Doktori zgjedh edhe Zonën e Lirë, por duket se nuk ka ndërmend të shkojë tek Fevziu
U bë kohë që kryeministri nuk shfaqet më në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu. Shumëkujt i ka bërë përshtypje kjo ftohje e kryeministrit me gazetarin e tij të preferuar.
Megjithatë kryeministri duket i vendosur për të vazhduar bojkotin ndaj emisionit ku shfaqej sa herë kishte dëshirë.
Të premten kryeministri Sali Berisha do të jetë i pranishëm edhe në emisionin Zonë e lirë të gazetarit Arjan Çani në TV Klan. Kurse të dielën ai do të jetë sërish në një emision me natyrë argëtuese si Apartamenti 2XL në Vizion Plus.
Kurse Blendi Fevziu do ketë të ftuar të enjten në mbrëmje kryetarin e opozitës, Edi Rama, që ka nisur të shfaqet gjithnjë e më shumë në këtë studio.
Një ditë më parë Fevziu kishte të ftuar në emisionin e tij edhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Madje kjo ftohje e kryeministrit me gazetarin ka ndikuar edhe tek prania e të ftuarve të tjerë nga e djathta në emision.