E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi kthen në Kuvend ligjin e pronave: “Ndryshimet janë antikushtetuese”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka rikthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin e pronave, të miratuar vetëm me votat e maxhorancës. Ndryshimet në ligj, të hartuara nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, u kundërshtuan ashpër nga përfaqësuesit e opozitës, nga grupet e interesit, nga shoqatat e ish-pronarëve. Kreu i shtetit, nëpërmjet një sqarimi të detajuar ligjor, i kërkon Kuvendit ta rishqyrtojë dhe njëherë ligjin, pasi, sipas tij, ai bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vetëm pak kohë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndryshimet në ligjin e pronave, që i jepnin të drejtë AKKP-së të shqyrtonte titujt e pronësisë, të njëjta ndryshime që janë miratuar nga maxhoranca pak kohë më parë. Kjo vihet në dukje edhe nga kreu i shtetit, i cili thekson: “Rregullimet e bëra në ligjin e ardhur për shpallje janë, në thelb, të njëjta me ligjin e marrë në shqyrtim dhe të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e sipërcituar. Arsyetimi dhe vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese janë qartazi të referueshme për rregullimet e ligjit të ri. Vlerësoj se jo vetëm për shkak të mospërputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe sepse neni 132 i Kushtetutës ka përcaktuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare, ligji i ardhur për shpallje ka nevojë për rishikim”.
Argumentimi
Në argumentimin ligjor të kreut të shtetit, të bërë publik në faqen zyrtare në internet, shkruhet se presidenti Topi gjykon se ligji ka vend të rishikohet në lidhje me kushtetutshmërinë e tij. “E shqyrtova me vëmendje këtë ligj dhe jam i ndërgjegjshëm për problematikën, dimensionin dhe rëndësinë që ka ky ligj. Vlerësoj se e drejta e pronës dhe e gëzimit të saj është një nga kolonat bazë të funksionimit normal të një shoqërie demokratike dhe se garantimi i saj do të konsolidonte zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Por, me qëllim që zgjidhja e ofruar të jetë sa më pranë standardeve të të drejtave të njeriut dhe atyre kushtetuese, vendosa ta kthej ligjin edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, për shkakun se gjykoj se ka vend të rishikohet si përsa i përket kushtetutshmërisë së tij, por edhe për ta bërë atë efektiv dhe të zbatueshëm”, - është shprehur kreu i shtetit. Më tej ai vlerëson se rregullimi ligjor që propozohet bie ndesh me Kushtetutën e Republikës, dhe pikërisht me preambulën e saj dhe nenet 4, 41, 132 dhe 181. “Është detyrë e Kuvendit, sipas Kushtetutës, të nxjerrë ligje për rregullimin e drejtë të çështjes së pronës, të shpronësuar dhe konfiskuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Është parim kushtetues që neni 41 ka vënë lidhur me të drejtën e pronës private, e cila mbrohet prej Kushtetutës. Kushtetuta e detyron Kuvendin e Shqipërisë dhe më tej të gjitha strukturat e shtetit që të bëjnë rregullime ligjore për të garantuar të drejtën e pronës private dhe të bëjnë të mundur që pronarit të shpronësuar dhe të konfiskuar t’i kthehet prona plotësisht dhe në pamundësi të kompensohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë për pronën e tij. Gjithashtu, Kushtetuta ka përcaktuar se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë shtetërore, duke garantuar kështu një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës, atë të sigurisë juridike. Ndërsa ajo që propozohet me ligjin e ardhur për shpallje nuk është në përputhje me këtë vullnet kushtetues, por në kundërshtim me të”, - shkruhet në argumentimin ligjor të kreut të shtetit. Sipas presidentit Topi, “duke i dhënë mundësinë AKKP-së të rishikojë vendime të ish-komisioneve për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe për më tepër edhe t’i shfuqizojë ato, i heq pronarit mundësinë e të gëzuarit të pronës së tij i qetë dhe sigurt për një të drejtë të fituar në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore. Pra, rregullimi ligjor i propozuar