E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shërbim për tumoret dhe dializën

Spitali pa ilaçe. Vasili: Barnat bazë nuk do të mungojnë
Një shërbim i ri për të sëmurët me tumore do të nisë punën në spitalin e Durrësit. Po ashtu, një tjetër shërbim do t’i shtohet qendrës, ai i dializës. Dje, në analizën njëvjeçare të shëndetësisë në Durrës, prioritetet dhe puna e kryer janë renditur nga drejtuesit, në prani edhe të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Asnjë tolerancë ndaj mjekëve që abuzojnë me detyrën dhe informalitetin në shëndetësi. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë pjesëmarrjes në analizën vjetore të shëndetit publik dhe shërbimit spitalor në Durrës, ka deklaruar se do të merren masa ndaj mjekëve që cenojnë rregullat, ndërkohë që deklaroi se ata që nuk paguajnë sigurimet shëndetësore, do të privohen nga shërbimi spitalor falas.
“Atyre që nuk paguajnë sigurimet shëndetësore, nuk do t’u afrohet shërbim, pasi spitali nuk mund ta përballojë ngarkesën financiare. Informalitetit në shëndetësi duhet t’i thuhet mjaft”, tha ministri, duke kërkuar më shumë nikoqirllëk të fondeve publike.
Më tej, Vasili vlerësoi rregullin, disiplinën dhe raportin ligjor mes mjekut dhe pacientit si të pacenueshme. Kreu i dikasterit ka pranuar mungesën e disa barnave në farmacitë spitalore, po premtoi se medikamentet kryesore për kurimin e patologjive do të jenë të sigurta, me qëllim që pacientët të dalin të shëruar nga spitali.
Për ata që do të duan medikamente specifike mjekësore, vlera e tyre do të kalojë në ngarkim të pacientit. Duke u ndalur në nevojat e spitalit të Durrësit, punën e stafit të të cilit e ka vlerësuar maksimalisht, Vasili premtoi se brenda një periudhe disa mujore, ky spital do të pajiset me skaner dhe do të shihet edhe mundësia e një rezonance manjetike, gjë që do të ulte fluksin e pacientëve drejt Qendrës Universitare në Tiranë.
Shumica e mjekëve që aktualisht punojnë në qendrën e Durrësit, kanë kryer specializime pasuniversitare, master, ndërsa 18 të tjerë janë në proces doktorature.
Në këtë qendër është në projekt hapja e repartit të onkologjisë, si dhe kryerja e shërbimit të dializës. Ndërkohë, pacientët vazhdojnë të kryejnë skanerin në sektorin privat, apo të nisen drejt kryeqytetit, pasi qendra në Durrës, edhe pse moderne, nuk e ofron këtë shërbim. Ndërkaq, ministri Vasili sqaroi në analizën vjetore se brenda 2-3 javësh do të përurohet edhe materniteti i spitalit të Durrësit. Ky maternitet u përurua në prag të zgjedhjeve parlamentare të fund të qershorit të kaluar nga Kryeministri Sali Berisha, po nuk mundi të vihej në punë, pasi ishte ende i papajisur me aparatura dhe shtretër.
Pritet përurimi pas tetë muajsh. Ndërkaq, raportet e analizës së veprimtarisë njëvjeçare në shëndetësi u referuan nga drejtori i Shëndetit Publik në Durrës, Vasil Ziu, dhe drejtori i spitalit, Taulant Baku. Analiza e hollësishme e tyre u vlerësua nga ministri Vasili, ndërsa e pranishme në analizë ishte dhe Elvana Hana, drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Në spitalin e Durrësit u raportua se ka pasur një rritje të numrit të pacientëve të siguruar, të cilët janë trajtuar për sëmundje të ndryshme, ndërkohë që në kirurgji ka ndodhur e kundërta. Vetëm një e treta e pacientëve kanë qenë të siguruar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›