Filloi procesi kundër ish-kryeministrit të Islandës

Ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit të Islandës, Geir Harde, nën akuzat për neglizhencë ndaj krizës financiare të vitit 2008, që çoi në shkatërrimin e ekonomisë së vendit.
Tri bankat kryesore të vendit patën pësuar kolaps brenda javës së krizës, duke e hedhur vendin në recesion të thellë. Harde i ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato si përndjekje politike.
Ai e ka udhëhequr Islandën që nga mesi i vitit 2006 deri në fillim të vitit 2009, derisa koalicioni i tij u rrëzua pas protestave publike për shkak të krizës.
Harde është paraqitur të hënën në një gjykatë speciale në Rekjavik, që është themeluar për të gjykuar ish-ministrat dhe ministrat aktualë.