E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktrina e re amerikane e diplomacisë dhe nevoja për të prishur stabilitetin e drejtësisë sonë

Kushtet tona diplomatike

1. Ndërzimi i shpresës me korrupsionin - Inkursioni i fundit mediatik i Legatit amerikan në Shqipëri pruri në planin diplomatik një kthesë njëqindetetëdhjetë gradë majtas, në horizontin e mendimeve të tij mbi politikën shqiptare. Novatore ishte edhe organizimi i tryezës nga Instituti për Studimet Ndërkombëtare mbi politikën e jashtme amerikane. Qëllimet ishin të lavdërueshme. Gjithçka ishte shumë e shijshme, delikate e zgjedhur. Mirëpo seç mungonte diçka. Ah, po. Pjesa tjetër e njëqindetetëdhjetë gradëve, d.m.th ish-doktrina Klinton e vijuar rreptësisht nga administrata Bush për eksportimin e demokracisë në botë, ku shkoi? Ja ç’ka mungonte. Gjykoj, se shpresa e Obamës e cila përcillet në botë mbulonte një ish-shpresë të dështuar, një ish-doktrinë të dështuar, një shpagim që demokracia i bën gabimit. Më tej u duk se Legati amerikan në fjalimin e tij përktheu në diplomatishte fjalën Hope (shpresë) me të shumëpërmendurin Corruption
(s’po e përkthej në shqip, se kuptohet!). U duk se ndërzimi i lemave për pritshmërinë e shqiptarëve me atë të presidentit Obama kalon nëpërmjet Legatin kambanar. Tryeza e përgatitur ia arriti qëllimit. Haptas duke theksuar doktrinën e re Obama, në punët diplomatike ndër të tjera Legati amerikan ndërmori një konsideratë personalistike, e kripto-kodifikuar në tre “kushte” të eksportueshme në Shqipëri, për të qenë një demokraci. Të qenit vend demokratik simbas legatit të SHBA-së, është rrjedhojë kryesisht, nëse mund ta themi me një përkufizim, një respektimi i kartës kushtetuese, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i fortë i ligjit. Kushte që në vetvete nuk thonë asgjë të re në planin teorik, por në atë praktik diçka e thonë. Liberalët alla-shqiptarçe përtypin se këto “kushte” duhet të ishin vendosur me kohë. Por ne hiç. Hiç liberalë. Ka diçka në këtë mes që vjen paksa si erë. Këto tre “kushte” ishin të gjitha të sferës juridike, pra të drejtësisë, a i japin shanse preventive çdo vendi të krijojë një profil demokratik? Ndoshta. Por debati mbi drejtësinë është bërë diçka paradoksale e njëherësh irreale, e nganjëherë më duket, se çështjen e super-reformës në drejtësi e kanë më përzemër legatët e huaj sesa vetë shqiptarët. Ka një konfuzion të tepërt me deklarata, lajme agjencish, komunikata për shtyp apo sms partish. Një ekzibicionizëm i tepruar. E vërteta është se organet e garancisë duhet të vigjilojnë e me nënshtrue me ligj e  pa patur parasysh ngjyrat partiake; e gjyqësori duhet të funksionojë si organ i kontrollit të ligjshmërisë boll me frenat e dorës. Sot për sot mund të pyetet nëse funksionojnë kështu organet e garancisë kushtetuese. Funksionojnë? Gjykoj se jo. Po përse atëherë i mbrojmë mediatikisht nga reformimi i mundshëm institucionet e paefektshme?
Ah, po. Lojë politike, shterpëzim masiv e pa hesap.
***
2. Kush e ka fajin, Ligji apo Kontrollori? - Një qartësim paraprak nëse me lejohet: sa për shtet ligjor nganjëherë ne shqiptarët e ndërlidhim gabimisht nga konfuzioni me mos-pasjen e ligjeve adekuate me përballue  situatën që na krijohet herë pas here. Harrohet pa dashje se në të shumtën e rasteve ligjet “gjenden”, pra të shkruar e zezë mbi të bardhë vetëm në kodet e procedurës civile apo penale, sepse mekanizmat e kontrollit për zbatimin e ligjeve flenë mbi vetë kodet. Ligji nuk zbaton ligjin. A mund të bëhet diçka në këtë drejtim. Natyrisht që po. Por duhet pasur përkujdesje.
