Rama: Investimet, Tirana do të jenë unike në të gjitha zonat
Investimet në infrastrukturë në shërbim të qytetarëve. Buxheti, qëllim rikualifikimi urban i hapësirave publike
Investimet në infrastrukurë do të jenë objektiv i Bashkisë së Tiranës edhe gjatë vitit 2009, ku do të vazhdohet t’i kushtohet vëmendje e posaçme si ndërtimit të rrugëve ashtu edhe mjediseve shkollore aq të nevojshme për një kryeqytet i cili rritet nga dita në ditë. Pjesë e këtij zhvillimi urbanistik, do të jetë edhe Njësia Bashkiake Nr.7, e cila ndodhet në një nga zonat më të rëndësishme të kryeqytetit që përfshin edhe qendrën e Tiranës. Në kuadër të turit të dëgjesave “Thuaj fjalën tënde”, kryebashkiaku Edi Rama ritheksoi para qytetarëve të pranishëm në takim nevojën e ngutshme që ka qyteti i Tiranës për rikualifikimin e hapësirave publike ekzistuese. Ai u tha banorëve se buxheti i vitit 2009 do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ndikojë në përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve.
Një nga këto pika në Njësinë Nr. 7 është rikualifikimi urban i sheshit “21 dhjetori”, i cili është menduar të transformohet plotësisht duke u kthyer në një nga ambientet më atraktivë të qytetit. Ndërhyrja në sheshin “21 dhjetori” do të kryhet në të njejtin sens ashtu sikur sikurse është vepruar edhe në sheshin “Ushtari i Panjohur” apo në atë te Xhamlliku i cili është në përfundim e sipër. Po kështu në buxhetin e vitit 2009 është parashikuar të bëhen punime të qenësishme edhe në bllokun e pallateve “Partizani”. Në këtë bllok aktualisht sapo kanë përfunduar punimet në infrastrukturën rrugore, ndërsa është menduar që më tej të ndërhyhet për të kryer rikualifikimin e të gjitha hapësirave të ndërmjetme. Për të mbetur në infrastrukturën rrugore, një nga investimet e mëdha në Njësinë Nr. 7 është edhe fillimi i punës për ndërtimin e bulevardit më të ri në kryeqytet, që shtrihet në të gjithë segmentin e ish-fushës së Aviacionit. Në përfundim të tij bulevardi do të jetë i një natyre të veçantë sepse do të jetë i gjithi me pemë, me kënde të ndryshme për të moshuarit, për fëmijët dhe me një hapësirë të gjerë këmbësorësh, gjë që do t’i japë një drejtim tjetër lagjes që ka marrë zhvillim të madh vitet e fundit. Ndërtimi i bulevardit jo vetëm që do t’i japë më shumë bukuri zonës, por do të rrisë më shumë vlerën e apartamenteve dhe dyqaneve në këtë pjesë të Tiranës.
Një rëndësi e madhe në investimet që do të realizohen gjatë vitit 2009 do t’i jepet edhe fëmijëve dhe më konkretisht këndeve ku ata do të luajnë. Në Njësinë Bashkiake Nr.7 ashtu sikurse edhe në njësitë e tjera në kryeqytet, do të vazhdojë të investohet në projektin “Dua të luaj”. Në këtë njësi vitin e ardhshëm me financim të Bashkisë do të ndërtohen 3 kënde lojrash ku do të ngrihen 3 fusha basketbolli dhe kënde sporti. Po kështu rëndësi absolute do t’i jepet infrastrukturës arsimore, ku është parashikuar, ndërhyrja në rikonstruksionin e dy çerdheve ekzistuese, ndërtimin e një çerdheje të re si edhe në 3 kopshte.
