E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domenek i habit të gjithë, Benzema e Vieira jashtë

PARIS- Trajneri i Francës Rajmond Domenek i ka habitur të gjithë me skuadrën që do të thërrasë në Botëror, duke lënë jashtë futbollistë si Patrik Vieira apo Karim Benzema. Zbulimi i 30 emrave të parë që do të thirren në Kupën e Botës dhe nga të cilët do të përzgjidhen 23, është bërë live në televizion nga tekniku i Gjelave. Një tjetër emër që mungon në këtë listë është ajo e mesfushorit të Arsenalit Samir Nasri, që ka bërë një sezon të mirë në Londër. “Me futbollistët e rinj është gjithnjë e komplikuar, - deklaroi Domenek. – Ata do të kenë shanse të tjera. Benzema ka shumë talent dhe herët a vonë do të rikthehet, por ai ka patur një sezon të vështirë me Realin”, shtoi trajneri i Francës. Surpriza më e madhe e Domenek është thirrja e sulmuesit të ri të Rënesit, Jan Mvila, por edhe e 5 lojtarëve që nuk kanë qenë ndonjëherë në ekipin kombëtar. Rajmond Domenek u shpreh gjithashtu se skandali seksual ku është përfshirë Frenk Riberi, i akuzuar për raporte me një prostitutë minorene, nuk ka ndikuar në zgjedhjet e tij. Trajneri i Francës premtoi se në Kupën e Botës do të ketë shumë lojtarë të rinj, duke sjellë më shumë freski në përfaqësuesen e Gjelave.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›