Turizmi shqiptar në syrin e të huajve
“Shqiptarët janë ndoshta raca më e lashtë në Europën Juglindore. Besohet se ata janë pasardhës të emigrantëve të hershëm arianë, ku përfshihen ilirët, maqedonasit dhe epirotasit”. Kështu shkruhet në pjesën ku flitet për historinë e Shqipërisë, në një faqe interneti, ku ofrohen këshilla e guida për vende të ndryshme të botës (tripadvisor.com), e ku gjenden më shumë se 35 milionë sugjerime e opinione mbi turizmin. Mjaftosh të bësh një kërkim të vogël me emrin “Albania” dhe menjëherë të shfaqen informacionet mbi destinacionet kryesore, akomodimet, tërheqjet, forumet, opinionet.
Për më shumë se dy muaj, “Monitor” ka monitoruar këtë faqe për të kuptuar se cilat janë opinionet që turistë të ndryshëm japin për njëri-tjetrin gjatë kohës që shfaqin interes dhe kërkojnë ndihmë për të vizituar Shqipërinë. Në të mund të gjenden opinione që nga viti 2004 apo edhe më herët. I gjen të dyja anët e medaljes, bardh e zi. Nga ata njerëz që e rekomandojnë duke shtuar se u dashuruan me këtë vend të vogël, nga ata që kanë përjetuar eksperienca të mira apo edhe nga ata që shprehen se mund të kishte shkuar edhe më mirë. Fatmirësisht mbizotërojnë opinione dhe sugjerime që janë sa realiste e po aq optimiste.
Dunno është një amerikan, një nga shkruesit e shumtë mbi vendin tonë në këtë faqe. “Nëse dikush nga ju do të shkojë në Shqipëri ndonjë ditë, do të kuptojë se është si të shkosh në çdo vend tjetër të botës (me veçantitë e tij). Do t’ju pëlqejë dhe do të përshtateni lehtë, por ju duhet informacioni dhe njerëzit e duhur për të shkuar atje. Njerëzit janë të sjellshëm. Mund të gjesh vende të lira dhe të kalosh pushime të këndshme. Çdo gjë është në rregull. Ju rekomandoj veçanërisht Jugun e Shqipërisë. Bëfshi qejf”. Kështu e përshkruan ai vendin tonë.
Gati të gjithë e vlerësojnë si një destinacion turistik i pacenuar, me një histori tërheqëse dhe kulturë të pasur. Në këtë faqe jepen edhe udhëzime utilitare. Për transportin thuhet se Shqipëria mund të arrihet me rrugë ajrore dhe aeroporti është 15 minuta larg Tiranës, kryeqytetit në të cilin mund të mbërrish me taksi ose me autobus, si një zgjidhje më pak e kushtueshme. Nuk është e mundur që të mbërrish në Shqipëri me tren, thuhet në këtë faqe, por mund të përdoren mjete si autobusi, makina apo me anije. Destinacioni më i rekomanduar për të udhëtuar drejt Shqipërisë me anije është Korfuzi.
Paraqitet si një vend që ka një bregdet të mrekullueshëm, por edhe male. Mali i Dajtit, thuhet në faqen prezantuese për vendin tonë, ofron një pamje spektakolare të Tiranës. Në Butrint, që është edhe një pasuri botërore, ka shumë gjëra që ia vlen t’i eksplorosh. Kështjella e Petrelës dhe kalaja e Skënderbeut janë atraksione popullore. Të vizitosh kafenetë është një përvojë që ia vlen, po kështu jeta e natës ofron shumë argëtim në bare e klabe. Parku i madh i Tiranës është një vend i mirë për ekskursion. Si argëtim sportiv përmendet peshkimi dhe bowling, ndërsa në qytetet e mëdha gjen teatër, performanca muzikore e kinema. Vlerësohet si një vend me 300 ditë të vitit me diell, ndërsa si periudhë më e mirë për t’u vizituar rekomandohet pranvera dhe vjeshta. Për Shqipwrinw, në këtë guidë virtuale, thuhet se ka shumë për të ofruar, përmenden si vende të përshtatshme Tirana e Kruja, që ofrojnë punime të veçanta artizanale.
