E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentet shtetërore në bërllok

Sekretari britanik për Afarizëm, Vince Cable, kërkoi falje të premten, pasi që disa dokumente konfidenciale të qeverisë britanike u gjetën në një shportë bërlloku para zyrës së tij.

Është kjo hera e dytë gjatë tri javëve të fundit që zyrtarët britanikë hedhin dokumente konfidenciale në bërllok, ngase paraprakisht një gjë të tillë e bëri edhe ministri që merret me strategjitë qeveritare, Oliver Letwin.

Cable u arsyetua se zyra e tij posedon një sistem për shkatërrimin e dokumenteve shtetërore, por e tëra ndodhi si pasojë e “një gabimi serioz”, për shkak të të cilit, “disa shkresa që duhej të ishin të mbrojtura përfunduan në shportën e bërllokut”.

"Ju kërkoj falje të parezervë të gjithë votuesve për shkak të cenimit të papranueshëm të privatësisë së tyre”, thuhet në kumtesën e Cable.

Ai shton se për incidentin tashmë i ka njoftuar edhe komisarët e Zyrës Britanike për Informacione, ndërkaq personelit të tij i ka urdhëruar të krijojnë një sistem më të sigurt për trajtimin e dokumenteve të ndjeshme.

Sipas Cable, një qytetar lokal i kishte mbledhur dokumentet e tilla që nga muaji shkurt, dhe ato pastaj ua kishte dhënë gazetarëve lokalë.

Në mesin e dokumenteve të gjetura ishin edhe korrespondencat e Cable me ministrat dhe letrat me të dhëna personale nga votuesit e tij.

Nga Zyra e Komisarit për Informacione u tha se votuesit që iu shkruajnë deputetëve të tyre “kanë të drejtë të presin se informacionet që i ndajnë me ta të mbesin konfidenciale”, gjë që gjithsesi duhet respektuar.

Kjo Zyrë po e heton edhe rastin e zyrtarit qeveritar, Oliver Letwin, i cili para tri javësh hodhi në shportë bërlloku dokumentet zyrtare lidhur me një park në Londër. Nga kabineti i Letwin asokohe u tha se në mesin e dokumenteve të hedhura nuk kishte asnjë dokument konfidencial të qeverisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›