cenon parimin e sigurisë juridike, parim ky i përshkruar në nenin 4 të Kushtetutës. Ky rregullim i ri ligjor, njëkohësisht, shkel detyrimin që shteti ynë ka në përputhje me nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, ku Shqipëria është përballur në një numër rastesh për respektimin e tyre, sipas së cilës, e drejta e pronës nënkupton jo vetëm njohjen dhe garantimin e saj, por edhe detyrimin e shtetit që në rast të pamundësisë së përmirësimit të standardit të mbrojtjes së pronës apo të drejtave të fituara, së paku, të ruajë standardin e krijuar dhe të ofrojë siguri për ruajtjen e tij”, - sqaron presidenti Topi. Më tej, në argumentimin e tij, Presidenti i është referuar vendimit të datës 25.05.2010 të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin parashikohet që procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të realizohet nga një institucion i pavarur dhe që nuk ka lidhje me Ekzekutivin. Ndërsa në ligjin e pronave parashikohet e kundërta, që AKKP-ja, që është agjenci në varësi të qeverisë, të shqyrtojë titujt e pronësisë. “Gjykata Kushtetuese është shprehur se ‘legjislatori e pajisi procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës me garanci, në mënyrë që të drejtat e shtetasve të kishin një mbrojtje maksimale. Procesi rregullohej nga një ent, i cili nuk ishte i përfshirë në piramidën e Ekzekutivit, por ishte i organizuar në qendër dhe në bazë, ndërsa drejtuesit e këtij institucioni emëroheshin direkt nga Kuvendi. Pikërisht kjo është dhe arsyeja se përse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen ‘Driza’ kundër Shqipërisë, i ka konsideruar KKKP-të organe të pavarura. Në këtë kuptim, zbatimi nga një organ administrativ si AKKP-ja i parimeve të revokimit dhe shfuqizimit të akteve të ish KKKP-ve, është i pabazuar. Drejtori i AKKP-së është një organ në varësi të Këshillit të Ministrave dhe në këtë kuptim, vendimi i marrë prej tij për të ndërhyrë në interesa civile të shtetasve, në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut është i pajustifikuar’”, - shkruhet në argumentimin ligjor të Presidencës.
Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese parashikohet: “E drejta e një personi për t’u njohur pronar i një sendi rregullohet nga Kodi Civil; si rrjedhim, Gjykata çmon se jemi jashtë fushës së veprimit të së drejtës publike, e cila rregullon veprimet e organeve shtetërore në mbrojtje të interesave publike. Në këto kushte, kur një person vinte në lëvizje me kërkesë KKKP-në, kjo kërkesë ishte e barasvlershme si të ishte bërë para gjykatës dhe vendimi i KKK-së ishte në gjendje që të krijonte te individi të njëjtën pritshmëri që krijon një vendim gjyqësor, i cili i njeh individit pronësinë mbi një send. Në këtë përfundim ka arritur edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen ‘Viasu’ kundër Rumanisë, ‘Ramadhi’ apo ‘Hamzaraj’ kundër Shqipërisë, duke barazuar vendimin e KKKP-së me një vendim gjyqësor, i cili krijon pritshmërinë e ligjshme të individit se ose do të vihet në posedim të pronës ose do të dëmshpërblehet”, - parashikohet në vendimin e Kushtetueses, me të cilin bie ndesh ligji i pronave.
Presidenti Topi, në argumentin e tij ligjor vazhdon t’i referohet sërish vendimit të kësaj gjykate, e cila ka konsideruar atë që cilësohet primare në Kushtetutë, parimin e sigurisë juridike. “Parimi i sigurisë juridike është një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës dhe ka si qëllim t’i garantojë shtetasit se një marrëdhënie juridike e përcaktuar nga një vendim i formës së prerë është e pandryshueshme”, - shkruhet në argumentimin ligjor. Gjykata u shpreh gjithashtu se “vendimet e AKKP-së për të shfuqizuar vendimet e KKKP-ve përbëjnë cenim të parimit të sigurisë juridike. Vendimi i KKKP-së, i cili nuk është ankimuar brenda afateve ligjore, merr formën e prerë. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen ‘Ramadhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë’, duke cilësuar vendimet e paankimuara të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si ‘të formës së prerë dhe të ekzekutueshme’”.

