E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktoresha e hekurt, e vetmja femër që bëri autopsi

Doktoreshë Arjana Berisha, femra e parë në frontin e biopsive dhe e vetmja në vend që bëri autopsi tregon eksperiencën e saj

Duket shumë e brishtë për të qenë aq e fortë para lotëve të nxehtë të pacientëve. E fortë sa është e vetmja femër në vendin tonë që ka arritur të kryejë me sukses detyrën e saj të vështirë dhe humane pranë kolegëve meshkuj. Ka ditur të fitojë respekt si pedagoge, eksperte dhe mjeke dhe ndihet shumë keq që edhe një muaj dhe do të ndahet nga profesioni i saj që shërbeu për rreth 40 vjet. Bëhet fjalë për eksperten e parë në vend në fushën e biopsive dhe aq më tepër femra e parë dhe deri më sot e fundit që arriti të bënte autopsi mbi kufomat. Është Arjana Berisha, doktoresha e hekurt siç e quajnë kolegët e saj që nuk e braktisi për asnjë moment punën e saj të vështirë. Doktoresha tregon eksperiencën e saj në fushën e biopsive për të vendosur diagnozat e sëmundjeve pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, se si ndihet ajo tek përcjell rezultatet e analizave nëse janë pozitive apo negative. Ndërsa për punën e saj mbi autopsitë druhet kur flet duke u treguar tepër modeste ndonëse para 15 vjetësh shkëlqente përballë kolegëve meshkuj, duke u treguar se edhe një femër mund të tregojë artin e saj për të zbuluar të vërtetat e vdekjes të ndonjë individi.

Eksperienca

E cilëson profesion shumë të bukur që i fal emocione, por pakkush di ta vlersojë fushën e saj ndonëse biopsitë vendosin në mënyrë të përpiktë diagnozën e ndonjë sëmundjeje. “Sapo mbarova fakultetin u vendosa në këtë fushë. Më pëqente dhe e dashurova. Kam punuar me shumë vite si femra e vetme në fushën e biopsive, ndërsa tek autopsitë e vetme e fillova dhe e vetme e mbylla karrieren në këtë fushë”, - pohon Arjana Berisha. Sipas saj fusha që mbulon nuk ka qenë e vlersuar sepse bluzat e bardha mendonin se vetëm po të kesh stetoskop në qafë quhen mjekë, por në fakt pa ndihmën e mikroskopit të biopsive nuk mund të marrin vendime për diagnozat e pacientëve. Megjithatë kjo nuk e ka penguar aspak doktoreshën të heqë dorë nga profesioni i saj duke iu dhënë rrugë shumë dilemave të mjekëve për të marrë vendime se si duhet të ndjekin ecurinë e pacientëve. Por nga ana tjetër, mbi kurrizin e saj peshon edhe keqardhja kur pacientëve mikroskopi u tregon lajme aspak pozitive, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundje malinje dhe shpresat kanë vdekur. “Vërtet që është e vështirë të përballosh lotët e nxehtë të pacientëve apo të të afërmve të tyre kur marrrin vesh se biopsitë nuk janë në favor të tyre. Mundohem të gjej një mënyrë komunikimi sa më të butë që t’ua lehtësojmë dhimbjen”, -pohon ajo.

Autopsitë

Autopsitë i kujton si një eksperiencë shumë e vështirë që bënte deri 15 vjet më parë. E vetmja femër mes kolegëve meshkuj që guxonte të ushtronte profesionin mbi artin ebiopsive duke zbuluar se nga se kishte ardhur vdekja e pacientëve. Atë që nuk arriti ta bënte kurrë një femër në vendin tonë, doktoreshë Arjana, ndonëse cilësohet nga kolegët si shumë e brishtë, ka ditur të menaxhojë emocionet e saj përpara punës. “Në fakt autopsitë janë shumë të vështira, por në fund të fundit puna është punë dhe profesionin duhet ta dashurosh”, pohon ajo. Fakti që asnjë femër nuk e ka zgjedhur specialitetin e autopsive doktoreshës nuk i duket aspak pozitive dhe mesazhi që ajo jep është që edhe femrat duhet të tregojnë forcë dhe vullnet për të eksploruar mbi artin dhe shkencën e autopsive.

Doktoreshë Berisha nuk është aspak optimiste për situatën në shëndetësi. Kan humbur vlerat humane

“Trishtohem që po lë shëndetin të kthyer në biznes”

Trishtohet tek shikon se periudha e demokracisë e ka kthyer shëndetësinë në biznes. Nuk pajtohet me individë të catuar që kërkojnë kompromise për intersat e tyre duke hedhur baltë mbi bluzat e bardha. Doktoreshë Arjana Berisha duket se nuk është aspak optimiste për situatën ku është katandisur morali i disa mjekëve, të cilët në vend të parimit human që duhet të përcjellin bluzat e bardha vendosin interesat për të përfituar sa më shumë para. “Është e tmerrshme të mendosh të përfitosh nga pacientët që kanë në rrezk shëndetin. Të sëmurët nuk janë biznes dhe ky fenomen po më trishton shumë”, pohon Arjana Berisha, duke pohuar se ky është pengu më i madh që merr tani që po del në pension. Ajo nuk e kapërdin dot këtë realitet të sëmurë në të cilën është zhytur shëndetësia. Sipas saj, nëse para viteve ’90 ishim të varfër dhe nuk dispononim teknologji moderne, pozitiv ishte fakti se kishim njerëz human që nuk kursenin mundin dhe djersën e tyre për t’u ardhur në ndihmë pacientëve. Por sot ndodh e kundërta, pikërisht aspekti human po injorohet sepse shumica e bluzave të bardha po vrapojnë drejt lekëve. “Parimi im është që të lë një brezni me vlera morale që të dinë të vlersojnë humanizmin dhe të jenë sa më afër pacientëve që kanë nevojë për ndihmë”, - theksoi Arjana Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›