E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dunga mbron zgjedhjet: Adriano? Vendosa për ekipin

BRAZIL- Trajneri i Brazilit Karlos Dunga është gjendur në mes të kritikave të mëdha pas publimit të listës me 23 futbollistë që do të grumbullojë për Botërorin e Afrikës së Jugut. Tekniku brazilian ka lënë jashtë lojtarë si Ronaldinjo, Pato, Diego, Adriano apo dy talentet e Santosit Neimar dhe Paulo Henrike. Por, nga gjithë këta futbollistë, Dunga ka deklaruar se keqardhjen më të madhe e ka patur për sulmuesin e Flamengos Adriano, për të cilin duket se kanë vendosur problemet me jetën private dhe mungesat e vazhdueshme në seancat stërvitore. “I kam dhënë disa shanse Adrianos që të rikthehet të jetë ai i dikurshmi, - deklaroi Karlos Dunga. – Ndoshta askush nuk ka dëshirë ta dëgjojë këtë, por shpesh duhet të marrësh një vendim për të mirën e ekipit, për atë çfarë është më e rëndësishme për kombëtaren braziliane. Adriano ka qenë gjithnjë i mirëpritur këtu, por kishte ardhur koha për një vendim. Zemra më thotë që duhet ta merrja, por arsyeja që përfaqësoj vendin tim, më thotë diçka tjetër”, sqaroi trajneri i Brazilit. Skuadra braziliane duket shumë e varur nga Kaka në mesfushë, ndërkohë që në sulm përveç Luis Fabianos e Robinjos, janë thirrur edhe Grafite e Nilmar. Por, kritika të forta Dunga ka marrë edhe për mosthirrjen e talenteve të Santosit Neimar dhe Paulo Henrike. “Ata e meritojnë të kombëtare, - u shpreh Dunga, - por mos harroni se këta talente shpërthyen vetëm në shkurt e në mars. Nëse ju kujtohet, më 15 dhjetor kur mbaroi kampionati brazilian, ata ishin në stol”. Nga 23 futbollistët e thirrur, Dunga u ka besuar shumë atyre që luajtën në fazën eliminatore, duke mos bërë ndryshime të mëdha. Brazili konsiderohet edhe këtë vit si skuadra favorite për fitimin e Botërorit, bashkë me Spanjën, Argjentinën, Anglinë dhe Gjermaninë. Skuadra braziliane ndodhet në grup me Portugalinë, Bregun e Fildishtë dhe Korenë e Veriut.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›