Dokumenti konfidencial i BE: Shqipëria të zgjedhë një president konsensual
Më 15 maj, në Bruksel mbahet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.
TCH ka siguruar qëndrimin e përbashkët të 27 vendeve anëtare. Pasi mirëpritet marrëveshja e nëntorit të kaluar, dokumenti konfidencial nis me këshillat ndaj klasës politike për vijimin e dialogut, zgjedhjen e presidentit sipas frymës së Kushtetutës dhe respektimin e institucioneve të pavarura.
Dialogu politik
“BE kujton se është fillimisht përgjegjësia e udhëheqësve politikë shqiptarë të të gjithë krahëve të lënë mënjanë retorikat konfrontuese dhe duke u përqendruar në axhendën europiane, të punojnë me konstruktivitet në ndërtimin e një konsensusi për reformat e nevojshme. BE nënvizon se suksesi i Shqipërisë në integrimin europian kërkon që ky proces të bëhet pjesë e axhendës kombëtare të vendit për qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile. Rrjedhimisht, arritja e progresit dhe dhënia e rezultateve në reformat kyçe duhet parë si përgjegjësi, por edhe si sukses i ndarë për qeverinë dhe opozitën.
Zgjedhja e presidentit
BE nënvizon rëndësinë e një procesi të patrazuar për zgjedhjen e presidentit në përputhje me tekstin dhe frymën e Kushtetutës. BE vëren se sipas Kushtetutës, Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe për këtë arsye zgjedhja e presidentit duhet të vijë pas një procesi gjithëpërfshirës diskutimesh dhe bashkëpunimi mes të gjitha palëve kyçe të interesuara.
“BE nënvizon rëndësinë e respektimit dhe mosndërhyrjes në punën e institucioneve të pavarura të shtetit si elementë kyç të demokracisë, përfshirë Presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Pasi mirëpret votimin e disa ligjeve me shumicë të cilësuar, mënyrën si u zgjodh Avokati i Popullit dhe ngritjen e grupeve të punës për reformën zgjedhore dhe parlamentare, BE vijon me kërkesat për punën që mbetet për tu bërë.
Parlamenti
BE mirëpret ngritjen e një grupi pune për ndryshimin e rregullores së Parlamentit dhe progresin e arritur deri më sot. Nënvizon rëndësinë e plotësimit të qetë të procesit, bazuar në një konsensus ndërpartiak dhe të marrjes së masave për të garantuar zbatimin e vërtetë të rregullores. BE nënvizon se funksionimi i duhur i Kuvendit të Shqipërisë, prioritet kyç i opinionit, përfshin përmirësimin e performancës për sa i përket shqyrtimit të legjislacionit dhe funksioneve mbikqyrëse. Një parlament plotësisht funksional i bazuar në një dialog politik konstruktiv e të vazhdueshëm mes partive politike është thelbësor për demokracinë e Shqipërisë.
“BE bën thirrje për zhvillimin transparent dhe të rregullt të procedurave për dëgjimin dhe votimin e kandidaturave për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
BE kujton se reforma zgjedhore dhe mbajtja e duhur e zgjedhjeve janë prioritete kyçe të Opinionit. BE përsërit rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias për të përmirësuar praktikat e së kaluarës dhe për të garantuar përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. BE nënvizon se plotësimi në kohë i reformës zgjedhore është element kyç i marrëveshjes politike të nëntorit 2011 dhe thelbësor duke patur parasysh zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
Ndër prioritetet e tjera kyçe, gjyqësorit i kushtohet vëmendja dërrmuese, ku kërkohet progres i prekshëm për të garantuar besimin në sistemin e drejtësisë shqiptare, madje edhe ndëshkim të duhur për gjykatësit.
Gjyqësori
BE kujton se reforma në sistemin gjyqësor, një prioritet kyç i opinionit, mbetet një sfidë e rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë. Është thelbësor progresi i prekshëm në reformën gjyqësore për të garantuar besimin në sistemin e drejtësisë, për të luftuar realisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të mbështetur përpjekjet e reformave dhe përmirësimet në fusha të tjera, përfshirë në ekonomi. BE nënvizon se pavarësia, paanshmëria, transparenca, efektshmëria dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elementë kyç në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësim në BE dhe janë elementë kyç në garantimin e respektimit për shtetin e së drejtës. Ruajtja e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve gjyqësore është thelbësore. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë i aftë të punojë në pavarësi, në përputhje me standarde të larta profesionale dhe pa pengesa dhe ndërhyrje të panevojshme. BE nënvizon se në lidhje me këtë, vijon të vëzhgojë së afërmi ndjekjen nga prokuroria dhe gjyqësori të ngjarjeve të 21 janarit 2011. Është thelbësore që këtyre ngjarjeve tu jepet ndjekja e duhur gjyqësore nëpërmjet një hetimi të plotë dhe të pavarur kriminal, si dhe që hetimet të ndiqen nga akuzat dhe ndëshkimet sipas rastit.
BE kujton se është e nevojshme të garantohen ndëshkimi i përshtatshëm dhe masat disiplinore kundër shpërdorimit të postit dhe shkeljeve të tjera nga gjykatësit, duke respektuar në të njëjtën kohë plotësisht parimet e pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të këtyre gjykatësve. Duke u njohur me zhvillimet institucionale në lidhje me emërimin dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, BE përsërit se ky proces duhet të bëhet transparent dhe të bazohet plotësisht në merita. Kërkohen në veçanti procedura për të garantuar pavarësinë politike dhe standardet më të larta etike dhe profesionale të gjykatësve që caktohen në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. BE nënvizon nevojën për tu angazhuar me konstruktivitet dhe efektshmëri për të luftuar korrupsionin në gjyqësor dhe në lidhje me këtë, përveç masave të tjera të mundshme, inkurajon fort ndryshimin e masave ligjore mbi imunitetin e gjykatësve. BE bën thirrje gjithashtu për masa konkrete dhe reale për të luftuar taktikat për të vonuar seancat gjyqësore, përfshirë mungesat e pajustifikuara të avokatëve, veçanërisht gjatë seancave gjyqësore penale.
Për administratën publike, luftën kundër korrupsionit, krimit, apo për çështjen e pronave, BE përsërit qëndrimet kritike të një viti më parë, në thelb të pandryshuara.
Administrata publike
BE nënvizon se ngritja e një shërbimi civil të pavarur, të bazuar në merita, transparent, profesional, dhe të lirë nga ndërhyrjet politike, është një prej prioriteteve kyçe të opinionit. BE nxit autoritetet shqiptare të shënojnë më shumë progres drejt respektimit të qëllimit për të ulur tërësinë e kontratave të përkohshme në administratën publike në 2.5%, siç është vendosur nga një urdhër i Kryeministrit.
Korrupsioni
BE nënvizon se lufta e vërtetë dhe e suksesshme kundër korrupsionit përbën një prej fushave thelbësore që duhet zbatuar nga Shqipëria në rrugën e saj të integrimit dhe një prioritet kyç të opinionit. BE vëren se kuadri ligjor dhe strukturat ndër-vepruese janë krye
