Doktorata në Infermieri, miratohen kuotat dhe tarifat e studimit
TIRANË - Qeveria vendosi hapjen e studimeve të ciklit të doktoraturës në Fakultetin e Infermierisë dhe miratoi 80 kuota në të dyja degët. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u përcaktuan edhe tarifat për personat që do të vazhdojnë studimet si dhe shpërndarja e numrit të të drejtave të studimit. Çdo aplikant do të duhet të paguajë 200 mijë lekë çdo vit. Për herë të parë në Fakultetin e Infermierisë do të fillojë këtë vit stadi i tretë i studimeve, i cili përfundon me dhënien e titullit “Doktor”.
Vendimi
Këshilli i Ministrave vendosi dje hapjen e Fakultetit të Infermierisë në Universitetin e Tiranës, në programet e studimeve të ciklit të tretë, të doktoratës, si më poshtë vijon: a) Doktoratë në “Lëndët Klinike”, në përfundim të të cilit lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Lëndët Klinike”; b) Doktoratë në “Lëndët Paraklinike”, në përfundim të të cilit lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Lëndët Paraklinike”.
Sipas vendimit të miratuar ditën e premte, “këto programe studimi e fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010 – 2011”. Kohëzgjatja e këtyre programeve të studimeve të doktoratës është, të paktën 3 (tre) vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara.
Kuotat dhe tarifat
Për vitin akademik 2010-2011 janë miratuar 80 të drejta studimi, të cilat janë të ndara si më poshtë: Doktoratë në “Lëndët Klinike", 40 kuota dhe doktoratë në “Lëndët Paraklinike" me 40 kuota. Sipas vendimit të qeverisë, në kuotën e mësipërme caktohet 10% për studentët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Duke iu referuar burimeve zyrtare, kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Infermierisë, i Universitetit të Tiranës”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Kostoja për hapjen e ciklit të studimeve do të përballohet nga buxheti i Universitetit të Tiranës, pa efekte buxhetore shtesë.
TË DHËNA
Doktoratë në “Lëndët Klinike" - 40 kuota
Doktoratë në “Lëndët Paraklinike" - 40 kuota
Doktoratë për studentët e trojeve - 10%
Shuma që duhet paguar çdo vit – 200 mijë lekë
Box 1
Ndërtesa e Departamentit të Detarisë i kalon në pronësi MASH-it
Objekti që ka qenë në përdorimin e Departamentit të Detarisë ka kaluar në pronësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, sipas së cilës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave, vendosi “kalimin në përdorim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për Universitetin ‘Ismail Qemali’, të objektit Departamenti i Detarisë, pjesë e pronës nr.904, me emërtesë ‘Akademia e Detarisë’, në Vlorë, për zhvillimin e programit mësimor, deri më datën 30.9.2017”. Sipas vendimit, “Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Universitetit ‘Ismail Qemali’ Vlorë, i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në këtë vendim, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve”.
Qeveria licencon shkollë private parauniversitare
Numrit të shkollave private të sistemit parauniversitar i shtohet edhe një shkollë tjetër. Vendimi është marrë dje nga qeveria, sipas së cilës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i është dhënë leje për hapjen, në qytetin e Tiranës, të institucionit arsimor privat, parauniversitar, shkollë 9-vjeçare, “Akademia Botërore e Tiranës” (//Ëorld Academy of Tirana), që do ta zhvillojë mësimin edhe në gjuhën angleze. Qeveria ngarkon MASH-in që të ndjekë zbatimin e dispozitave, ligjore e nënligjore, për arsimimin, edukimin dhe formimin në këtë institucion.
Drafti, miratohet hapja e Teatrit të Komedisë dhe Cirkut Kombëtar
Teatri Kombëtar do të ndahet dhe shumë shpejt pritet të krijohet Teatri i Komedisë. Një ndryshim i tillë është parashikuar në projektligjin e ri që u miratua dje nga Këshilli i Ministrave. Në këtë draft qeveria parashikon edhe krijimin e Cirkut Kombëtar. Burimet zyrtare të qeverisë bëjnë të ditur se ditën e premte u miratua projektligji i ri për artin dhe kulturën. “Ky projektligj, për herë të parë, trajton të gjitha gjinitë e artit. Deri tani ka pasur një ligj për artin skenik, i cili trajtonte vetëm artin dramatik dhe muzikën, ndërsa në projektligjin e ri futen edhe libri dhe artet pamore, duke mbyllur të gjithë spektrin e gjinive të artit”, - thuhet në njoftimin e qeverisë. Sipas tij, “projektligji, në nenin 5 të tij, mundëson ngritjen e dy institucioneve të reja, Teatrit Kombëtar të Komedisë dhe të Cirkut Kombëtar, premtime këto që kryeministri Berisha i ka bërë në takimet me artistët. Gjithashtu, me projektligjin e ri do të fillojë të funksionojë edhe Qendra Kombëtare e Artit. Te kjo qendër, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve delegon të gjithë projektin e fondeve artistike, që me hyrjen në fuqi të ligjit nuk do të bëhen më nga ministria, por nga ky institucion i ri. Projektligji, gjithashtu, do të mundësojë që nga granti për kulturën, që qeverisja qendrore delegon tek qeveritë lokale, një pjesë e këtij fondi do të lihet në dispozicion për funksionimin e teatrove të rretheve, të cilët po mbijetojnë më shumë vështirësi.
14 Gusht 2010