Të njohësh të veçantën
Një pjesë e mirë e të huajve që shkruajnë për Shqipërinë janë të rinj që kërkojnë ta vizitojnë për herë të parë. Joanna, një prej tyre, shkruan se po mendon të bëjë një udhëtim në Shqipëri e për këtë ka blerë guidën e Ballkanit Perëndimor, të hartuar nga “Lonely Planet”, një nga agjencitë më të mëdha në botë për turizmin. Ajo pyet për të qenë e sigurt nëse duhet ta ndërmarrë këtë udhëtim, pasi ka lexuar se afër plazheve e hoteleve ka mbeturina. Një eksperiencë jo fort të këndshme e ka kaluar edhe në Santorini. Në përgjigjet që merr nga shkëmbimet e mesazheve aprovohet kjo gjë, por i thuhet se “Shqipëria është Shqipëri”, me njerëz të dashur dhe me një jetesë të lirë. Dikush i shkruan: “Do të duhet kohë që Shqipëria të arrijë standardet e Europës Perëndimore. Për një vend që ka kaluar 50 vjet një regjim të egër komunist është e natyrshme që të ofrojë standarde jo shumë të larta. Në 10 vitet e ardhshme, Shqipëria do të ketë një industri të fuqishme turistike, me klimën e shkëlqyer, plazhet me rërë dhe malet në veri”.
Nigel është një tjetër i ri që dëshiron të vizitojë Shqipërinë dhe kërkon që t’i sugjerojnë një vend të këndshëm për të qëndruar. Ai thekson se i pëlqejnë fshatrat e vegjël e të bukur, vende ku nuk ka pallate të larta e zona ku mund të organizohen ecje piktoreske. Ajo që i sugjerohet është fakti se në Shqipëri mund të gjesh fare mirë vendet që ai përshkruan, kryesisht në Veri. I propozohet Thethi, si destinacion, ku mund të qëndrojë në shtëpi tradicionale fshati e ku mund të përjetojë mikpritjen e ngrohtë dhe kulturën shqiptare. Kjo zonë i sugjerohet si shumë e mirë për sporte si ecja, ngjitja, ndërsa panorama është mbresëlënëse. Informacionin më të detajuar mund ta marrë në faqen e internetit: “http://shkoder-albanian-alps.com" Shkoder-albanian-alps.com e thethi-guide.com
Për të marrë më shumë informacione mbi Shqipërinë, sugjerohen të lexohen guida si “Bradt Travel Guide to Albania” (nga Gillian Glover). Do të gjeni edhe informacione të çuditshme e që për veshët e ne shqiptarëve tingëllojnë disi absurde.
Siç është rasti i Anës, një vajzë nga Greqia, që nuk ngurron edhe ajo të japë sugjerimet e saj për zotin Walker, që kërkon këshilla për vendet më interesante për t’u vizituar.
“Nëse keni vendosur të vizitoni Shqipërinë, mund t’ju bëj disa sugjerime. Duhet të vizitoni fshatin e bukur të Himarës, ku gërshetohen malet me plazhet e bukura të detit Jon. Është një fshat që ka një popullsi rreth 1,500 banorë, por që gjatë sezonit të verës mund të presë më shumë se 20,000 vizitorë. Ka shumë gjëra që mund të bëni, ka jetë nate, restorante, bare, kafene tradicionale. Ushqimi është i mrekullueshëm, pasi fshatarët rrisin produkte, që nga perimet e stinës e deri tek mishi e peshku i freskët. Kuzhina ngjason me atë greke, kryesisht pasi njerëzit janë rritur me kulturën e traditën greke. Ka vetëm një hotel me katër yje, ndërsa pjesa më e madhe janë shtëpi fshati. Nëse vendos të vizitosh Himarën, mos u habit nga gjuha që përdorin që është greqisht (gjuha e nënës) dhe nuk flasin anglisht, të rinjtë mund të komunikojnë. Nuk do të zhgënjeheni”.
