E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pepa vazhdon me Sandnesin, pritet Raskaj

Ekipi norvegjez Sandnes Ulf dhe Avni Pepa kanë arritur marrëveshje verbale për një kontratë të re dyvjeçare. Javën që vjen, mbrojtësi kosovar do ta nënshkruajë kontratën e cila do ta lidhë me ekipin norvegjez deri në vitin 2014.

“E kemi arritur marrëveshjen, por nuk është nënshkruar ende asgjë. Pepa kishte një fillim të vështirë, por ka luajtur mirë në fund të sezonit. Është një lojtar tek i cili besojmë dhe jemi të lumtur që do të vazhdojë me ne”, ka deklaruar zyrtari i klubit norvegjez, Tom Espedal, për RA.

Reprezentuesi i Kosovës ka zhvilluar 17 ndeshje ne Sandnesin këtë vit në elitën e futbollit norvegjez, ndërsa ishte njeriu i ndeshjes në fitoren 2:1 ndaj Stromsgodset në xhiron e parafundit.

Ndërkaq, klubi norvegjez po mundohet ta bindë edhe mesfushorin kosovar Anel Raskaj të vazhdojë kontratën me këtë klub. “Raskaj ka kohë të na përgjigjet deri kah mesi i dhjetorit”, ka përfunduar Espedal.

Interesim për kosovarin kanë shprehur edhe ekipet suedeze Elfsborgu e Malmo dhe ato norvegjeze Rosenborg, Mode dhe Stromsgodset.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›