjisë së Doktorit. Vajtjet, ardhjet, ndalesat, mjetet e ndryshme të udhëtimit, kohëzgjatjen e fjalimeve, kohëzgjatja e pushimeve, intensitetin e përgjigjeve, numrin e argumenteve, të cilat, edhe ato, ndodhen në një marrëdhënie të ngushtë me Prerjet e Arta dhe numrin “Fi”.
Mes hulumtimeve të mia, nga më interesantet, janë edhe ato për numrin e adhuruesve të Doktorit, si dhe të kundërshtarëve të Tij, numrin e hamendësuar të kamikazëve apo atyre që e duan aq tepër sa për Doktorin japin jetën, numrin e atyre që në kohë të ndryshme janë afruar apo larguar, të trimave, besnikëve, të të paepurve,  të frikacakëve, të servilëve, marrëdhënien midis të gjithë këtyre, por s’po zgjatem.
Pamundësia e shkuljes së Doktorit, shqyrtuar në lidhje me cilët janë, sa janë, sa takat kanë ata që duan ta shkulin, edhe ajo është një marrëdhënieje ku sundojnë "Fi" dhe Prerjet e Arta.
Nuk shkulet e nuk do shkulet Doktori.
Sepse ata që duan ta shkulin Doktorin, këlyshët e kurvit, janë artificialë.
Ndërsa Doktori, në çdo pikëpamje, në çdo nivel, në çdo hollësi, në çdo detaj, është logjik, është numerik, është matematik, është gjeometrik, është simetrik, është proporcional, që domethënë se Doktori është natyror. Dhe si i natyror, i pamposhtshëm. Dhe si i pamposhtshëm, i përsosur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›