E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishikim licencave të organizatave joqeveritare

22/02/2009  Kreu i Ministrisë së Punës, Duro: Shërbime sociale vetëm nga OJF-të e licencuara

Rishikim licencave të dhëna për organizmat dhe strukturat jopublike që ofrojnë shërbime sociale kundrejt kategorive në nevojë. Aktualisht në vendin tonë operojnë në këtë fushë me qindra subjekte, pjesa dërrmuese e të cilave jo vetëm nuk kanë licencë përkatëse, por dhe abuzojnë kundrejt shërbimeve të ofruara veçanërisht me ato të fëmijëve. Përkundrejt kësaj situate, e cila është shoqëruar vazhdimisht me probleme, kreu i Ministrisë së Punës, Anastas Duro, gjatë një takimi të zhvilluar në Shkodër me përfaqësuesit e njësive vendore ka pohuar se do të rishihen të gjitha licencat dhe cilësia e kujdesit të ofruar kundrejt këtyre shtresave. Megjithatë, ajo çfarë cilësohet si më shqetësuese mbetet evidentimi i tyre, pasi pohohet se janë të shumta strukturat që ofrojnë këto shërbime, por mbeten në hije, duke mos u evidentuar.

Kontrollimi

Për të shmangur zhvillimin e abuzimeve është vendosur që këto struktura që ofrojnë shërbime sociale do të inspektohen nga grupe të veçanta. Veçanërisht në plotësimin e standardeve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin e shërbimeve sociale. Prioritet i këtyre inspektimeve do të jenë rrethet ku mendohet se janë të shumta OJF-të që ofrojnë shërbime sociale qoftë ditore, qoftë rezidenciale, por të paligjëruara. Ndihmë vendimtare në këtë rast do të luajnë edhe njësitë vendore. Ministri Duro ka kërkuar që të bëhet i mundur identifikimi i të gjitha OJF-ve (organizmave jopublike) që ofrojnë shërbime sociale dhe të mos lejohet asnjë ofrues shërbimi i palicensuar. “Asnjë subjekt nuk mund të ushtrojë aktivitet në një fushë të caktuar pa marrë licencën përkatëse për shërbimin që ofron, aq më pak mund të lejohet kjo në fusha të tilla që kanë të bëjnë me shërbime që u ofrohen njerëzve në nevojë”, - ka pohuar Duro. Megjithatë, situata më problematike, sipas ekspertëve të shërbimit social, rezulton të jetë në rrethe, ku pretendohet se shumë organizma mbahen duke ofruar shërbime sociale për kategori të caktuara, por në të vërtetë ato nuk janë paraqitur asnjëherë për të marrë licencën përkatëse.

Trajtimi

Sipas të dhënave të publikuara nga inspektimet e bëra gjatë vitit të shkuar, ekspertët kanë pohuar se janë inspektuar për të vlerësuar aktivitetin në kuadër të licencimit dhe rilicensimit 18 OJF. Gjithashtu janë përgatitur vlerësimet e tyre, që janë shtuar në dokumentacionin e licensimit. Nga këto 4 OJF janë të financuara nga projekti “Shpërndarja e shërbimeve sociale” të Bankës Botërore. Me gjithë punën e mirë të strukturave të SHSSH për nxitjen e licencimit të ofruesve të shërbimeve, janë ende 72 OJF të palicencuara në të gjithë vendin, që pritet të kalojnë këtë hallkë.

Në institucionet e përkujdesit social trajtohen:

294 fëmije jetim ne Institucionet Publike;

344 fëmijë jetimë në institucionet jopublike;

324 për PAK (institucione publike dhe jopublike);

311 të moshuar (rezidencial–ditor).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›