Dokumenti i Wikileaks/SHBA: Durrës-Kukës nuk duhej hapur
Ambasada në dokumentat dërguar Departamentit të Shtetit zbulon se qeveria po i shkakton kosto me vetëdije shqiptarëve nga dëshira e saj për tu rizgjedhur.
Në 17 prill të vitit 2009 ambasada zbulon se vetë presidenti i Bechtelit, kompanisë që ndërtoi rrugën Durrës-Kukës, Majkëll Adams, është përpjekur të bindë Sali Berishën të mos e hapë tunelin e rrugës Durrës-Kukës në 27 qershor, dy ditë para zgjedhjeve, pasi kjo mund të ishte e rrezikshme dhe mund të rriste koston e rrugës të paktën me 15 milionë euro të tjera.
Sipas një zyrtari të lartë të Bechtel, ministri Olldashi dhe drejtori i përgjithshëm besonin se hapja e tunelit duhej shtyrë për në tetor, por askush nuk kishte guximin tja çonte këtë mesazh kryeministrit.
Bechtel thotë se e kuptonte presionin në të cilin ndodhej Berisha, duke ju referuar deklaratës së Edi Ramës i cili pak ditë më parë kishte akuzuar kryeministrin se kishte gënjyer me afatet e rrugës dhe që ajo tani do të inagurohej nga një kryeministër socialist.
Ashtu siç u parlajmërua nga zyrtarët e Bechtel hapja e parakohshme e tunelit më vonë çoi në shembjen e tij, që i kushtoi buxhetit jo 15 milionë euro, por gati dyfishin e kësaj shume.
Ambasada shkuran se kostoja e rrugës u rrit nga shumë arsye, një prej të cilave ishte dëshira e Sali Berishës për të patur një tunel të drejtë në të gjithë shtrirjen e tij, ndryshe nga sa ishte projektuar që tuneli të ishte i drejtë vetëm në 500 metrat e para nga të dy anët.
Ironikisht, shkruan ambasada, pak kohë më vonë qeveria nuk pranoi të rriste shpenzimet për sigurinë e rrugës duke mos pranuar të ndërtojë gardhet rrethuese të sigurisë, çka lejon fshatarët e zonës dhe gjënë e gjallë të lëvizin lirshëm në rrugë me automjetet që ecin me 120 kilometër në orë.
Kabllogramet trajtojnë edhe një sërë çështjesh të tjera lidhur me ekonominë, që prekin krizën e çmimeve të viteve 2008-2009, ku hedhin dyshime mbi vërtetësinë e shifrave të INSTAT për inflacionin ku ambasada citon një rast me rritjen e çmimit të bukës në masën 40 përqind, por që INSTAT e raportoi shumë më të ulët.
Zgjedhjet, SHBA të shqetësuara
Kabllogramet e publikuara nga Wikileaks dëshmojnë një interesim konstant të Ambasadës Amerikane në Tiranë për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s duke i dërguar Washingtonit informacion të detajuar për të gjitha aspektet para dhe pas proçesit zgjedhor.
Reforma zgjedhore, ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas rënies dakord mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, qëllimi final për eleminimin e partive të vogla dhe çfarë përpjekjesh bënte Ilir Meta përfshi synimin final të liderit të LSI-së janë renditur në dokumentin e datës 8 prill 2009.
Raporti i gjatë pasi shtjellon të gjitha lëvizjet politike për reformën zgjedhore mbyllet me një koment përmbledhës të këtyre zhvillimeve ku thuhet:
I sigurtë se kjo reformë nuk do të mund të eleminojë partinë e tij, Ilir Meta me ambicjen e fortë politike e ka drejtuar atë drejt gjetjes së mundësive për të shfrytëzuar reformën zgjedhore për përfitime të mundëshme.
Në një tjetër dokument dërguar vetëm 9 ditë përpara ditës së zgjedhjeve shkruhet:
Gara është shumë e ngushtë. Pavarësisht se PD ka avantazh në para dhe perceptimin e forcës, sondazhet e paraqesin afër barazimit. Ndërsa strategjia e PS-së është të përfitojë nga gabimet e Berishës siç është tragjedia e Gërdecit, skandalet e korrupsionit dhe mbështetja që gëzon e majta për tja rritur shanset e fitores.
Megjithatë vërehet një plan i PS-së për një bojkot të mundshëm të komisioneve elektotorale që do të çojë në paralizimin e proçesit, në ambasada e kemi bërë të qartë tek PS se një veprim i tillë nuk do të mirëpritet sikurse edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Të nesërmen e zgjedhjeve të 28 qershorit Ambasada Amerikane ka dërguar një material të detajuar për rezultatet e para. Rezultati i ngushtë shikohet si problematik për mënyrën e qeverisjes.
Hartuesi i raportit ka ngritur këtë shqetësim:
Një pyetje e madhe për ne (SHBA) është sa efektive do të jetë një mazhorancë e dobët në qeverisje përfshi realizimin e reformave që ne dhe ky vend i ka të nevojshme.
Financat në rrezik për zgjedhjet
Wikileaks ka publikuar disa kabllogarme tronditëse në lidhje me Shqipërinë që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit gjatë viteve 2008-2009.
Në pjesën dërrmuese të tyre vihet re një shqetësim i madh i ekspertëve të ambasadës për politikat fiskale të qeverisë, gjatë kohës së krizës, përpara se vendi të hynte në zgjedhje.
Ekspertët e Ambasadës kanë shprehur haptazi shqetësimin se dëshira e madhe e qeverisë në atë kohë për të fituar zgjedhjet i ka çuar financat e vendit në prag të kolapsit, madje duke sjellë edhe kosto shtesë për taksapaguesit, pasi largoi Fondin Monetar Ndërkombëtar për të patur dorë të lirë me buxhetin.
Në një kabllogram të dërguar në 8 prill të vitit 2009, të titulluar Shqipëria ecën në një litar të tendosur financiar në fund të një materiali që shpjegon se si Shqipëria po kalon një situatë të rrezikshme financiare për shkak se kriza ka goditur të ardhurat, ndërsa qeveria nuk heq dorë nga shpenzimet e larta para zgjedhjeve, ish ambasadori John Withers komenton:
Berisha duket i gatshëm të rrezikojë gjithçka për tu rizgjedhur. Mënyra e vetme që kjo situatë të menaxhohej në mënyrë të rrezikshme do të ishte sikur ai të ishte me sy të mbyllur, edhe pse disa mendojnë se është sakaq. Megjithatë në të kaluarën qeveria ka treguar një aftësi të çuditshme për të evituar katastrofat edhe pse në minutat e fundit./Top Channel/