Kujdes me rrugët, shqiptarët nuk janë shoferë të mirë
Një nga këshillat kryesore për të gjithë ata që marrin përsipër që të vizitojnë këtë faqe e që për herë të parë kanë Shqipërinë si destinacion është të ecurit me kujdes në rrugë, nëse udhëtohet me makinën personale. Kjo jo vetëm për shkak të infrastrukturës, mungesës së shenjave rrugore, por edhe për faktin se shqiptarët vlerësohen si drejtues të dobët të makinave. Dikush ndan eksperiencën e kaluar, një vit më parë, teksa udhëtonte nga Suedia për në Shqipëri, me makinën personale, duke ndjekur një itinerar që përfshinte edhe Maqedoninë, Serbinë, Hungarinë. Kujdes, kur të udhëtoni nga Tirana në Elbasan, shkruan ai, duke sugjeruar që më mirë të ndiqet bypass-i që të lidh me itinerarin Tiranë-Kavajë-Elbasan e që të çon në kufirin maqedonas.
“Nëse ndiqni këtë rrugë, tregohuni të kujdesshëm, pasi nuk ka shenja rrugore dhe mund të ngatërroheni me një rrugë që të çon në Rrogozhinë. Edhe pse kisha Shqipërinë në hartat GPS (segmentet kryesore), ishte vendi që GPS-i u hutua, ndaj m'u desh të ndaloja e të pyesja njerëzit. U ndala nga policia afër Përrenjasit edhe pse isha me shpejtësi 20 kilometër, ndaj bëni kujdes. Edhe diçka, shqiptarët nuk dinë ta drejtojnë mirë makinën, nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”.
Dikush tjetër kërkon sugjerime, pasi dëshiron që të ndërmarrë një tur në Jug të Shqipërisë, duke planifikuar mbërritjen në Sarandë nga Korfuzi me traget.
I ofrohet një informacion i detajuar nga dikush që e ka provuar më parë këtë udhëtim.
“E kam bërë edhe unë një udhëtim të tillë. Mora një makinë me qira në Sarandë, nga një kompani lokale, që e prenotova online. Ishte një makinë me një çmim të leverdisshëm. Rrugët janë në gjendje të mirë. Rruga bregdetare nga Saranda në Vlorë është e re, pak e ngushtë veçanërisht pas Qafës së Llogorasë. Udhëtimi zgjat 3 deri në 4 orë. Ka një zgjatim, të një rruge të re mes Vlorës dhe Elbasanit, është tamam në të dalë të Vlorës, në drejtim me Fierin, gjë që na mori disa orë. Ju rekomandoj ta shmangni këtë rrugë nëse është e mundur, pasi ka edhe shumë trafik.
Rruga nga Saranda për në Butrint nuk është gjithashtu e mirë. Është e ngushtë dhe me pengesa, por distanca nuk është e gjatë, ndaj mund të menaxhohet. Nëse planifikoni të bëni një udhëtim të gjatë, atëherë rruga nga Elbasani në Pogradec është shumë piktoreske, por jo aq e mirë sa ajo e bregdetit”.
Ushqimi dhe jeta e natës, e mirë
Pjesa më e madhe sugjerohet që të vizitojnë e të akomodohen në Jug të Shqipërisë, si në Vlorë, Sarandë apo edhe në Himarë e Dhërmi. Në përgjithësi hotelet konsiderohen me kushte të mira, të pastra, por ka edhe nga ata që i gjejnë jashtë çdo standardi.
Vlora
Dikush nga Amsterdami shkruan se e ka vizituar Shqipërinë disa herë dhe se i ka pëlqyer më shumë Vlora se Tirana. “U akomodova në një hotel cilësor, ku çmimi ishte 60 euro. Nata ishte fantastike në dhomë. Kishte xhakuzi, ndërsa ballkoni ishte me pamje nga deti e krevati ishte i rehatshëm. Ushqimi ishte i mirë e mëngjesi i bollshëm”, shkruan ai.
