E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktoratura në Durrës, thyhet monopoli

çelja e programit të doktoraturës pranë universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit thyen monopolin e këtij cikli të lartë studimesh në vendin tonë. Shkolla e doktoraturës në shkencat ekonomike. Në këtë shkollë të çelur në kuadrin e zbatimit të Kartës së Bolonjës janë pranuar 30 doktorantët e parë, të cilët pretendohet të jenë studiuesit dhe shkencëtarët e ardhshëm të ekonomisë, marketingut, financës dhe administrimit publik. Sipas rektorit të universitetit, Agim Kukeli, formati i doktoraturës është i krahasueshëm me atë të programeve Ph.D në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku parashikohet kërkimi shkencor individual i çdo kandidati. Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i cili përgëzoi doktorantët e përzgjedhur dhe vlerësoi progresin e Universitetit të Durrësit në katër vitet e jetës së tij. Në këtë vlerësim Tafaj nuk përjashtoi as studentët e universitetit, të cilët kanë përqafuar modelin universitar të bazuar në Kartën e Bolonjës. “Ne synojmë zhvillimin gradual dhe arritjen e standardeve europiane në të tria nivelet. Synojmë të nxisim doktorantët që të realizojnë kërkime shkencore të niveleve sa më të larta”, tha ministri Tafaj, duke i ftuar njëkohësisht 30 doktorantët e Durrësit të aplikojnë për të fituar bursë të plotë ose të pjesshme nga fondi i ekselencës, që ka mbështetur një numër jo të vogël studentësh. Gjatë ceremonisë u theksua se me çeljen e këtij programi, Universiteti “Aleksandër Moisiu” shënon një stad tjetër cilësor në lëmin e ekonomisë dhe synon hapjen e programit të doktoraturës edhe në fakultete të tjera të tij. Drejtuesja e shkollës së doktoraturës, prof. dr. Esmeralda Uruçi, tha se vendosja e shkollës në një tjetër qytet universitar përveç Tiranës i thotë jo monopolit të krijuar në këtë fushë dhe çon në një shkallë më të lartë konkurrencën mes universiteteve publike dhe atyre private në shkallë vendi: “Vendosja e shkollës së doktoraturës në një tjetër qytet i shërben një objektivi afatgjatë, nxitjes e mbështetjes së shkencës shqiptare jo vetëm në universitetet e kryeqytetit, por edhe në universitetet e tjera të Shqipërisë ku ekzistojnë potencialet e duhura akademike, të cilat duhet të motivohen e të vihen në shërbim të formimit të shkencëtarëve të rinj”. Studentët e doktoraturës gjatë këtij viti të parë akademik do të ndjekin studimet në katër kurse të detyrueshme, që janë Matematikë Financiare, Ekonometri, Analiza e Metodave Sasiore dhe Analiza e të Dhënave Cilësore. Ata gjithashtu, në bazë të fushës së disertacionit, do të ndjekin dy kurse me zgjedhje, mes atyre që ofrohen në fushën e Shkencave Ekonomike, Financë-Kontabilitetit, Marketingut dhe Administrimit Publik. Përveç pedagogëve shqiptarë do të japin leksione edhe profesorë të universiteteve amerikane, anëtarë të Akademisë Ruse të Shkencave dhe të tjerë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›