E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli paralajmëron rritje të çmimit të energjisë

“Privatizimet në sektorin e energjisë do të kenë dhe rritje graduale të tarifave të energjisë deri sa të mbulojnë koston”

TIRANË- Konsumatorët shqiptarë do të duhet të përballen edhe njëherë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajt në vazhdim. Ministri i Ekonomisë,Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli deklaroi dje se, hapi i qeverisë shqiptare për privatizimet në sektorin e energjisë, do të marrë në konsideratë dhe rritjen graduale të tarifave të energjisë elektrike deri sa ato të arrijnë të mbulojnë koston. Këtë pohim, ministri Ruli e bëri gjatë punimeve të Forumit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, zhvilluar dje në Tiranë.

“Megjithëse çmimi i energjisë është shtrenjtuar në tregjet ndërkombëtare, ne ia shesim atë konsumatorit nën vlerën reale të saj, sigurisht që tarifat do të shkojnë në nivelet e kostos”, pohoi ministri. Gjatë fjalimi të tij, Ruli konfirmoi nisjen e negociatave nga Institucioni që ai drejton me kompaninë Çeke “ÇEZ”, për kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Në to pritet të diskutohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila sipas tij, është e pashmangshme në kushtet kur janë rritur kostot e prodhimit të saj. Pjesëmarrës në forumin e djeshëm, ishte edhe ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan. Në fjalën e tij, z. Lohan deklaroi se, “ky dimension social i komunitetit energjetik ka nevojë të ngrihet në standardet e Bashkimit Evropian. Progresi që do të bëni ju në këtë aspekt, do t’i lejojë vendet tuaja të afrohen më shpejt drejt BE-së”. Duke u ndalur në rëndësinë që mbart projekti, ambasadori theksoi se, energjia në përgjithësi dhe ajo elektrike në veçanti është një problem jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin. “Krijimi i tregut të përbashkët energjetik konsiderohet si një zgjidhje për të unifikuar burimet prodhuese dhe për të garantuar furnizimin me energji për konsumatorët”, theksoi ai.

Qëllimi i zhvillimit të këtij forumi, ishte krijimi i një tregu të përbashkët energjetik për vendet e Europës Juglindore duke i organizuar veprimet e tyre mbi bazën e një koordinimi të përbashkët. Po ashtu, objekt i tij ishte edhe marrja e masave për shmangien e pasojave sociale që mund të sjellë ky proces. Në tetor të vitit të kaluar, shtatë vendet e rajonit nënshkruan në Vjenë një memorandum të përbashkët mirëkuptimi për përgjegjësitë sociale që dalin nga zhvillimet në sektorin energjetik. Në marrëveshjen e Vjenës, palët kishin rënë dakord për aplikim në nivelet më të larta të masave për mbrojtjen e konsumatorit dhe kufizimin e impakteve të ndryshimeve sociale të ndikuara nga aplikimi i marrëveshjes. Gjatë konferencës për shtyp pas punimeve të forumit, u cekën edhe rreziqet sociale qe mbartin unifikimet e tregjeve. Një shembull konkret ishte ai i dhënë nga përfaqësuesi i Unionit të Politikave Sociale Europiane, Jon Willen Goudriaan. Sipas tij, tregu i punës në Bashkimin Evropian u tkurr me 300 mijë vende pune pas shtimit të radhëve të tij me vende nga Europa lindore. Edhe ministri Ruli bëri të ditur se, të gjitha reformat e mëdha të hapjes së tregut mbartin efekte sociale, por është detyra e qeverisë të punojë për minimizimin e tyre. “Në hartimin e dokumentacionit ligjor për privatizimin e OSSH-së, si dhe për privatizimet strategjike të kryera më parë, u patën në konsiderate dhe trajtimi i punonjësve që parashikohen të mbesin pa punë si rezultat i këtyre privatizimeve”, u shpreh Ministri Ruli

Privatizimi i kompanive që kanë monopolin e burimeve natyrore, siç është ARMO dhe praktikimi i mekanizmave të njëjtë të tregut me vendet e tjera të rajonit, rrezikon që të shkaktojë një rritje të numrit të të papunëve. Në këtë rast, z. Goudriaan, duke marrë shkas edhe nga një prej qëllimeve të zhvillimit të forumit, i këshillon punonjësit e këtyre sektorëve që të mos të pranojnë si të mirëqenë ç’do vendim të marrë nga punëdhënësit e tyre.

Kryeministri ka pohuar se vështirësia kryesore është tek mungesa e burimeve dhe linjave të interkonjeksionit

Berisha: Problemi i energjisë janë linjat

TIRANË- Në punimet e Forumit të parë Social mbi Energjinë ishte i pranishëm edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Duke vlerësuar mbajtjen e forumit nën kryesinë Shqiptare, kreu i qeverisë deklaroi se, ky i fundit mblidhet në përputhje të plotë me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar një vit më parë në Vjenë dhe trajton një nga problemet më të ndjeshme të energjisë, aspektin social të saj. Berisha u ndal edhe në vështirësitë që hasin ekonomitë e rajonit në sigurimin e energjisë. “Ekzistojnë pengesa serioze të lidhura me interkonjeksionin, por deri diku edhe me burimet aktuale të pamjaftueshme për një rajon i cili ka një dinamizëm të madh ekonomik”, deklaroi Kryeministri. Duke u ndalur në rëndësinë e praktikimit të të njëjtave praktika në sektorin energjetik, kreu i qeverisë theksoi se, ishte i bindur qe aspekti më i rëndësishëm social qëndron së pari në ofrimin e shërbimeve dhe çmimeve më të mira të mundshme ndaj konsumatorit. “Në këtë drejtim ju siguroj se Shqipëria është thellësisht e hapur të bashkëpunojë për një treg unik, për standardet më të mira sociale, për mbrojtjen e konsumatorëve, diversifikimin e burimeve energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha Kryeministri Berisha. Ai u bëri të ditur pjesëmarrësve rëndësinë që mbart krijimi i një tregu energjie unik, rajonal dhe më pas Europian. “Rajoni ynë me rezervat e tij të mëdha energjetike mund t'i ofrojë ekonomisë katalizatorin kryesor të zhvillimit siç është energjia”, tha Berisha. Kreu i qeverisë vuri theksin edhe në vendimet që ka marrë qeveria e tij për krijimin e burimeve të reja të energjisë dhe dhënien me koncesion të shumicës së atyre ekzistuese. “Me një kuadër të ri ligjor, vendi po ecën me shpejtësi drejt koncesionimit të më se 400 HEC-ve të madhësive të ndryshme, sikundër jemi të angazhuar për diversifikimin e prodhimit të energjisë, përfshi këtu energjinë eolike, energjinë nga nafta dhe qymyret dhe energjinë nukleare”, deklaroi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›