Një tjetër jep një mendim krejt të kundërt. Ai shkruan se është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, dhomat në hotelet në Vlorë janë të vogla, me krevate jo komode, me shumë pak pajisje, por ngjitur me detin. “Në hotelin ku qëndroja u largua energjia elektrike dhe ndaj nuk kishte ujë të ngrohtë”, shkruan ai. Për plazhet, thotë se janë të zhurmshëm e të mbushur plot, por janë të pastër, gjë që e vlerëson si shumë të rëndësishme. “Disa janë me rërë, disa me shkëmbinj e disa të kombinuar. Uji është i pastër. Jeta e natës është e këndshme, po kështu dhe restorantet. Shumica kanë natyrë familjare. Trafiku është i rënduar dhe duhet 30 deri në 45 minuta të shkosh nga hoteli në qendër, për një distancë jo më të madhe se dy kilometër.
Një i ri nga Izraeli, në komentet e tij e vlerëson Vlorën si një nga qytetet më potenciale. Një vend ku gjenden njerëz miqësorë, ku ka një pamje të mrekullueshme ku kombinohet mali me detin, ku mund të gjenden vende arkeologjike tërheqëse. Dikush tjetër nga Irlanda shkruan se është një nga qytetet më të bukur në Shqipëri. Me ujë shumë të mirë për të notuar dhe mjaft i sigurt.
Saranda
Një tjetër destinacion i preferuar dhe i këshilluar, jo vetëm se është lehtësisht i arritshëm nga Korfuzi (udhëtimi është i lirë), por edhe sepse ofron një sërë mundësish, si detin ashtu edhe kulturën e arkeologjinë. Dikush nga Ankona e Italisë shkruan se ka qëndruar në këtë qytet për rreth një javë. Hoteli ku qëndroi ishte me pesë yje dhe shërbimi shumë cilësor, por çmimet i vlerëson të larta në këto lloj hotelesh, ku dy kafe turke kushtonin 8 euro. “Përpos kësaj nuk mund të ankohesh për asgjë. Dhomat ishin të shkëlqyera, stafi të ndihmonte, ushqimi i mirë dhe vera po kështu”.
Himara vlerësohet si një vend që i ka të gjitha çfarë duhet për një pushim të këndshëm. Një grup të rinjsh nga Lubjana shkruajnë se në këtë vend të vogël mund të gjesh plazhe me rërë të pastër, por edhe me gurë. Dhomat e hoteleve janë gjithmonë të zëna dhe shumë janë ndërtime të reja. “Mund të kënaqeni duke organizuar një udhëtim gjatë mbrëmjes nga Spille në Potam, ku distanca është një kilometër. Himara është një qytet që ka hyrje, stacion policie, spital lokal, disa banka, kafene, shumë bare, restorante dhe diskoteka.
Gjirokastra
Është një vend që tërheq më shumë vëmendjen e atyre që janë të pasionuar pas kulturës dhe traditës. Dikush nga Oslo i Norvegjisë shkruan se është një qytet madhështor, ku mund të shijohet çdo minutë qëndrimi. Në komentin e saj, një zonjë rreth të 50-ave shkruan: “Është një qytet ku mund të gjesh ushqim, shërbim, atmosferë, pamje shumë të mirë. Njerëzit janë të mirë, interesantë, madje shumë e këndshme ishte edhe macja në shtëpinë ku qëndruam”.
Një vizitor nga Londra shkruan për Gjirokastrën se nuk duhet të shmanget si destinacion, pasi ofron mundësinë për t’u njohur me stilin otoman të ndërtimit.
“Gjatë qëndrimit shijuam si pjesën moderne, edhe atë antike, por pa dyshim që pjesa e vjetër kishte shumë sharm. Duhet të vizitoni pjesët muzeore dhe kështjellën. Ka shumë gjëra për të vizituar, si muzetë, shtëpitë karakteristike, ku më e veçanta është ajo që njihet si Zekatët”.
Tirana, në fundjavë
Tirana është destinacioni më i larmishëm që rekomandohet për të kaluar fundjavën e veçanërisht ditën e diel. Bëhet fjalë për sugjerime që kërkohen për vizita të shkurtra, që mund të jenë më shumë për arsye pune.
