E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiuni Putin: Mashtrues dhe i dhunshëm

Në dokumentet e fshehta të Shërbimit Sekret Gjerman (BND), kryeministri rus, Vladimir Putin, përshkruhet si mashtrues i gruas së tij dhe si njeri i dhunshëm, që e rrihte atë.

Sipas dokumenteve të shërbimit gjerman BND, gjatë viteve të 1985-1990, derisa ende punonte si spiun i KGB’së në Dresden, Putin, që asokohe ishte 33-vjeçar, ishte personazh i goxha një numri aferash jashtëmartesore.

Raportet konfidenciale që flasin për këtë periudhë në arkivin e BND’s i zbuloi eksperti për punë sekrete, Erich Schmidt-Eenboom. Schmidt-Eenboom deri më tani ka publikuar disa libra për punën e BND’së gjatë viteve të 80’a, njofton gazeta britanike ‘Daily Mail’.

Derisa për qëllime të doktoraturës po hulumtonte një puç brenda shërbimit sekret sovjetik, kur në selinë e KGB’së ishin emëruar disa agjentë të rinj, Eenboom hasi edhe në informacione për aferat jashtëmartesore të Putin.

Në komentet e publikuara në mediat gjermane, si në gazetën ‘Berliner Zeitung’, për shembull, thuhet se bashkëshortja e tanishme e Putin, Lyudmila, i ishte ankuar një ruseje për martesën e saj. Kjo e fundit ishte agjente e dyfishtë, emri i koduar i së cilës ishte Ballkoni – sepse kishte gjinj të mëdhenj. Lyudmila i kishte thënë se burri i saj po ushtronte “dhunë në familje, dhe ka afera të shumta seksuale”.

Spiunja ruse kishte fituar besimin e Lyudimila’s, megjithëse për shkak të problemeve shëndetësore ajo më vonë ishte transferuar në Gjermaninë Perëndimore, prej nga i humbet çdo gjurmë. Pretendohet se ajo sot jeton larg syve të publikut, diku në jug të vendit.

Informacionet e zbuluara nga Schmidt-Eenboom thuhet se asokohe i ishin dërguar Zyrës Gjermane për Mbrojtje dhe aleatëve të NATO’s, edhe pse zëdhënësi i BND, Dieter Arndt, refuzoi të jepte çfarëdo prononcimi lidhur me pohimet e Shmidt-Eenboom.

Ndërkohë, sipas gazetës tjetër gjermane ‘Bild’ Putin kishte ikur nga Dresdeni në Vollgën e tij të zezë, duke lënë pas vetes një fëmijë jashtëmartesor. Gazeta po ashtu publikon deklaratën e Putin për bashkëshorten e tij, sipas së cilës “çdokush që me Lyudmila’a i kalon tri javë gjithsesi e meriton një përmendore”.

Ndryshe, ish-presidenti rus, Putin, i cili sipas paralajmërimeve sërish do të kthehet në pushtet vitin e ardhshëm, kishte udhëhequr me operacionet sovjetike të spiunimit në Dresden të Gjermanisë Lindore mes viteve 1985-1990.

Pas shkrimeve të fundit në mediat gjermane, zëdhënësi i kryeministrit rus, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë pretendimet e apostrofuara në dokumentet sekrete të BND’së, duke i cilësuar ato si “tregime krejtësisht të pakuptimta”.

Putin, i cili nga posti i presidentit të Rusisë u tërhoq në vitin 2008, që nga viti 1983 është i martuar me ish-stjuardesën Lyudimila, me të cilën i ka dy vajza. Çifti Putin rrallëherë paraqitet publikisht bashkë, gjë kjo që i ka shtyrë mediat të publikojnë se ata dy janë ndarë fshehurazi, dhe se kryeministri rus planifikon të martohet me kampionen olimpike ruse në gjimnastikë, Alina Kabayeva.

Më pak se një muaj para se të tërhiqej nga posti i presidentit, Putin i mohoi këto pretendime dhe i porositi gazetarët që “hundët” e tyre t’i mbajnë sa më larg jetës së tij private.

Nga ana tjetër, jeta private e Putin ende mbetet pothuajse e panjohur për publikun, e mediat ruse gati kurrë nuk shkruajnë asgjë për të. Sipas protokollit rus, ai nuk është i obliguar që gruan e tij ta marrë me vete në takime ndërkombëtare. Vitin e kaluar Kisha Ortodokse Ruse i pat mohuar thashethemet se bashkëshortja e Putin ishte bërë murgeshë, dhe se ishte vetë patriku rus ai që e kishte emëruar për prijëse të një manastiri rus.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›