Projekti
Viti 2009, fillon ndërtimi i Unazës së Madhe
Viti 2009 do ta gjejë sheshin “Skënderbej” me një fytyrë të re. Bashkia e Tiranës ka vendosur që brenda këtij viti në sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, të përfundojë i gjithë rikualifikimi urban. Po gjatë këtij viti ndërhyrje thelbësore do të kryhen edhe në Parkun e Liqenit, ku parashikohet të përfundohet faza e parë e ndërhyrjes. Lajmi i mirë vjen edhe për të pastrehët. Në vitin e ardhshëm, do të fillojë ndërtmi i 350 banesave sociale, në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve. Në projektet strategjike, që lidhen me zhvillimin e qytetit, janë edhe ato të përfundimit të Unazës së Vogël si edhe fillimit të ndërtimit të Unazës së Madhe
Rama
“Dua të theksoj, që me rritjen e cilësisë së hapësirave publike në tre apo katër pika nevralgjike të Njësisë Nr.7, në vazhdën e hapësirave publike që tashmë janë në dispozicion të qytetarëve do të mund jo vetëm të transformojmë jetën e këtyre komuniteteve nga pikëpamja e cilësisë së hapësirës publike, por do të rrisim në mënyrë të ndjeshme vlerën e hapësirave të banimit, tregtare dhe jetës komunitare, duke shkuar gjithnjë e më shumë në drejtim të një qyteti që nuk është i fokusuar vetëm tek një qendër. Ne, brenda kësaj periudhe, do t’i transformojmë këto hapësira në hapësira urbane të një cilësie europiane, duke i dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve të kryeqytetit, që të mos shkojnë vetëm nga blloku, por të mund të shkojnë edhe në pika të tjera për të kaluar kohën e lirë, duke i dhënë mundësi familjeve të moshuarve, fëmijëve, që të kenë hapësira më të gjera sesa disa kënde mes pallateve dhe duke i dhënë mundësi të gjithëve, që të mund ta shikojnë më qartë perspektivën e këtij qyteti, ku ky transformim të bëhet në vazhdën e traditës më të mirë të metropoleve më të mëdha, të cilat falë një transformimi kapilar, kanë njohur një rritje të konsiderueshme të vlerës së hapësirave të tregtimit dhe banimit, edhe nga pikëpamja financiare”.
-----------------------------------------------------------
Është realizuar ose është në proces realizimi në Njësinë Bashkiake Nr.7:
• Rikonstruksioni i infrastrukturës në Bllokun 22 (vazhdon në 2009),
• Rikonstruksioni i rrugës “Frederik Shiroka”
• Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”
• Ndërtimi i shkollës së re të mesme të përgjithshme “Naim Frashëri”
Mirëmbajtje të thellë në 6 rrugë të kërkuara nga komuniteti, gjatë dëgjesave publike, në fillim të vitit 2008, si më poshtë:
• Sistemim dhe asfaltim në rrugën pas pallatit të sportit “Asllan Rusi”
• Sistemim dhe asfaltim në rrugën “Sabaudin Gabrani”
• Sistemim dhe asfaltim në rrugën “Stavri Themeli”
• Sistemim dhe asfaltim në rrugën paralel me rrugën “Muhamet Gjollesha”
• Sistemim dhe asfaltim në rrugën “Nikolla Lena”
• Sistemim dhe asfaltim në rrugën “Vëllezerit Manasterliu”
Sapo ka filluar ndërhyrja për transformimin e “Kinema Dajtit” në të parën Qendër shumëfunksionale e cila nuk do të jetë e vetmja.
Në Njësinë bashkiake Nr.7 janë planifikuar rikualifikimi urban i dy shesheve dhe krijimi i një parku të gjelbër si edhe ndërhyrje e plotë në bllokun e banimit 22:
• Rikualifikimi Urban te Sheshit “21 Dhjetori”
• Rikualifikimi Urban i hapësirës midis pallateve në Bllokun “Partizani”
• Rikualifikimi dhe shndërrimi urban i pistës së aviacionit
• Rikonstruksion i infrastrukturës në bllokun Nr. 22 (kufizuar nga rruga e Kavajës, Bulevardi Zhan D’Ark e rruga “Irfan Tomini”).