Anette është një prej tyre. Asaj i sugjerohet që udhëtimin nëpër kryeqytet ta nisë nga sheshi kryesor, ku gjendet Xhamia e Vjetër, Teatri i Operës, Muzeu Kombëtar dhe ndërtesat e ministrive me stil italian. “Nëse dëshiron që të kalosh nga rrugë që nuk janë shumë të frekuentuara nga turistët, atëherë eksploro zonën mes sheshit 'Avni Rustemi' dhe bulevardit kryesor. Pasi lë Hotel Tiranën, zona është në të majtë. Ec përballë me Teatrin e Operës dhe merr rrugën majtas me xhaminë. Ndiq rrugën në lindje përgjatë dy blloqeve pallatesh. Do të gjesh një treg të mirë. E gjithë zona është e ndërtuar me stil otoman. Ka shumë pluhur dhe ndërtime të reja, por mund të gjesh disa shtëpi të vjetra shumë interesante. Darkën mund ta hash në restorant “Daja”, ku gjen mish në grillë, qengj në hell, verë. Nëse kërkon një stil disi më ndryshe mund të shkosh te restorant 'Korça', pas Stadiumit Dinamo, ku gatuhet pulë e pjekur, qafë derri. Tek e fundit mund të pyesësh në qytet dhe të zbulosh gjëra interesante. Mos ki frikë, pasi njerëzit janë shumë miqësorë”, i shkruan dikush. Ka edhe sugjerime të tjera që vijnë për restorante disi më luksoze e që kanë edhe tradicionalen të gërshetuar në të. Dikush i lutet që të mos largohet nga Tirana pa provuar ëmbëlsirën që quhet “treleçe”. Ka edhe nga ata që sugjerojnë zonën që njihet si “Shkolla e Kuqe”, që ka një stil të veçantë ndërtimi.
Durrës- Kukës, rrit numrin e turistëve
Për qeverinë, turizmi duket se ka tejkaluar parashikimet. Kreu i saj, deklaroi se numri i turistëve këtë vit është rritur me rreth 26% dhe vetëm në periudhën 1 qershor - 31 korrik, kanë hyrë në Shqipëri rreth 1.4 milion turistë. Duke folur në mbledhjen e qeverisë për ecurinë e sezonit turistik, kryeministri Berisha tha se numri do të jetë më i lartë se një vit më parë. “Këtë vit, rritja është tërësisht e bazuar tek qytetarë jo shtetas shqiptarë. Turizmi po shndërrohet gjithnjë e më shumë ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare, kur vetëm në dy vjet është rritur me 60%”, tha kryeministri. Sipas tij faktor kryesor për këtë rritje është ndërtimi i rrugës Durrës-Morinë.
Kryeministri iu kërkoi biznesmenëve në zonat turistike që të bëjnë kujdes me pragun e zhurmës së lejueshme, sipas ligjit dhe respektimin e orareve. Duke iu kërkuar inspektorëve që gjatë kontrolleve t’i faktojnë biznesit se sa decibel e kanë tejkaluar zhurmën dhe se kjo në ligjin shqiptar, që është strikt europian, përbën shkelje ligji.
Ndërsa duke iu referuar statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, për dy muajt qershor-korrik kanë dalë për të kaluar pushimet jashtë Shqipërisë 73,393 shqiptarë më shumë se në vitin 2009. Burimet zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë shprehur se janë marrë të gjitha masat, duke nisur që nga shtimi i sporteleve, tek zgjatja e orareve të punës, për të përballuar çdo fluks të mundshëm të kalimeve në pikat e kufirit.
Marrë nga revista Monitor
Somariot
Dunno është një amerikan, një nga shkruesit e shumtë mbi vendin tonë në këtë faqe. “Nëse dikush nga ju do të shkojë në Shqipëri ndonjë ditë, do të kuptojë se është si të shkosh në çdo vend tjetër të botës (me veçantitë e tij). Do t’ju pëlqejë dhe do të përshtateni lehtë, por ju duhet informacioni dhe njerëzit e duhur për të shkuar atje...
Joanna, një prej tyre, shkruan se po mendon të bëjë një udhëtim në Shqipëri e për këtë ka blerë guidën e Ballkanit Perëndimor, të hartuar nga “Lonely Planet”, një nga agjencitë më të mëdha në botë për turizmin. Ajo pyet për të qenë e sigurt nëse duhet ta ndërmarrë këtë udhëtim, pasi ka lexuar se afër plazheve e hoteleve ka mbeturina
14 Gusht 2010