E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e Bashkisë së Tiranës ngjisin posterat e PD-së (FOTO)

Automjetet e Ndërmarrjes së Ndriçimit të angazhuara në fushatën e PD-së

Edhe pse kryeministri ka deklaruar se mjetet shtetërore nuk do të përdoren në fushatë, urdhri i tij nuk është zbatuar nga Bashkia e Tiranës.

Makinat e Ndërmarrjes së Ndriçimit pranë kësaj Bashkie janë kapur nga kamerat e emisionit investigativ Fiks Fare duke vendosur banderolat e PD- së në rrugët e Tiranës, tek Blloku dhe në rrugën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Gjatë pasdites të së mërkurës, automjeti i Bashkisë lëvizte me punonjësit e Ndërmarrjes së Ndriçimit, të cilët ishin detyruar nga ana e drejtuesve të tyre për të vijuar punën gjatë gjithë pasdites dhe gjatë natës, për vendosjen e banderolave në të gjithë Tiranën.

Në kontaktin me gazetarët e Fiks Fare, punonjësit e Bashkisë janë shprehur se makina me të cilin ata vijonin punën është e Ndërmarrjes së Ndriçimit.

Punëtorët pranojnë se janë punëtorë të Bashkisë së Tiranës dhe se kanë marrë urdhër për të kryer vendosjen e banderolave të PD-së në rrugët e Tiranës edhe pse orari i punës i tyre kishte përfunduar.

Automjeti i Bashkisë, edhe pse në shumë raste futej në  kryqëzimet e rrugës kundravajtje, nuk ndalohej nga askush, ndërsa trafiku rëndohej për shkak të bllokimit të rrugës. Punonjësit e Bashkisë shoqëroheshin nga një drejtues, i cili kishte marrë edhe udhëzimet për vendosjen e banderolave.

Edhe pse drejtuesi i mjetit kishte mbuluar me një gazetë, shënimin Ndërmarrja e Ndriçimit dhe ishte përpjekur për të zhgarravitur shkrimin, duket se era i ka ndihmuar gazetarët, teksa ngrinte fletët e gazetave, poshtë të cilave lexohej shkrimi se kujt i përkiste ishte automjeti.

Biseda me punonjësit e Ndërmarrjes së Ndriçimit në Bashkinë e Tiranës

Fiksi Më duhet të flas për punë për nesër për vinçin?

Drejtuesi i mjetit Unë nesër jam i zënë.

Fiksi Për pasnesër?

Drejtuesi i mjetit Se di. (Bën me shenjë)

Fiksi Ku ta gjej, të marr leje mo burrë!?

Drejtuesi i mjetit Janë këta shefat.

Fiksi Të kujt ndërmarrje?

Drejtuesi i mjetit Në Bashki.

…

Fiksi Vetë ku punoni?

Punëtori i Bashkisë Në Bashki.

Fiksi Me pastrimin?

Punëtori i Bashkisë Me këto punë, Bashkia çfarë na drejton ne, bëjmë ne. Kjo është e Elektrikut.

Fiksi E Elektrikut tek Bashkia?

Punëtori i Bashkisë Po. Me dalë për punën fshehurazi, ja marrin targën dhe e gjobitin.

…

Fiksi Të flisja me ndonjë, për makinën më shumë?

Punëtori që drejton vendosjen e banderolave Po makina është e zënë, nuk i dihet kur mbarojmë punë sonte. Kjo është e Bashkisë.

Fiksi Si makinë, po me kë mund të flas aty unë?

Punëtori që drejton vendosjen e banderolave Me drejtorin, Fatmir Nezën.

1

2

3

4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›