E Shtunë, 31 Tetor 2026

DokuFest, homazh për Bekim Fehmiun

Festivali

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, çel edicionin e nëntë më 31 korrik në Prizren. Festivali shfaq filma në pesë kinema, dy të mbyllura dhe tre nën qiellin e hapur, duke tërhequr kështu një numër të madh të artistëve nga rajoni dhe bota. Festivali do të prezantojë 156 filma nga 34 shtete, të selektuara nga mbi 1300 filma që kanë mbërritur për konkurrim. Përveç kësaj, seksioni i “DokuFestit” për fëmijë dhe të rritur, do të prezantojë 45 filma në dy gara dhe dy programe speciale. Nata e hapjes do të jetë një homazh për Bekim Fehmiun. Në Kinemanë në Lum, në orën 22.15, shfaqet filmi ‘Mbledhësit e Puplave” me regji të Aleksandër Petroviç, ku Bekim Fehmiu luan rolin kryesor, atë të Beli Borës, duke shënuar kështu simbolikisht lidhjen që aktori i ndjerë kishte me qytetin e tij të fëmijërisë, Prizrenin dhe Lumbardhin. Po në natën e hapjes, në Kinemanë në Kala, do të shfaqet filmi “Welcome Europa” i Bruno Ulmer. Risi e edicionit të sivjetshëm do të jetë retrospektiva e filmbërësit të njohur të Jugosllavisë, Zelimir Zilnik, dhe ajo e filmbërësit nga Filipinet Khvan de la Cruz. Filmat do të garojnë në pesë kategori: për filmin dokumentar, filmin kombëtar, filmin ballkanik, filmin e shkurtër dhe gara “DokuGreen” që trajton temën e ambientit. Festivali do të mbyllet më 7 gusht me shfaqjen e fituesit të çmimit “Oskar”, “The Cove” të Louie Psihoyos.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›