E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumente false, arrestohet në Port i riu nga Karaibet

DURRES – Bredh gjithë Europën me dokumente false, arrestohet në pikën kufitare të Portit të Durrësit, në tentativë për të kaluar përtej Adriatikut 27-vjeçari nga Amerika Latine. Burime zyrtare nga Policia e Kufirit bënë me dije se Justin Henry Johnson, nga Karaibet, është kapur në terminalin e trageteve, në tentativë për të kaluar drejt shtetit italian. Po të njëjtat burime thanë se ai ka udhëtuar pothuajse në gjysmën e Europës me dokumentet e falsifikuara dhe nuk është ndaluar në asnjë pikë kufitare. Shtetasi i dyshimtë përdorte kartë identiteti false të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasaportë franceze. Në pikën kufitare të Portit të Durrësit, 27-vjeçari është paraqitur me dokumentin amerikan, i cili pas verifikimeve rezultoi të ishte i falsifikuar. Këtu policia nisi dyshimet e para dhe pas një kontrolli fizik, i ka gjetur edhe pasaportën franceze false. Ky informacion i është përcjellë të dyjave ambasadave përkatëse në Tiranë, të cilat kanë kërkuar hetim të thellë për shtetasin në fjalë. Policia ka kërkuar informacion të detajuar për 27-vjeçarin dhe ka zbuluar se ai ka shëtitur në disa shtete të Europës, si Itali, Mal i Zi, Kroaci, Spanjë, Francë, Kosovë dhe Shqipëri. Policia tha se në vendin tonë 27-vjeçari kishte hyrë nga pika kufitare e Morinit, ndërsa nga Porti i Durrësit do të nisej drejt Italisë me tragetin e linjës Durrës-Bari. Justin Henry Johnson, deri në momentin që u ndalua në Portin e Durrësit kishte kryer një tur në disa vende të Europës, por në asnjë prej pikave kufitare të shteteve respektive nuk është zbuluar se kalonte ilegalisht. Policia e Durrësit tha se: “Shtetasi në fjalë është person i dyshimtë, ndaj kemi kërkuar nga homologët tanë në shtetet në të cilat ka shkelur ky person informacion të detajuar mbi aktivitetin që 27- vjeçari ka ushtruar gjatë kohës që ka qëndruar në çdo shtet. Tashmë me hetimet po punon Prokuroria”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›