E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumentar për virtytet e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve

Zonja Njuman është një nga të mbijetuarat e Holokaustit, e cila u ndihmua nga një familje shqiptare për t’i shpëtuar terrorit nazist. Aktualisht ajo është punonjëse në Muzeun e Holokaustit, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një ambasadore të promovimit të imazhit të Shqipërisë dhe të virtyteve të çmuara të shqiptarëve, besës dhe mikpritjes, të cilat u shpëtuan jetën rreth 2 000 hebrenjve që u strehuan dhe u mbrojtën nga shumë familje të thjeshta shqiptare, jo vetëm në Shqipëri por edhe në trojet shqiptare në rajon.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë mbi 500 të pranishëm, zyrtarë të lartë qeveritarë, senatorë, kongresmenë, pjesëtare të trupit diplomatik, të ftuar dhe miq, shqiptarë të diasporës.

Midis të pranishmëve merrnin pjesë edhe Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori amerikan në Shqipëri Alenksandër Arvizu, ambasadori i Izraelit në SHBA etj.

Dokumentari i Njumanit sjell historinë e jashtëzakonshme të mikpritjes, strehimit dhe mbrojtjes së një familjeje hebreje në Shqipëri dhe përmes saj, historinë e një kombi që hapi dyert e shpëtoi nga shfarosja qindra familjeje hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky dokumentar është një prodhim i bazuar në materiale, fakte dhe dokumente arkivorë dhe dëshmitë e të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët kaluan përmes Shqipërisë ose jetonin në Shqipëri dhe u morën në mbrojtje, u strehuan dhe u ruajtën nga familje të thjeshta shqiptare, emrat e të cilëve sot lartësohen në piedestalin e nderit në institucionin “Yad Vashem” në Jerusalem, ku ndodhen të gdhendur emrat e të gjithë “Të drejtët mes kombeve” që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se “duke vizituar këtë muze, mendimi i parë që të vjen në mend është se nuk ka asgjë më të keqe sesa diktatorët, sepse ata kanë një fuqi negative mbi njerëzit, për t’i transformuar si qenie njerëzore”.

“Sot, ne kemi këtu një të mbijetuar të atyre kohëve të tmerrshme, Johana Njuman. Ajo u strehua e kaloi kohë në një familje shqiptare dhe më vonë u bë një nga ambasadoret më të mira të moralit të vendit tim. Ju jemi shumë mirënjohës Joana! Dua të theksoj se kontributi juaj është i rëndësishëm për ne, sepse populli im, pas shpëtimit tuaj dhe bashkëqytetarëve tuaj, ra nën diktaturën më të keqe që Evropa ka njohur, ra nën shtypjen më të egër. Shqiptarët e kanë të nevojshme të lënë sa më shpejt të jetë e mundur mbrapa këtë kohë. Për shqiptarët, diktatura e Hoxhës ishte një errësirë e madhe”, tha kreu i ekzekutivit.

Më tej, ai vuri në dukje se “pas rënies së perdes së hekurt, një nga përpjekjet tona të mëdha ishte të rivendosnim, të zhvillonim marrëdhënie miqësore me Izraelin. Unë e kam vizituar këtë vend të madh disa herë dhe jam shumë i lumtur me marrëdhëniet e jashtëzakonshme që ne kemi me Izraelin, një vend në të cilin populli hebre po ndërton të ardhmen e tij të shkëlqyer”.

Kryeministri shtoi se ne kemi edhe të përbashkët tjetër, kemi një mik të madh si SHBA-në. “SHBA-ja publikisht është dhe do të jetë për sigurinë e Izraelit dhe kjo është riafirmuar në mënyrë të përsëritur nga Presidenti amerikan. Ne i jemi mirënjohës SHBA-së sepse ne kemi pasur një nga të shkuarat më të vështira”, theksoi Berisha.

Kryeministri i dorëzoi zonjës Njuman çmimin e mirënjohjes akorduar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, “ në shenjë mirënjohjeje për punën dhe kontributin e saj të çmuar në promovimin e virtyteve fisnike të Shqiptarëve si dhe të Besës Shqiptare për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve të gjithë hebrenjve që jetuan në Shqipëri ose kërkuan strehim në Shqipëri gjatë Holokaustit”.

“Në fakt janë ata që duhet të nderohen, janë shqiptarët që e meritojnë këtë çmim, jo unë - deklaroi Njuman -. Ata vunë jetën e tyre në rrezik si dhe jetën e familjeve të tyre për të shpëtuar hebrenjtë. Nuk ka mjaftueshëm fjalë për të shpjeguar kurajën që këta njerëz treguan për të shpëtuar hebrenjtë në vendin e tyre”.

“Duke u rritur dhe duke lexuar e kuptuar më shumë për mizoritë e nazistëve ndaj hebrenjve, respekti, admirimi dhe mirënjohja ime për popullin shqiptar u rrit edhe më tepër. Unë jam këtu sot dhe kam mundësi të flas për këtë popull të mrekullueshëm, se këta njerëz duke e ditur që ishim hebrenj na shpëtuan neve në shtëpitë e tyre. Nuk pati diferencë, ata u shpëtuan si nga myslimanët, ashtu dhe nga të krishterët. Pa mirësinë dhe angazhimin e popullit shqiptar nuk do kisha mundësi t’ju flisja sot dhe të isha nëna e 4 fëmijëve dhe gjyshe e nipërve e mbesave. Ju falënderoj shumë”, përfundoi zonja Njuman.
/Start/

                                                                                             2012-04-28 13:38
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›