Punimet në këtë Bllok kanë filluar dhe parashikohet ndërhyrje e plotë në infrastrukturën nëntokësore dhe atë mbitokësore.
• Ndërtimi i 3 këndeve “Dua të luaj” ku do të ngrihen 3 fusha basketbolli, kënde sporti dhe kënde lojrash.
• Janë në fazën e projektimit, ndërhyrja në rikonstruksionin e dy çerdheve ekzistuese, ndërtimin e një çerdheje të re si edhe në 3 kopshte.
Do të realizohen gjatë vitit 2009, projekte strategjike në zhvillimin e qytetit:
• Faza e parë e ndërhyrjes në Parkun e Liqenit
• Rikualifikimi urban i Sheshit “Skënderbej”
• Ndërtimi i 350 banesave sociale
• Përfundimi i Unazës së Vogël
• Fillimi i ndërtimit të Unazës së Madhe
Një nga risitë e inicuara nga Bashkia e Tiranës kanë qenë ndërhyrjet që janë realizuar në blloqet e banimit, të cilat kanë ardhur duke u përmirësuar, përsa i takon sasisë së elementeve të nderhyrjes por edhe cilësisë urbane të sjellë. Deri në vitin 2007, është ndërhyrë plotësisht në 15 blloqe banimi, të shpërndarë respektivisht 3 në qendër dhe 12 në periferi. Kanë vijuar ndërhyrjet edhe në 9 blloqe të reja banimi, gjatë këtyre 2 viteve por edhe në shumë blloqe të tjera ku është realizuar mirëmbjatje e thellë në shumicën e rrjetit rrugor apo edhe rrugicave e trotuareve ku janë ruajtur raportet e rishpërndarjes së ndërhyrjes në rreth 80 % të tyre në periferi dhe më pak në qendër. Një element i ri i këtyre ndërhyrjeve ka të bëjë me rikualifikimet urbane në sheshe apo zona të caktuara të cilat transformohen në pika graviteti të jetës së komunitetit.
E veçanta këtë vit është që ndërhyrjet në blloqet e banimit, tashmë janë bërë komplekse, ku përveçse në infrastrukturën rrugore të brendshme të bllokut, këtë vit do të ndërhyhet paralelisht edhe në sipërfaqen urbane, sheshe, gjelbërim etj.
Gjatë hartimit të buxhetit 2009, po lancohet edhe nisma më e fundit të Bashkisë së Tiranës, Fondi i Komunitetit: 10 për qind e investimeve (3 milionë dollarë ose 260 milionë lekë të reja) do të caktohen direkt nga votimi i qytetarëve dhe do të shpërndahen sipas këtij votimi për mirëmbajtje, trotuare apo lulishte të vogla.Tiranë, dy gjimnazistë helmim nga ushqimet
Dy të rinj gjimnazistë, nxënës në shkollën e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë, janë helmuar paraditen e djeshme si pasojë e konsumimit të ushqimit të kontaminuar jashtë ambienteve të shkollës. Nxënësit kanë paraqitur dhimbje të forta stomaku dhe janë shoqëruar menjëherë për të marrë ndihmën e parë mjekësore në shërbimin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Ata kanë deklaruar për mediat se shqetësimet u kanë ardhur pas konsumimit të sanduiçëve në një nga Fast-Foodet që ndodhen pranë shkollës. Mjekët kanë deklaruar se gjendja shëndëtësore e dy të rinjve është jashtë rrezikut për jetën dhe ata do të mbahen në mbikëqyrje për disa orë, deri në përmirësimin e parametrave shëndetësore. Problemi i subjekteve që tregtojnë në mënyrë ambulatore jashtë ambienteve shkollore dhe mungesës së kushteve higjienike është ngritur disa herë në drejtoritë përkatëse, por duhet të ndodhin të tilla ngjarje të papëlqyeshme që instancat përkatëse përgjegjëse të reagojnë.