E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dominica njeh Republikën e Kosovës

Dominica është shteti i radhës anëtar i OKB-së që njeh Republikën e Kosovës.

Konfirmimi ka ardhur gjatë darkës zyrtare që zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar me kryeministrin e këtij shteti Roosevelt Skerrit, të premten në Paris, menjëherë pas kthimit nga kontinenti afrikan, njofton Zyra e Pacollit.

Kryeministri Skerrit i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i vendit të tij në OKB, i konfirmoi zëvendëskryeministrit Pacolli se shteti i tij ka vendosur që të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa formalizimi do të bëhet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së këtij shteti, javën e ardhshme.

Nota verbale mësohet se arrin javën e ardhshme.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet intensiv me vendet e Caricomit që nga viti 2009, e veçanërisht me shtetin e Dominicas, ndërkaq me kryeministrin Roosevelt Skerrit ka pasur disa takime.

Së fundmi, zëvendëskryeministri Pacolli është takuar me kryeministrin Skerrit në Nju Jork, gjatë organizmit të takimit “South South”, ku Pacolli ishte i ftuar nderi në mesin e rreth 100 burrështetasve botërorë, mes të cilëve edhe sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki Mon./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›