U-21,Bushati teston sot lojtarët e rinj
Kombëtarja U-21 do të zhvillojë sot në 13:00 miqësoren me Maqedoninë, në Ohër. Pas grumbullimit dyditor në Durrës, kuqezinjtë e rinj, të drejtuar nga Artan Bushati, dje paradite mbërritën në Strugë. Ndërkohë, qytetin maqedonas e kishin mbuluar reshjet e borës dhe stërvitja zyrtare në stadiumin e Ohrit është kryer në kushte të vështira. Në prag të ndeshjes, trajneri Bushatiu shpreh: "Pasi kryem në Durrës një seancë të lehtë, sot (dje) në Ohër zhvilluam gjithashtu një stërvitje të këtij karakteri. Natyrisht, ishim të kushtëzuar edhe nga bora. Stërvitjen e kemi bërë në borë dhe në një kohë shumë të ftohtë. Gjithsesi, e rëndësishme është që nuk kemi probleme, pasi të gjithë lojtarët janë të gatshëm për ndeshjen. Shpresojmë, mbi të gjitha, në një paraqitje të mirë. Eshtë një ndeshje shumë e vlefshme, pasi kam thirrur disa lojtarë të rinj që duhen vëzhguar.”