Arrestohet bullgari, vodhi të dhëna bankare

M.N., 48-vjeç, shtetas bullgar, ka përfunduar në pranga të Policisë së Kosovës me dyshimin e bazuar se i njëjti ka tentuar që përmes disa pajisjeve të sofistikuara të vjedhë para nga xhirollogaritë e qytetarëve të Kosovës.
Policia bënë të ditur se i dyshuari ka vendosur pajisje në një bankomat i cili gjendet në Prishtine, pajisjet të cilat kanë të bëjnë me vjedhjen e të dhënave bankare të klientëve me qëllim klonimin e kartelave bankare dhe përfitim material.
I dyshuari është kapur në flagrancë nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, gjatë largimit të pajisjeve të vendosura në bankomat, të cilat më pas janë konfiskuar nga Policia, duke përfshirë edhe automjetin e të dyshuarit i cili ishte përdorur në atë rast.
I dyshuari është dërguar para gjykatësit të procedurës paraprake dhe të njëjtit iu është shqiptuar masa e arrestit prej një muaji./Indeksonline/