E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollari rritet, por jo për shumë kohë

Monedha amerikane shënoi nivelin më të lartë që nga marsi kundrejt lekut. Por rritja nuk do të zgjasë

Dollari amerikan shënoi nivelin më të lartë që nga 10 marsi i këtij viti, kundrejt lekut, por ekspertët ndërkombëtarë mendojnë se forcimi është afatshkurtër. Në tregun shqiptar, dollari fitoi më shumë se 3 lekë brenda një jave, ndryshim ky i konsideruar si “shumë i madh”. Hera e fundit që ka ndodhur një lëvizje kaq e madhe në tregun e këmbimit valutor ka qetë tetë vite më parë. Dje dollari u këmbye për 81.27 lekë në tregun shqiptar, pak më poshtë sesa ditën e martë, kur arriti maksimumin në 81.31 lekë.

Ndryshimet në tregun shqiptar erdhën si pasojë e forcimit spektakolar të dollarit kundrejt euros, javën e kaluar. Euro humbi më shumë se 5% në pak ditë, duke shënuar kuotën më të ulët në 1.4815 dollarë, pasi qe rritur në korrik deri në 1.6 dollarë. Investitorët filluan të humbasin besimin te euro, kur u pa se zona ekonomike e kontinentit të vjetër ka rënë në recesion tashmë dhe se ngadalësimi i aktivitetit ekonomik është më i madh se në SHBA. “Ky nuk është një argument i mjaftueshëm për të balancuar arsyen e vërtetë të dollarit të dobët: pra deficitin e lartë të llogarisë korrente të SHBA-ve dhe normat e ulëta të interesit”, - deklaroi një analist.

Dje në mbrëmje euro iu afrua sërish kuotës së 1.5 dollarëve, gjë që pritet të pasqyrohet edhe në tregun shqiptar sot. Ekspertët ndërkombëtarë thonë se ka shumë arsye për të besuar se dollari nuk do të mund ta ruajë kuotën e arritur. Arsyeja e parë, lidhet me faktin se forcimi ka qenë shumë i madh dhe shumë i shpejtë. Leku shqiptar qëndron zakonisht stabël në raport me euron dhe pasqyron ndryshimet e tregut ndërkombëtar duke u luhatur kundrejt dollarit. Gjatë ditëve të fundit, ndërsa është ulur kundrejt dollarit, është rritur lehtë kundrejt euros. Tashmë gjithçka pritet të përmbyset sërish. Në Londër, shumë besojnë se dollari do të vijojë të dobësohet, ose së paku nuk do të forcohet. Por një sondazh i kryer nga Bloomberg, tregoi se investitorët amerikanë po bëhen gjithnjë e më shumë euforikë. Shumica e tyre besojnë se dollari do të forcohet në gjashtë muajt e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›