E Shtunë, 31 Tetor 2026

DokuFest, ndihmon ekonominë

Instituti për Studime të Avancuara GAP prezantoi analizën ‘Impakti ekonomik i DokuFest’, ku u theksua se ky festival vitin e kaluar i ka sjellë përfitime ekonomisë së qytetit të Prizrenit rreth mbi tre milionë euro.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar ‘DokuFest’ përpos që e bën Prizrenin qendër kulturore dhe artistike, gjatë një jave sa zgjatë, këtij qyteti i sjell edhe dobi në aspektin ekonomik. Vetëm gjatë edicionit të kaluar, rreth dhjetë mijë vizitorë kanë harxhuar në këtë qytet mbi tre milionë euro.

Këto të dhëna u shpalosen nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në bashkëpunim me drejtues të festivalit DokuFest në një konferencë për media, të mbajtur të dielën në Restaurant Rings, ku u prezantua analiza ‘Impakti ekonomik i DokuFest’.

Agron Demi nga Instituti GAP tha se organizatorët e DokuFest-it kanë përpiluar një pyetësor, i cili është plotësuar nga 800 respodentë, të cilët kanë qenë vizitorë rezident dhe jorezident. Nga ky numër, sipas tij, ka pasur të tillë me banim të përhershëm në Prizren, jashtë Prizrenit por edhe vizitorë ndërkombëtarë. Ai tregoi se përmes pyetësorit janë kërkuar të dhëna specifike, shuma e shpenzuar për ushqim e pije, bujtinë, transport dhe shpenzime tjera gjatë festivalit.

“Nëse bazohemi në këtë analizë apo këtë model, DokuFesti i organizuar në vitin e kaluar, pra i dhjeti jubilar më së paku 10 mijë vizitorë, kishte një impakt prej 3. 1 milionë eurosh, kurse pritet që DokuFesti i njëmbëdhjetë i cili do të mbahet në korrik të vitit 2012 do të ketë një impakt ekonomik prej 4. 6 milionë eurosh. Duke u bazuar në këtë, nëse marrim një llogaritje totale për katër vite 2011-2014 DokuFest do të ketë një impakt ekonomik prej 17 milionë eurosh, më së paku, dhe atë vetëm ndikimi direkt pa llogaritur edhe ndikimet tjera indirekte”, tha Demi.

Ai shtoi se përfitues të drejtpërdrejtë të DokuFestit janë bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, si: kafe-baret, restorantet, shitësit ambulant, hotelet, qiradhënësit, etj., por edhe bizneset në nivel kombëtar, si avio-kompanitë, bankat apo kompanitë e telekomunikacionit.

Demi shtoi se ky studim nxjerr si përfundim se DokuFest ka një ndikim shumëfish më të madh në ekonominë e vendit se sa buxheti me të cilin operon, andaj është në interes ekonomik të vendit që DokuFest të përkrahet financiarisht më shumë nga komunat dhe Qeveria e Kosovës.

Kujtim Gashi, përfaqësues i komunës së Prizrenit, tha se komuna e Prizrenit e konsideron DokuFest-in si një ndër ngjarjet më të rëndësishme që ndodhin në Prizren dhe në Kosovë. Ai shtoi se falë DokuFest, qyteti i Prizrenit është shndërruar në një qytet jo vetëm kulturor por edhe turistik, duke sjellë numër të madh të vizitorëve nga mbarë bota.

Poashtu, Gashi tha se të hyrat në komunën e Prizrenit janë më të mëdha gjatë muajit korrik, pikërisht gjatë kohës së mbajtjes së festivalit DokuFest. Gashi shtoi se Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria e Kulturës do të vazhdojë ta përkrahë festivalin DokuFest financiarisht si dhe me kapacitetet e tyre teknike dhe njerëzore.

Aliriza Arënliu nga DokuFest u shpreh se buxheti me të cilin operon DokuFest është shumëfish më i vogël se të hyrat që gjeneron për qytetin e Prizrenit dhe ekonominë në përgjithësi. Ai shtoi se DokuFest do të synojë të tërheqë më shumë vizitorë edhe në edicionin e ardhshëm të festivalit, i cili do të mbahet nga data 7 deri më 15 korrik.

Sipas tij, kjo analizë do të jetë një argument shtesë mbi atë që kanë dëshmuar për suksesin e dhjetë viteve të kaluara. Megjithatë, ai shtoi se institucionet japin pak në krahasim me atë se çka sjell DokuFest.

“Përbërja e përkrahjes së institucioneve publike në buxhetin total të festivalit është diku rreth 10 apo 12 %, që ne e konsiderojmë që është pak në krahasim me atë se çka sjell dhe ne besojmë që kjo në vazhdimësi do të rritet”, tha Arënliu.

Ndryshe, Festivali i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest është ngjarja filmike më e madhe në Kosovë, e cila mbahet çdo vit në qytetin e Prizrenit. I krijuar në vitin 2002 si një festival i vogël i organizuar nga një grup miqsh dhe dashamirë të filmit, DokuFest ka arritur të shndërrohet në një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në rajon dhe ndër 25 festivalet më të mirë për filma dokumentarë në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›