Arsye-hetimi është i thjeshtë, duke ditur nevojën për një epurim rrënjësor të klizmës që ka atrofizuar nyejt e kyçeve të drejtësisë shqiptare bëhet sa herë një kurë in-adekuate pa një check- up të sistemit. Efektet anësore të një kurë-reforme mund të jenë të dëmshme për kredibilitetin e drejtësisë  nëse, ne, nuk prekim dhe/ose identifikojmë plagën reale të sistemit e jo gërvishtjen e rrallës mbi një kufomë. Palestra e drejtësisë është shkolla e magjistraturës. Atje duhet ndërhyrë me një injektim shprese mbi garantistët e rinj e të pritshëm. E jo në ato të jakobinëve që garancitë kushtetuese i shqepin me tela me gjemba. Kjo do të thotë që gjithë betejat pro-reformimit janë të sinqerta veç kur nuk prekin monopolin e drejtësisë. Monopoli i të drejtës nuk është diçka hyjnore por njerëzore dhe krejt shqiptare me dalldisjet e saja qesharake. Të sulmosh nga opozita e pushtetit është
diçka e lehtë kur ke argument, por kur nuk i ke ato atëherë ve në përdorim municionin e dëmshëm gerdecar.  
Afërmendsh kjo brishtësi e demokracisë shqiptare hollohet sa herë me kripë në raportet e legatave periferike. Dhe besoj se kjo fjala “brishtësi hibride” që observatorët komunikojnë në parlamentet e tyre nënkuptojnë pamundësinë tonë kryesisht për të bërë shtet ligjor.
Këtë skepticizëm që e marrin nga legatat e huaja nuhatet sa herë me dashje apo pa-dashje qeveria projekton reflekset e ndonjë ligji për institucionet e ndryshme. Ka një llahtarizwm mosbesues dhe preventiv e cila karakterizohet ma sw shumti nga zelli i takimeve, traktet dhe/ose komunikatave për shtyp, telefonata inter-urbane, letrave të hapura, intervista e kapje veshi etj. Por pse gjithë ky mosbesim ndaj teknokratëve të Tiranës zyrtare?
***
3. Diplomacia amerikane në rajon - I rikthehemi rrugës për Elbasan. Si eracak i rrugës së Elbasanit mund të them se edhe inkursioni i fundit mediatik i Legatit amerikan nga ana teorike dhe nga qëllimet mund të përfytyrohen ishte një sinjal i një rinovimi planetar, ku edhe pse indirekt, ne, duhet me e ndjekë një kurs ri-themelimi vlerash morale që të përshkojnë drejtësinë tejpërtej. Kompleksi i superioritetit demokratik, në planin moral, të SHBA-së vjen kryesisht sepse arrin të aglomerojë një seri vetish e faktorësh të të drejtave njerëzore dhe aspirimeve demokratike. Por jo në Shqipëri. Ku demokracinë e kemi pasur pak xhan. Ku vetëm sundimi na është përshtatur, veç jo krejt.
Nëse ekziston një nënvlerësim, e të cilin Amerika e bën vazhdimisht kur merret me pjesën tjetër të botës (edhe me Shqipërinë), është kur mendon se krijimi i stabilitetit politik e institucional është i lehtë. Prandaj, sidomos mos-njohja përthelluese e karakterit solipsist të shqiptarit i kufizon edhe ndërhyrjet diplomatike në çështje të rëndësishme. Të policin e mirë nga njëra anë dhe policin e keq nga ana tjetër në kredibilitetin diplomatik tregon veçse një kopanisje. Përderisa demokracia në  Shqipëri është në konvaleshencë dhe vetiu ligja konvertohet në një mosbesim.
Fare lehtë pastaj mendo sesi janë raportet me shkrim që legatat e huaja të akredituara në Tiranë u dërgojnë komisioneve të tyre mbi politikat e jashtme. Të cilat janë pothuajse janë negative. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, kjo është një nga arsyet parësore që Shqipëria mbetet ende akoma në fazën e stabilizim-asocimit dhe ratifikimit të traktatit të NATO-s, që të dy procese me target më madhor që pas 1912. Pjesëmarrja normale në jetën e shteteve euro-atlantike është bërë si “toka e premtuar” për shqiptarët. Por çelësambajtësit e Evropës lexojnë dhe janë skeptikë, ndoshta edhe me të drejtë.
Nga kulla blu nuhatet një lojë kukafshehthi midis asaj që dëshirohet për një stabilitet politik dhe një luhatje të asaj që prenotohet në këto zgjedhje që sapo presim. Premtimdhënës është ardhja e Obamës në krye të shtetit amerikan, i cili sapo njoftoi botën për hyrjen në një kurs të ri ekonomik e politik. Premtim-humbës është këmbëngulja mbresëlënëse e Legatit për të “kushtëzuar” reformat në kampin e drejtësisë.
Ka diçka që nuk shkon në diplomacinë e SHBA-ve në Ballkan, sepse po i bie akoma fyellit të stabilitetit rajonal, të cilit i mungon dheu poshtë këmbëve nga shumë kohë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›