E Diel, 1 Nëntor 2026

Dollari fluturon në 110 lekë, euro qëndron në kuotën 136

Kursi Monedha amerikane më e shtrenjtë që nga viti 2002

Monedha e përbashkët europiane pësoi një rënie tjetër dramatike në tregun ndërkombëtar dje, duke shënuar kuotën më të ulët në 18 muaj kundrejt dollarit amerikan. Por në tregun e brendshëm shqiptar, ky ndryshim u pasqyrua vetëm me rritje të dollarit kundrejt lekut dhe jo më me rënie të euros.

Euro humbi dje 0.5 për qind dhe ra në 1.2449 dollarë, niveli më i ulët që nga nëntori 2008, sipas të dhënave të “Financial Times”. Shkaku i rënies së euros ishte vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të përdorur politikën e Lehtësimit Sasior përmes blerjes së bondeve të qeverive anëtare në Eurozonë.

Kjo është një politikë e konsideruar si varianti elektronik i shtypjes së parasë së re. Kjo do të thotë se bondet e Greqisë mund të dorëzohen në BQE përkundrejt shtesës monetare. Në Tiranë, euro qëndroi e pandryshuar kundrejt lekut në kuotën 136.29. Dollari fitoi 1.08 lekë të tjera dhe u rrit në 109,29.

Dollari nuk ka qenë kaq i shtrenjtë kundrejt lekut që nga viti 2002. Në total, leku humbi vlerë kundrejt dy valutave kryesore. Gjatë ditëve të fundit, ndryshimet në tregun ndërkombëtar qenë pasqyruar në Tiranë pjesërisht me rritje të dollarit dhe pjesërisht me rënie të euros. Kjo gjë nuk ka ndodhur më që nga e mërkura. Shqipëria paguan në dollarë rreth 20 për qind të importeve të veta, veçanërisht naftën e lëndët e ndërtimit. Forcimi i dollarit ka filluar sakaq të japë ndikim edhe te çmimi i naftës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›