Drafti, shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk hiqet
Miratohet drafti në qeveri, ja lehtësira për njerëzit që dëshirojnë të kryejnë një shërbim alternativ nga ai me armë
TIRANË- Të gjithë shtetasit shqiptarë të moshës 18 deri në 27 vjeç, të paktën deri në vitin 2010, do të vazhdojnë të kenë si detyrim ligjor, kryerjen e shërbimit ushtarak. Ndryshe nga sa u njoftua gjatë ditës së djeshme, Ligji Nr.9047 “Për shërbimin ushtarak” do të mbetet në fuqi, në pikën ku përcaktohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Ndryshimet e miratuara dje nga Këshilli i Ministrave nuk kanë prekur thelbin e ligjit, për sa i përket këtij detyrimi, por bëjnë vetëm disa përshtatje të legjislacionit ushtarak shqiptar me atë të vendeve anëtare të NATO-s. Megjithëse strategjia e veprimit të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes, synon kalimin në 2010 në ushtri tërësisht profesioniste duke parashikuar që brenda këtij vitit të eliminojë shërbimin e detyrueshëm, projektligji i miratuar nga qeveria nuk përcakton asnjë masë shfuqizuese në këtë drejtim. Për të hequr këtë lloj shërbimi, është e nevojshme që qeveria dhe më pas Parlamenti të miratojnë një ligj tjetër të posaçëm, i cili duhet të prekë dhe Kushtetutën, pasi siç dihet mobilizimi në ushtri është një detyrim kushtetues.
Drafti
Nisur nga detyrimi që brenda vitit 2010 Forcat e Armatosura Shqiptare duhet të jenë tërësisht profesioniste, Ministria e Mbrojtjes ka paraqitur për miratim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për shërbimin ushtarak”. Drafti parashikon një sërë ndryshimesh, midis të cilave heqjen e detyrimit të kandidatit për ushtar profesionist. Thënë ndryshe, me shfuqizimin e nenit 19, të ligjit ekzistues, parashikohet që të gjithë ata individë që do të dëshirojnë të bëhen ushtarë profesionistë, pra të punësohen me pagesë si ushtarë, tashmë nuk do të duhet që të kryejnë më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por të rekrutohen direkt si të tillë. Siç shpjegohet në relacionin shoqërues të këtij drafti, neni 19 del i panevojshëm për arsye të eliminimit pas 2009 të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Gjithashtu në përgjigje të shqetësime të ngritura nga “Amnesty International” dhe Ministria jonë e Drejtësisë, është bërë një ndryshim i rëndësishëm edhe përsa i përket aplikimit për shërbimin alternativ. Në bazë të këtij ndryshimi të propozuar, parashikohet që të hiqet afati kohor prej gjashtë muajsh para mbushjes së moshës për t’u thirrur ushtar, në lidhje me të drejtën e shtrirjes së kohës kur mund të bëhet aplikimi për shërbim alternativ. Sipas ndryshimit që i bëhet ligjit ekzistues, tashmë të gjithë ata individë që për shkaqe të ndryshme nuk do dëshirojnë të kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak, duke pranuar të kryejnë një shërbim tjetër alternativ, mund ta aplikojnë për të përfituar në çdo moment, jo vetëm para ardhjes së fletë-thirrjes për ushtar, por edhe gjatë momentit që ushtari mund të jetë duke e kryer këtë shërbim.
Procedura
Shtetasi që për arsye ndërgjegje nuk dëshiron ta kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me armë, duhet të bëjë kërkesë në qendrën e rekrutim-mobilizimit para mbushjes së moshës për ushtar dhe të kërkojë kryerjen e shërbimit alternativ. Çdo i ri mund të kërkojë kryerjen e shërbimit alternativ për arsye ndërgjegje, edhe kur është ushtar, duke paraqitur kërkesën pranë repartit ku dhe është i mobilizuar. Në tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për rastet kur një individ mund të përfitojë për të mos kryer ushtrinë. Sipas draftit të paraqitur, propozohet që shtetasi i martuar që ka një a më shumë fëmijë, përjashtohet nga detyrimi ligjor për të shkuar ushtar. Po ashtu, kur një i ri kryefamiljar i martuar është duke kryer shërbimin ushtarak dhe gjatë kësaj kohe ai bëhet me një a me më shumë fëmijë, mund të lirohet nga shërbimi ushtarak.