Ndryshimet në ligjin e pronave, si preken pronarët e ligjshëm

Në mbyllje të legjislaturës parlamentare deputetët e PD-së miratuan në seancë parlamentare ndryshimet e hartuara nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, për ligjin e pronave. Ndryshimet në këtë ligj parashikojnë që personat që kanë konflikte pronash mund t’i drejtohen Agjencisë së Pronave për zgjidhjen e tyre dhe jo gjykatave. AKKP-ja, sipas këtij ligji, mund të shqyrtojë vetëm ato vendime, për të cilat nuk ka një vendim të prerë gjykate dhe që nuk janë në proces shqyrtimi nga gjykata. Projektligji i jep të drejtën AKKP-së që të heqë titujt e pronësisë që janë fituar me ligj. Kjo pritet të hapë një vatër tjetër konflikti pronësie, për shkak se shumë pronarëve mund t’u hiqet e drejta e pronësisë pa një vendim gjykate, vetëm nëpërmjet vendimit të AKKP-së. “Nëse nuk ekzistojnë kushtet e mospranimit të kërkesës për rishikim të parashikuar në nenin 16/5, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, me vendim të ndërmjetëm, vendos kalimin e çështjes për shqyrtim në themel. Në përfundim të shqyrtimit në themel të çështjes, drejtori i AKKP-së vendos: lënien në fuqi të vendimit; shfuqizimin e vendimit; shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Nëse gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishikim konstatohet se janë kushtet e nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit. Kur vendimi nuk ankimohet brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, ai përbën titull ekzekutiv dhe zyrat e shërbimit përmbarimor bëjnë ekzekutimin e vendimit sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile”, - parashikohet në nenin 2 të draftit të hartuar nga Alibeaj dhe që u kundërshtua nga PS-ja.

Shoqata e ish-Pronarëve, kundër ndryshimeve në ligjin e pronave

Drejtuesit e Shoqatës së ish-Pronarëve kanë bërë të ditur se këto ndryshime në ligj do të shtojnë numrin e pronarëve që do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Kjo gjykatë të gjitha vendimet i ka dhënë në favor të pronarëve të ligjshëm duke detyruar qeverinë shqiptare të paguaj shifra të mëdha parash. Për këtë qëllim qeveria i ka dërguar së fundi një letër gjykatës së Strasburgut në të cilin i kërkon të mos japë vendime për kompensim financiar të pronarëve, për shkak se nuk ka para për t’i dëmshpërblyer ato. “Për vitin 2009 Komisioni Europian raporton se në Gjykatën e Strasburgut janë 230 dosje të hapura kundër shtetit shqiptar. Rreth 70-80% e tyre janë për çështjet e pronësisë. Nga informacioni qe kemi ne, janë gati edhe 100 apo 150 dosje të tjera të dërguara nga pronarë të ndryshëm shqiptarë në Strasburg”, - bën të ditur Toro, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-Pronarëve. “Sot në gjykatë po gjykohen çështje që kapin vlera të mëdha dhe janë gjykuar çështje siç janë rasti ‘Bushati’ apo rasti ‘Vrioni’, që i kalon milionat e eurove, 2-3 milionë euro për sipërfaqe toke që relativisht nuk janë të mëdha”, - thotë Toro.
Fatura financiare gjithnjë në rritje e pronarëve po bëhet e papërballueshme për shtetin për të cilin Strasburgu ka dhënë edhe zgjidhje të tjera të mundshme. “Zgjidhjet tona janë te kthimi fizik i tokës dhe Strasburgu këtë kërkon”, - tha Toro, i cili shprehet kategorikisht kundër ndryshimeve të propozuara nga deputeti Alibeaj për ligjin e pronave. “Në rast se PD-ja i qëndron deri në fund vendimit të saj për ta miratuar edhe në seancë parlamentare këtë draft, ne do ta ankimojmë atë në Gjykatën Kushtetuese”, - është shprehur sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-Pronarëve.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›