E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dominica njeh Republikën e Kosovës

Dominica është shteti i radhës, anëtar i OKB-së, që njeh Republikën e Kosovës. Kështu është bërë e ditur nga zyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli.

Sipas një komunikate, konfirmimi ka ardhur gjatë darkës zyrtare që Pacolli ka zhvilluar me kryeministrin e këtij shteti, Roosevelt Skerrit, të premten në Paris, menjëherë pas kthimit nga kontinenti afrikan.

“Kryeministri Skerrit, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i vendit të tij në OKB, i konfirmoi zëvendëskryeministrit Pacolli se shteti i tij ka vendosur që të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa formalizimi do të bëhet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së këtij shteti, javën e ardhshme”, thuhet në komunikatë.

Gjithnjë sipas saj, zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet intensiv me vendet e Caricomit që nga viti 2009, e veçanërisht me shtetin e Dominicas, ndërkaq me kryeministrin Roosevelt Skerrit ka pasur disa takime.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›