E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han: Kuqezinj, dua 100%-shin për fitoren!

Trajneri i kombëtares kërkon nga lojtarët impenjim serioz. Holandezi do të bëjë disa eksperimente

Në 17:00 (ora lokale e Shqipërisë), në stadiumin "Tofik Bahramov" të Bakusë, do të luhet miqësorja Azerbajxhan-Shqipëri. Ky është testi i fundit për kombëtaren tonë, në kuadër të ndeshjes eliminatore me Maltën, që do të luhet më 11 shkurt. Trajneri kuqezi, Ari Han, në një intervistë për faqen zyrtare të FSHF-së, ka folur për gjendjen e skuadrës dhe synimet e tij për këtë miqësore. Holandezi kërkon impenjim serioz nga kuqezinjtë, për të vazhduar në rrugën e rezultateve pozitive.

Në prag të miqësores, si do ta vlerësonit gjendjen e skuadrës?

- Kemi katër mungesa të rëndësishme, pasi tre futbollistë janë të dëmtuar dhe nuk mund të vinin. I katërti, Lorik Cana, ka qëndruar në shtëpi me lejen time. Duke parë impenjimet e tij të shumta dhe të lodhshme, largësinë që duhet të përshkonte, e lejova të mos vinte. Nga ana tjetër, mungesa e tij i hap rrugën aktivizimit të disa lojtarëve të tjerë dhe disa ekperimenteve që dëshiroj të aplikoj në këtë takim. Gjendja e pjesës tjetër të skuadrës është mjaft e mirë dhe kam parë te futbollistët një dëshirë të madhe.

Përballë është Azerbajxhani. Jeni i kënaqur nga kjo zgjedhje?

- E kam theksuar edhe një herë tjetër, që miqësorja me Azerbajxhanin është një mundësi mjaft e mirë për të përgatitur takimin e radhës me Maltën. Janë skuadra me karakteristika të përbashkëta dhe ne do të bëjmë disa eksperimente. E shikoj si një ndeshje interesante, që do t'i shërbejë mjaft skuadrës. Edhe për kundërshtarin, një takim i tillë, ka mjaft anë pozitive, kështu që mendoj se do të kemi një shfaqje të bukur.

Cila do të ishte këshilla juaj kryesore për skuadrën?

- Djemtë vijnë nga ndeshje të forta në kampionatet e tyre. Udhëtimi ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm. Por në fushë, të mërkurën, ne duhet të japim maksimumin. Ajo për të cilën kam folur këto ditë dhe do ta theksoj në analizën time para ndeshjes, është fakti, që ne duhet të impenjohemi seriozisht dhe të japim maksimumin, në mënyrë që të vazhdojmë rezultatet pozitive. Kjo është shumë e mirë për ne. Kombëtarja është një gjë e veçantë dhe për të arritur te rezultati duhet të japësh gjithmonë mbi 100%.

Cili do të jetë kapiteni i Shqipërisë në këtë takim, duke qenë se mungojnë si Lala ashtu dhe Cana?

- Emrin do ta mësoni para ndeshjes, po kështu edhe formacionin. Ju e dini tashmë se atë e deklaroj vetëm ditën e ndeshjes. Sa i takon kapitenit, për këtë takim mund t'ju konfirmoj se ai do të jetë një nga futbollistët më me eksperiencë të ekipit.

Çdo grumbullim apo ndeshje, qoftë kjo zyrtare apo miqësore, kanë të veçantat e tyre. Cila është e veçanta e ndeshjes kundër Azerbajxhanit, sipas jush?

- Fakti që është një skuadër e re, pra ka shumë lojtarë të rinj. Nuk mund ta them me siguri absolute, sepse mund të gaboj diçka në statistika, por kjo është skuadra më e re në moshë e viteve të fundit. Mendoni vetë që pesë futbollistë kanë luajtur vjet me ekipin Shpresa. Madje edhe këtu në Azerbajxhan, për eliminatoret e grupit. Kjo mendoj se është një gjë pozitive, e cila na bën të besojmë shumë për të ardhmen e kombëtares shqiptare.

Gjyqtar gjeorgjian për miqësoren

Gjyqtar kryesor i miqësores Azerbajxhan-Shqipëri do të jetë gjeorgjiani Lasha Silagava. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin më të madh të Azerbajxhanit, "Tofik Bahramov". Me orën vendëse takimi është programuar të luhet në 20:00, ndërsa me atë të Shqipërisë i bie 17:00.

Historia e miqësoreve me Azerbajxhanin

Shqipëria ka luajtur tri ndeshje miqësore me kombëtaren e Azerbajxhanit, madje me trajnerë të ndryshëm. Kuqezinjtë i kanë fituar të trija përballjet, ku e para daton më 8 shkurt të vitit 2000. Ka qenë një ndeshje e luajtur në Valeta të Maltës, në kuadër të Turneut "Rothmans", ku përveç Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, morën pjesë Malta me Andorrën. Kuqezinjtë në atë kohë drejtoheshin nga Medin Zhega, dhe me golin e Edvin Muratit në minutën e 37-të, u arrit fitorja minimale. Gjithashtu, ekipi kombëtar u shpall edhe fituese i këtij turneu. Në miqësoren e dytë, më 27 mars 2002, kombëtarja drejtohej nga Sulejman Demollari. Edhe në këtë ndeshje kuqezinjtë fituan me të njëjtin rezultat, 1 0, falë golit të sulmuesit Igli Tares, në minutën e 39 të. Nga lojtarët që ende janë pjesë e kuqezinjve, në atë takim kanë luajtur edhe Arjan Beqaj, Altin Lala, Ervin Bulku, Klodian Duro, gjithashtu Erjon Bogdani. Ndërkohë, ndeshja e fundit me azerbajxhanasit është luajtur më 17 gusht të vitit 2005, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Shqipëria sërish ka fituar, por këtë herë me rezultatin 2-1. Trajner i kuqezinjve ishte gjermani Hans Peter Brigel, ndërkohë që golat u shënuan nga Alban Bushi (i barazimit) në minutën e 28-të dhe Lorik Cana në të 72-tën. Miqësorja që do të luhet sot është e katërta dhe nga 18 lojtarët që ka në dispozicion trajneri Ari Han, në ndeshjen e fundit ka luajtur vetëm portieri Isli Hidi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›