Ministri ka vlerësuar se, aplikimi i shërbimit ushtarak me pagesë do të sjellë një mundësi të mirë punësimi për të rinjtë
Oketa: Në 2010, vetëm ushtarë me pagesë
Vetëm në fund të vitit 2009 qeveria mund të ndërmarrë një nismë të posaçme ligjore për shfuqizimin e ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarakë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili duke shpjeguar ndryshimet e bëra në ligjin ekzistues “Për shërbimin ushtarak”, thekson se vetëm në 2010 mund të bëhet fjalë për shfuqizimin e detyrimit ligjor për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa shprehet se nga 1 Janari i vitit 2010, Shqipëria nuk do ta ketë më të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Sipas tij, në këtë vit, Shqipëria do të ketë një ushtri tërësisht profesioniste, në përputhje kjo me detyrimet që i lindin asaj nga të qënurit vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Por për të ligjëruar heqjen e shërbimit ushtarak, Ministrisë së Mbrojtjes do t’i duhet që të ndërmarrë një nismë tjetër ligjore për të ndryshuar Kushtetutën, ku dhe sanksionohet një detyrim i tillë. “Deri më 31 dhjetor të vitit 2009, ligji do të vazhdojë të aplikohet siç jemi aktualisht. Në Ushtrinë Shqiptare sot ka ushtarë profesionist, apo siç njihen ndryshe, ushtarë me pagesë, ashtu si ka edhe ushtarë të cilët për shkak të detyrimit ligjor janë rekrutuar. Nga 1 Janari i vitit 2010, ushtarët do të jenë vetëm profesionistë”, - u shpreh Oketa. Ministri bën të ditura dhe përfitimet që do të kenë të rinjtë apo të rejat që do të pranojnë të rekrutohen si ushtarë me pagesë, duke evidentuar gjithashtu faktin se aplikimi i një skeme të tillë do të rrisë dhe mundësinë për vende të reja pune për të rinjtë dhe të rejat. “Duke u kthyer në një ushtri profesioniste, Forcat e Armatosura do të ofrojnë një mundësi për punësimin e të rinjve e të rejave. Pra, për të gjithë ata të rinj që dëshirojnë t’i bashkëngjiten Forcave të Armatosura të Shqipërisë, do të kenë një mundësi punësimi. Këta ushtarë të rinj do të kenë mundësi karriere, kuptohet, deri në njëfarë niveli, pasi për të ecur më shumë duhet të ndjekin shkollimet e duhura ushtarake”,- tha Oketa. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se në muajt e ardhshëm, në disa rrethe të ndryshme të vendit do të hapen disa qendra rekrutimi për të rinjtë që kanë minimalisht shkollën e mesme dhe që do të kërkojnë të shërbejnë në ushtri me pagesë.
Ndryshimet në ligj
Neni 2
Pika 2. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak rregullohet me këtë ligj. Shërbimi ushtarak vullnetar rregullohet me ligj të veçantë,shfuqizohet.
Neni 12
“Shtetasi kryefamiljar, i martuar dhe me një a më shumë fëmijë të mitur, nuk thirret ushtar”.
Neni 14
“Lirohet shtetasi kryefamiljar i martuar i cili gjatë kohës së shërbimit ushtarak bëhet me një a më shumë fëmijë”.
Neni 19
“Shtetasit shqiptar që nuk e ka kryer fizikisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ose kursin profesional përkatës, i ndalohet punësimi si ushtar me pagesë ose nënoficer në Forcat e Armatosura, në rolin baze të Policisë së Shtetit, në Gardën e Republikës dhe në policitë e tjera të krijuara me ligj”, shfuqizohet.
Neni 20
Shtetasi, që për arsye ndërgjegjeje nuk pranon të kryejë shërbimin me armë në Forcat e Armatosura dhe kërkon të kryejë në vend të tij shërbim alternativ, duhet të paraqesë një kërkesë, së bashku me dokumentacionin shoqërues, në qendrën e rekrutim-mobilizimit përpara se të plotësojë moshën ligjore të thirrjes për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ose në komandën e njësisë (repart ushtarak), kur është duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Neni 42
Shtetasit shqiptar, që plotëson kriteret e vendosura nga ky ligj për kryerjen e detyrimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, aktiv ose alternativ, mund t'i njihet i shlyer ky detyrim kur, me dëshirën dhe kërkesën e vet, paguan personalisht dhe menjëherë një shumë të caktuar lekësh. Kriteret dhe shuma e detyrimit në këto raste përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ky nen do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2009.