Gabimi që kushtoi 50 milionë funte

Andre Villas-Boas u shkarkua nga Chelsea të dielën pas tetë muajve katastrofal në krye të skuadrës nga Stamford Bridge. Sipas tabloidit britanik The Sun, kjo e bëri trajnerin e ri portugez, 34 vjeç, dështim edhe më të shtrenjtë se sulmuesi Fernando Torres derisa klubi fillon kërkimin për menaxherin e tetë në tetë vitet e fundit.
Villas-Boas u shkarkua pas stërvitjes të dielën kurse asistenti i tij Roberto Di Matteo u emërua në drejtim të skuadrës deri në fund të këtij sezoni. Ishte vetëm qershori i vitit të kaluar kur pronari i Chelseas, Roman Abramovich pagoi kompensim prej 13.3 milionë funtesh për angazhimin e Villas-Boasit nga Porto.
Para kësaj, miliarderi rus kishte shpenzuar më tepër se 10 milionë funte kompensim për ish menaxherin Carlo Ancelotti dhe stafin e tij teknik. Por, Villas-Boas ishte vetëm në javën e 36-të, saktësisht 257 ditë brenda kontratës së tij trevjeçare me vlerë prej 90 mijë funte në javë dhe mori 3.5 milionë funte për 40 ndeshje.
Abramovich duhet të shpenzojë edhe 11 milionë funte të tjera për të ndërprerë lidhshmërinë me Villas-Boasin. Shtoni kësaj edhe çmimin për angazhimin e një menaxheri të ri dhe totali për portugezin do të kalojë mbi 50 milionë funtet e shpenzuara për rekord përforcimin, Torres vitin e kaluar.
Chelsea u mposht 1-0 në West Brom të shtunën dhe ka aktualisht rezultatet më të dobëta nga 2001. Së fundmi thuhej se ka mosmarrëveshje në zhveshtore mes futbollistëve dhe Villas-Boasit.